Më datën 19 shtator 2025, në sallën e Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” në Quartier de l’Etang, u zhvillua seanca e tretë informative mbi temën “Përfitimet plotësuese (SPC) të AVS/AI”, e organizuar në bashkëpunim me Shoqatën EPER dhe zonjën Luljeta Hajzeraj.
Kjo seancë vjen si vazhdim i bashkëpunimit mes Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” dhe Shoqatës EPER, dhe pati si qëllim informimin e komunitetit shqiptar mbi të drejtën për përfitime plotësuese, si dhe mënyrën e realizimit të këtyre përfitimeve.
Dy përfaqësues nga institucioni përkatës, Gustavo Kuhn – përgjegjës për informacionin dhe komunikimin, dhe Jean Luc Cavalieri – ndihmës drejtor në SPC, i informuan të pranishmit në mënyrë të detajuar mbi mënyrat e realizimit të kësaj të drejte për individët që nuk mund të mbulojnë shpenzimet e jetesës vetëm me pensionin e pleqërisë apo pensionin invalidor.
Pjesëmarrësit kishin mundësinë të informoheshin në detaje mbi mënyrën e llogaritjes së këtyre përfitimeve, shpenzimet që mbulohen, si dhe kushtet që përcaktojnë kur kjo e drejtë lind dhe kur përfundon. Gjithashtu, ata patën mundësinë të parashtrojnë pyetje specifike dhe të marrin përgjigje të qarta dhe profesionale nga ekspertët e pranishëm.
Ky bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, Shoqatës EPER dhe zonjës Hajzeraj dëshmon angazhimin për të fuqizuar qytetarët shqiptarë në Zvicër me informacione të sakta dhe të nevojshme për të drejtat e tyre sociale./Alb’swiss TV/