3.6 C
Geneva
Wednesday, October 29, 2025

Protestë në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Qindra shqiptarë nga SHBA, Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës janë mbledhur sot në Hagë për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Protesta pritet të nisë në orën 14:00 dhe, për arsye sigurie, nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, por vetëm në afërsi të saj. Protestuesit – ish-luftëtarë dhe qytetarë nga vende të ndryshme të botës – kanë përgatitur pankarta me mesazhe në gjuhën angleze, drejtuar stafit ndërkombëtar të Gjykatës dhe Bashkimit Evropian, si financues i këtij institucioni.

Në Hagë kanë mbërritur edhe disa autobusë nga Kosova. Organizatorët e protestës theksojnë se kërkojnë drejtësi dhe proces të drejtë gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së.

Kjo protestë zhvillohet një ditë para se të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjyqin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Nesër, më 15 shtator, në sallën e gjyqit do të paraqitet James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit i SHBA-së gjatë luftës së Kosovës. Pas tij do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Në total, pritet që mbrojtja e Thaçit të sjellë rreth 11 dëshmitarë, ndërsa dy të tjerë janë të mbrojtjes së Krasniqit. Seancat e dëshmive do të jenë të hapura për publikun.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila solli 125 dëshmitarë dhe mbi 130 dëshmi me shkrim.

Katërshja e ish-krerëve të UÇK-së akuzohet për krime të pretenduara lufte dhe pjesëmarrje në “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, akuza që ata i mohojnë duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të centralizuar komanduese.

Ata ndodhen në paraburgimin e Sheveningenit që nga konfirmimi i aktakuzës në vjeshtën e vitit 2020. Gjyqi i tyre ka nisur në prill 2023 dhe tani ndodhet në fazën përfundimtare. Mbrojtja pritet të dorëzojë shkresat përmbyllëse deri më 22 dhjetor të këtij viti.


Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img