Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka mirëpritur sot një delegacion të lartë nga Kosova, i cili merret me njërën nga plagët më të rënda të pasluftës, çështjen e personave të zhdukur.
Në ambientet e Konsullatës u zhvillua një takim me z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe njëherësh kryetar i delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet me Serbinë për këtë çështje sensitive.
Pjesë e delegacionit ishin edhe zyrtarë të tjerë të lartë që punojnë intensivisht në zbardhjen e fatit të të pagjeturve: z. Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur pranë Qeverisë së Kosovës, si dhe z. Astrit Gjocaj, zyrtar brenda këtij Komisioni.
Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte prania e z. Gentrit Shala, djalit të mjekut të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala, fati i të cilit ende nuk është zbardhur që nga zhdukja e tij gjatë luftës. Prezenca e tij rikonfirmoi edhe një herë domosdoshmërinë e angazhimit institucional për të sjellë drejtësi dhe përgjigje për familjarët e të gjithë të zhdukurve.
Gjatë takimit në Konsullatë, u diskutua mbi angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në dialog, për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë./Alb’swiss TV/





