Të dashur bashkatdhetarë,
Me rastin e përmbylljes së vitit 2025, dëshiroj të ndaj një përmbledhje të shkurtër të angazhimit dhe punës së Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, gjatë këtij viti.
Në fushën e shërbimeve konsullore, viti 2025 shënon një rritje të ndjeshme prej mbi 40% të numrit të shërbimeve konsullore, krahasuar me vitin 2023. Ky zhvillim pasqyron rritjen e kërkesës nga qytetarët dhe besimin e mërgatës sonë në punën dhe shërbimet e Konsullatës.
Sa i përket takimeve, aktiviteteve, gjatë këtij viti, janë realizuar mbi 250 takime dhe aktivitete, brenda dhe jashtë konsullatës, përfshirë bashkëpunime me autoritetet vendore, korin konsullor, si dhe aktivitete kulturore e promovuese, të cilat kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve institucionale, diplomatike dhe kulturore.
Në këtë rast, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mërgatën tonë në Zvicër për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe falënderim të veçantë për kolegët diplomatë, stafin vendor, mediat, shoqatat, organizatat e mërgatës, dhe autoritetet e vendit pritës për kontributin dhe partneritetin e tyre gjatë gjithë vitit.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, do të vazhdojë edhe në vitet në vijim të ushtrojë mandatin e saj me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Republikës së Kosovës.





