Osman Osmani shpall kandidaturën për Kuvendin Komunal të Prishtinës në listën e PSD-së
Prishtinë, Korrik 2025 – Veprimtari i njohur i diasporës shqiptare në Zvicër, Osman Osmani, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kuvendin Komunal të Prishtinës, si pjesë e listës së Partisë Socialdemokrate (PSD), të udhëhequr nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Pas një angazhimi të gjatë dhe të palodhur në Zvicër, ku ka dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin komunitar, integrimin social e politik, çështjet e migracionit, të rinisë dhe sindikalizmit, Osmani rikthehet në qytetin e tij të lindjes – Prishtinën – me synimin për të sjellë një frymë të re në qeverisjen lokale.
“Kam vendosur që në këtë etapë të jetës të rikthehem më aktivisht në shërbim të qytetit ku u rrita – Prishtinës,” – tha Osmani në një deklaratë publike.
Me një vizion të qartë për një Prishtinë më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse, Osmani synon të fokusohet në katër shtylla kryesore të angazhimit të tij:
- Aktivizimi qytetar
- Zhvillimi i shërbimeve komunitare në çdo lagje
- Përfshirja dhe mirëqenia e të rinjve
- Mbrojtja e të drejtave të punëmarrësve
Ai premton të jetë zëri i qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht i atyre që shpesh mbeten të padëgjuar në proceset vendimmarrëse. Sipas Osmanit, drejtësia sociale dhe cilësia e jetës nuk mund të arrihen pa një pjesëmarrje aktive dhe të barabartë të qytetarëve në qeverisje.
Kandidatura e tij pritet të sjellë një dimension të ri në skenën politike lokale, duke reflektuar përvojën e fituar në mërgatë dhe vullnetin për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kryeqytet./Alb’swiss TV/





