Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, sot në Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë u zhvillua një pritje e veçantë për mësueset e shkollës shqipe në diasporë.
Udhëheqësja e konsullatës, Floreta Kabashi Ademaj, priti mësueset e LAPSH – Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Gjenevë, duke shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në diasporë.
Në këtë takim u vlerësua roli i rëndësishëm që mësuesit e shkollës shqipe kanë në forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Kontributi i tyre në mësimin e gjuhës amtare dhe në edukimin e brezave të rinj mbetet një shtyllë e rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare.
Dita e Mësuesit në botën shqiptare lidhet historikisht me hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887 në Korçë, një ngjarje që shënoi një moment të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Në përfundim të takimit, u shpreh mirënjohje për të gjitha mësueset dhe mësuesit që me përkushtim kontribuojnë çdo ditë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit! 📚🇦🇱





