Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot nderim, Shefi i Misionit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, ka vizituar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, z. Nysret Hajdari, me rastin e 91-vjetorit të tij të lindjes.
Z. Hajdari, i njohur gjerësisht në rrethet patriotike dhe nga bashkëveprimtarët edhe si “Fitim Fitimi”, është një figurë emblematike e rezistencës, ish-i burgosur politik dhe një njeri që jetën ia kushtoi idealit për liri.
Gjatë këtij takimi të veçantë, Konsullata e Kosovës vlerësoi lart kontributin e tij jetësor. U theksua se veprimtaria dhe përkushtimi i tij i pashoq kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë.
“Agja Fitim, përmes veprimtarisë së tij, përfaqëson devotshmërinë dhe guximin e palodhur për kauzën kombëtare,” u shprehën përfaqësuesit e misionit diplomatik.
Figura e Nysret Hajdarit vazhdon të shërbejë si një burim frymëzimi për breza të tërë, duke dëshmuar se ruajtja dhe avancimi i vlerave të kombit mbetet një mision i shenjtë për secilin shqiptar, kudo që ndodhet.
Alb’swiss TV i bashkohet urimeve për z. Hajdari, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë./Alb’swiss TV/






