Më 31 korrik 2025, u mbajt pritja shtetërore tradicionale për mërgatën shqiptare, e organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.

Gjatë këtij takimi të veçantë, Presidentja Osmani përcolli një mesazh të fuqishëm mirënjohje dhe bashkimi, duke e cilësuar mërgatën si pjesë të pandashme të Kosovës. Ajo vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të mërgimtarëve ndër vite, në të gjitha etapat historike, nga periudha e luftës e deri te zhvillimi i paqes dhe përfaqësimi ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, u theksua se mërgata nuk është larg vetëm në hapësirë, por është zemra që rreh njësoj me vendin e vet, dhe ka qenë gjithmonë mbështetje jetike për Kosovën – me djersën, mundin dhe sakrificën e saj.
Në këtë rast, Presidentja kujtoi me dhembje edhe humbjen tragjike të një 33-vjeçari nga mërgata në Liqenin e Ujmanit, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe solidaritetin e gjithë komunitetit.
Duke iu drejtuar bashkatdhetarëve tanë, Presidentja Osmani bëri thirrje për më shumë përfshirje aktive jo vetëm gjatë sezonit të verës, por në mënyrë të qëndrueshme dhe të qëllimshme, duke sjellë përvojën, dijen dhe vizionin e tyre për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Kthimi i tyre, tha ajo, nuk është vetëm kthim emocional, por edhe veprim strategjik për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Në këtë ngjarje ishin të ftuar profesionistë dhe veprimtarë të shquar të mërgatës shqiptare nga fusha të ndryshme. Ndër figurat e dalluara ishte edhe futbollisti i mirënjohur Milaim Rama i cili ka qene pjese i kombetares zvicerrane te futbollit dhe z. Osman Osmani, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, sindikalist i dalluar dhe një zë i fuqishëm i mërgatës sonë ndër vite.


Në mesin e të ftuarve u veçua edhe prezenca e Kryetarit të Komunitetit Shqiptar në Gjenevë, z. Nasuf Nuhiut, i cili zhvilloi takim të veçantë me zyrtarët më të lartë të Presidencës së Republikës së Kosovës. Gjatë vizitës së tij, ai pat gjithashtu mundësinë të vizitojë ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Z. Nuhiu shprehu mirënjohje për ftesën dhe mikpritjen, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet mërgatës dhe institucioneve shtetërore. Ai vuri në dukje nevojën për një komunikim të sinqertë, të vazhdueshëm dhe efektiv, në funksion të forcimit të lidhjeve kombëtare dhe avancimit të zhvillimit të përbashkët.

Këtë mbrëmje e ndëruan me prezencen e tyre edhe përfaqësues tjerë të shoqatave kulturore dhe artistike të mërgatës, përfshirë këtu Ansamblin “Gëzuar”, “Ilirët”, “Vatra”, “Smira” si dhe shumë të tjerë, të cilët kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe kulturor në diasporë.

Edhe televizioni Alb’swiss pati nderin dhe privilegjin të jetë i ftuar në këtë mbrëmje të veçantë, duke qenë dëshmitar i vlerësimit që i bëhet mërgatës shqiptare dhe kontributit të saj ndër vite. Si gjithmonë, Alb’swiss do të vazhdojë me përkushtim të përcjellë dhe të informojë publikun mbi ngjarjet, aktivitetet dhe organizimet e mirëfillta që lidhen me jetën, punën dhe rolin e mërgatës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët kombëtare./Alb’swiss TV/


 
                                    



