Zgjedhjet parlamentare në kantonin e Bernës kanë shënuar një moment të rëndësishëm për përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar në Zvicër. Shasime Osmani, me prejardhje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, është zgjedhur deputete në Parlamentin kantonal të Bernës, duke u bërë kështu shqiptarja e parë që fiton një mandat në këtë institucion.
Parlamenti kantonal i Bernës përbëhet nga 160 anëtarë, të zgjedhur në 9 zona elektorale. Në këto zgjedhje, Partia Socialdemokrate, pjesë e së cilës është edhe Osmani, si dhe Partia Popullore Zvicerane, kanë shënuar rritje të përfaqësimit të tyre parlamentar.
Pas konfirmimit të fitores, Osmani reagoi me emocion në rrjetet sociale, ku publikoi një fotografi duke përqafuar një mikeshë, të shoqëruar me fjalët: “Po më rrjedhin vetëm lot.”
Historia e saj është një pasqyrim i rrugëtimit të shumë familjeve emigrante drejt integrimit dhe suksesit. Gjyshi i saj jeton në Zvicër që nga viti 1979, ndërsa babai emigroi në vitin 1993. Gjashtë vjet më vonë, Shasime Osmani, asokohe vetëm një vjeçe, së bashku me nënën, u vendos pranë tij në Zvicër.
Aktualisht, ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernës. Më herët ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka marrë një diplomë profesionale. Ajo është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku shumë fëmijë përballen me vështirësi sociale dhe arsimore një realitet që ka formësuar qartë prioritetet e saj politike.
Përveç angazhimit në nivel kantonal, Osmani është edhe këshilltare në qytetin e Bernës. Fokusi i saj politik përqendrohet te migracioni, arsimi, barazia sociale dhe barazia gjinore.
Mediat zvicerane e kanë cilësuar atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”, ndërsa qytetarët e Bernës i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në një nga institucionet më të rëndësishme të kantonit.
Mesazhi i saj gjatë fushatës ishte i qartë: “Për një sistem arsimor që nuk lë askënd pas dore!”
Në një deklaratë të ndjerë në rrjetet sociale, Osmani ka shpjeguar edhe motivimin personal pas angazhimit të saj:
“Si studente e gjeneratës së parë dhe bijë e një pastrueseje, e di nga përvoja personale se sa të rëndësishme janë mundësitë e barabarta dhe qasja në arsim. Arsimi nuk duhet të jetë privilegj. Unë mbështes mundësitë e barabarta!”
Zgjedhja e Shasime Osmanit është më shumë sesa një sukses personal. Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm për përfshirjen, diversitetin dhe fuqizimin e zërave të rinj në politikën zvicerane./Alb’swiss TV/





