I riu Miran Rashiti është shpallur Kampion Botëror i “Latte Art 2025”, një garë që vlerëson përgatitjen artistike të kafesë me qumësht, e njohur ndryshe si kapuçino apo makiato. Ky sukses e rendit Miranin si një nga emrat më të spikatur në botën ndërkombëtare të kafesë dhe e shndërron atë në një shembull frymëzues të pasionit, përkushtimit dhe disiplinës profesionale.

Arritja e këtij titulli nuk përfaqëson vetëm një trofe prestigjioz, por është një konfirmim i qartë se puna e palodhur dhe vetë disiplina mund të sjellin sukses të jashtëzakonshëm në çdo fushë të jetës.
Siç rrëfen vetë ai, dashuria për kafenë dhe artin e latteve i është lindur që në moshën 16-vjeçare, kur filloi të punonte si asistent baristi. “Familja ime ka qenë gjithmonë e lidhur me industrinë e restoranteve, ndaj kjo punë është në gjakun tim,” tregon Mirani. Ajo që nisi si një eksperiment i thjeshtë me kapuçinon e parë, u shndërrua shpejt në një pasion të vërtetë, i cili u zhvillua ndër vite përmes ndjekjes së kurseve dhe tutorialeve profesionale të Latte Art.

Përgatitjet për kampionatin botëror nuk ishin aspak të lehta. Mirani shpjegon se për gjashtë muaj me radhë u stërvit intensivisht pesë herë në javë, duke përdorur rreth 10–15 litra qumësht në ditë për të përsosur çdo lëvizje. Sfidën më të madhe e përbënte kapuçinoja e parë e garës, por falë fokusit dhe vetëbesimit, ai arriti të triumfonte.
Ai thekson rëndësinë e balancës midis shijes dhe estetikës: “Latte Art nuk ndikon drejtpërdrejt në shijen e kafesë, por mënyra e përgatitjes nga baristi përmirëson ndjeshëm produktin përfundimtar.” Ajo që e veçon stilin e tij është aftësia për të mësuar shpejt teknika të reja dhe për t’i përshtatur ato në mënyrë unike.
Në suksesin e tij kanë pasur një rol të rëndësishëm trajnerja Carmen Clemente, shoku i tij Silver, kolegët, pronarët e vendit ku punon, si dhe motra e tij, të cilëve ai u shpreh mirënjohje të veçantë. Mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë: të besojnë në vetvete, të ndjekin pasionin dhe të punojnë pa u lodhur për realizimin e ëndrrave.
Fitimi i këtij titulli i ka sjellë Miranit vëmendje të madhe ndërkombëtare, dukshmëri dhe mundësi të reja biznesi. Së shpejti, ai synon t’i përkushtohet zhvillimit të biznesit të tij të kafesë, duke frymëzuar brezat e ardhshëm të baristëve me historinë e tij të suksesit.
Për Miran Rashitin, përgatitja e një filxhani perfekt nuk është vetëm çështje përbërësish cilësorë, por rezultat i një procesi të saktë, profesional dhe të mbushur me pasion. Në fund, shija duhet gjithmonë të jetë në harmoni të plotë me artin jo vetëm të gastronomisë, por edhe të bukurën dhe të madhërishmen në përgjithësi./Alb’swiss TV/





