Lozanë, 5 shtator 2025 – Në ditën e shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, përfaqësuesit diplomatikë të tre vendeve shqiptare u bashkuan në Lozanë 🇨🇭 për të nderuar figurën dhe veprën e saj madhështore.
Z. Valon Gashi nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Mentor Latifi, dhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri, vendosën buqeta me lule pranë shtatores së Shën Nënë Terezës, duke kujtuar me respekt jetën dhe misionin e saj human.
“Shën Nënë Tereza, bijë e kombit shqiptar dhe personalitet universal, mbetet shembull frymëzimi për përulësinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj më të varfërve e të pambrojturve. Vepra e saj e përjetshme vazhdon të ndriçojë udhën e njerëzimit,” u theksua në këtë përkujtim.