Kjo skuadër, e njohur si një vatër suksesi dhe integrimi, këtë vit shënon 28-vjetorin e themelimit.
E lindur në rrethana të vështira historike, ajo është fryt i përkushtimit të të rinjve nga Kosova, të cilët u detyruan të marrin rrugët e mërgimit drejt vendeve të Evropës e deri në Zelandë të Re, si pasojë e dhunës dhe krimeve të regjimit të Millosheviqit.
Megjithatë, edhe në mërgim, shqiptarët nuk e humbën pasionin për sportin.
Ata e kthyen atë në forcë veprimi, duke themeluar klube futbolli dhe shoqata sportive, të cilat u shndërruan jo vetëm në hapësira garash, por edhe në ura të fuqishme integrimi.
Klubi Futbollistik “Kosova” e Gjenevës, aktualisht anëtar i Ligës së Dytë Regjionale të Gjenevës, u themelua gjatë viteve ’90 nga vëllezërit Besim dhe Burim Jahiu.
Ndërkohë, atyre iu bashkuan Fadil Haliti, Halil Rrahmani, Hysen Bilalli, Nexhat Xhimshiti – Xhimi, Reshat Kamberi, Bujar Ahmeti, Behxhet Rexha, Samet Mjaku e të tjerë.
Skuadra u regjistrua zyrtarisht në ACGF më 1998, duke i filluar garat në të ashtuquajturën Ligë të V-të, të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Përveç të rinjve shqiptarë, Klubi Futbollistik “Kosova” e Gjenevës ka tubuar dhe vazhdon të tubojë në radhët e veta edhe talent të komuniteteve të tjera.
Pjesë e këtij ekipi të suksesshëm kanë qenë edhe lojtarë si Alex Tekumo, qendërsulmues i spikatur nga Kongo, i cili më parë pati luajtur në skuadrën e njohur spanjolle “FC Valencia”, si dhe portieri Antonio Di Marco, me origjinë italiane.
Meritor i veçantë për këto arritje është Besim Jahiu, i cili në rolin e Presidentit të klubit, por edhe si lojtar aktiv, arriti të sjellë në skuadër futbollistë me përvojë dhe emër nga hapësirat shqiptare dhe më gjerë.
Ndër ta dallohej Fadil Haliti, i cili kishte luajtur si mesfushor standard te klubi kroat FC Shibenik, anëtar i Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë (Grupi i Perëndimit).
Po ashtu, kontribut të rëndësishëm dha edhe Bujar Latifi, ish-lojtar i KF Shkëndija të Tetovës, anëtare e Superligës së Maqedonisë së Veriut, e më vonë edhe FC Concordia të Zvicrës.
Një tjetër emër i respektuar ishte edhe Hysen Bilalli, dikur qendërmbrojtës i pakalueshëm i Agromoravës dhe KF Borci, klub që më vonë u njoh si KF Ferizaj, sot anëtar i Superligës së Republikës së Kosovës.
Në fillim të viteve ’90, ky futbollist me përgatitje të jashtëzakonshme fizike ka luajtur edhe për disa skuadra të kantonit Vaud në Zvicër, si FC Saint-Légier, FC Forward-Morges dhe US Terre-Sainte .
Paraqitjet e tij të rregullta dhe loja cilësore në këto ekipe i mundësuan jo vetëm afirmim sportiv, por edhe rregullimin e dokumentacionit dhe qëndrimin e përhershëm në Zvicër.
Përforcim i madh për skuadrën FC Kosova të Gjenevës në atë kohë konsiderohen edhe vëllezërit Armend dhe Arben Selmani, sulmues të spikatur.
Veçanërisht Armend Selmani u dallua me paraqitjet e tij, duke luajtur me sukses edhe për Étoile Carouge FC, klub i njohur i Gjenevës që garon në Challenge League të Zvicrës.
Me fanellën e FC Kosova të Gjenevës debutuan gjithashtu një varg futbollistësh që lanë gjurmë në formimin dhe forcimin e skuadrës.
Ndër ta veçohet qendërsulmuesi efikas Halil Rrahmani, i njohur për instinktin e tij të golit dhe prezencën e përhershme në zonën kundërshtare.
Në portë u dalluan portierët shtatgjatë dhe të sigurt Reshat Kamberi dhe Bujar Ahmeti, të cilët i dhanë skuadrës stabilitet dhe besim në repartin defensiv.
Ndërkaq, në mbrojtje spikatën lojtarë me perspektivë dhe përvojë si Nexhat Xhymshiti – Xhimi, Behxhet Rexha dhe Samet Mjaku, të cilët formuan një linjë solide dhe të organizuar.
Kjo mbrojtje u plotësua me treshen e vëllezërve Bajrami, loja e të cilëve u ndërthur në mënyrë të shkëlqyer me futbollistët e ardhur, duke krijuar një harmoni të admirueshme në fushë.
Ngjitja e shpejtë dhe dominimi në ligat rajonale
FC Kosova e Gjenevës, pa konkurrencë serioze, arrin shumë shpejt të ngjitet një rang më lart në garat rajonale.
E përbërë nga lojtarë cilësorë dhe të përgatitur, skuadra i mposht kundërshtarët një nga një, me rezultate të thella dhe bindëse.
Si lider i grupit, kampionatin vijues e nis në Ligën e Katërt Rajonale të Gjenevës, ku vazhdon të dëshmojë superioritet të plotë.
Jo vetëm në terrenin vendas, por edhe si mysafire, kjo skuadër gjunjëzon rivalët e saj, duke imponuar ritmin dhe stilin e lojës.
Qendërsulmuesi Halil Rrahmani, si figurë kyçe e repartit të sulmit në këtë periudhë, pothuajse në çdo ndeshje tregohet vendimtar duke shënuar nga pozita të ndryshme dhe, në fund të kampionatit, renditet si golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i gjithë grupit.
Pa hasur pengesa, në sezonin 1999–2000, FC Kosova e Gjenevës siguron hyrjen në Ligën e Tretë Rajonale të kantonit të Gjenevës.
Edhe në këtë nivel, skuadra demonstron lojë të bukur dhe efikase, duke grumbulluar numrin maksimal të pikëve.
Epërsia e krijuar dy deri në tri javë para përfundimit të kampionatit ua siguron matematikisht titullin dhe ngjitjen e radhës.
Në fund të gushtit të vitit 2000, tashmë FC Kosova është anëtare e Ligës së Dytë Rajonale të Gjenevës.
Skuadra, e përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë, nis garat me dymbëdhjetë ekipet më të mira të këtij kantoni.
Mbështetja e komunitetit – shtyllë e suksesit
Sukseset e këtyre djemve të përkushtuar shoqërohen me përkrahje të fuqishme nga bashkatdhetarët.
Për skuadrën e zemrës nuk kursejnë asgjë afaristët shqiptarë që prej vitesh veprojnë në Gjenevë, duke kontribuar financiarisht dhe moralisht.
Po ashtu, nga ndeshja në ndeshje shumëfishohet numri i tifozëve.
Ata, si lojtari i dymbëdhjetë i skuadrës, nën tingujt e daulles dhe zurlës, krijojnë një atmosferë të vërtetë festive në stadiumet e shumta të kantonit të Gjenevës, duke e kthyer çdo ndeshje në një manifestim të krenarisë dhe identitetit.
Kulmi i suksesit dhe sfidat e vazhdimësisë
FC Kosova e Gjenevës arrin kulmin e suksesit dhe krijon emër të respektuar në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës.
Përveç paraqitjeve të shkëlqyera në kampionat, futbollistët e saj pesë herë arrijnë të luajnë në finalen e Kupës së Gjenevës, një arritje që dëshmon nivelin dhe qëndrueshmërinë e kësaj skuadre.
Këta lojtarë, së bashku me bashkëlojtarët e tjerë shqiptarë, me të drejtë mund të konsiderohen si një gjeneratë që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin gjenevas dhe e bëri krenare mërgatën shqiptare.
Sikurse çdo skuadër tjetër, edhe FC Kosova e Gjenevës ka kaluar nëpër momente krizash.
Megjithatë, ato u tejkaluan falë angazhimit të ish-futbollistëve veteranë si Fadil Haliti, Hysen Bilalli dhe Bujar Latifi, të cilët morën drejtimin e skuadrës në cilësinë e trajnerëve.
Ata ruajtën bërthamën e ekipit dhe e forcuan atë me elemente të reja cilësore.
Në këtë periudhë u angazhuan futbollistë të talentuar si Burim Terziu nga FC Drita e Gjilanit, Asmir Zeneli nga FC Meyrin, mbrojtësit perspektivë Liridon Heta dhe Liridon Imeri, mesfushorët Armend Zatriqi e Përparim Emerllahu, si dhe sulmuesit Alban Osmani e Ibrahim Fazlija.
Skuadra ruajti një formë stabile në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, ku garoi me sukses për plot 15 vjet – një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe organizimit të mirë.
Në vitin 2013, trajnerët Haliti, Bilalli dhe Latifi, nga dëshira për t’u krijuar hapësirë të rinjve, kaluan te veteranët, duke ia lënë vendin trajnerit nga Lezha, Durim Lika.
Në këtë fazë, klubi përfitoi edhe nga përvoja e lojtarëve profesionistë nga Superliga e Shqipërisë, si Florian Braho, Klodian Asllani dhe Elton Lika.
Florian Braho kishte një karrierë të pasur, duke luajtur për KF Luftëtari të Gjirokastrës, KF Kastrioti të Krujës dhe KF Partizani të Tiranës.
Ndërsa, Klodian Asllani ishte pjesë e KF Dinamo të Tiranës gjatë viteve 2005–2007.
Elton Lika, vëllai i trajnerit, kishte luajtur për KF Besëlidhja të Lezhës dhe KF Skënderbeu të Korçës.
Megjithatë, viti 2015 shënon një nga periudhat më të vështira për FC Kosova e Gjenevës, pas një qëndrimi të gjatë dhe të suksesshëm, largohet nga Liga e Dytë Rajonale.
Rikthimi pas rënies – organizim, vizion dhe sukses
Pavarësisht dëshpërimit që shkaktoi rënia në një rang më të ulët garash, FC Kosova e Gjenevës reagoi shpejt dhe me vendosmëri, duke konsoliduar radhët dhe duke rikthyer besimin te simpatizuesit e saj.
Rënia natyrisht shkaktoi pakënaqësi tek tifozët dhe komuniteti, por vëllezërit Salihu – sipërmarrës të suksesshëm – së bashku me Qamil Sejdiun dhe një grup bashkëpunëtorësh ndërmorën hapa konkretë për rikthimin e klubit në nivelin e mëparshëm.
Një ndër nevojat më urgjente ishte angazhimi i një trajneri profesionist.
Kjo detyrë iu besua profesorit të Edukatës Fizike nga Kosova, Musa Selimi.
Ardhja e tij në klub ngjalli shpresë për ringritje dhe rezultate pozitive, dhe kjo pritje nuk vonoi të konkretizohej.
Brenda një viti, në 2016, FC Kosova rikthehet në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, ku vazhdon të garojë edhe sot.
Megjithatë, pas emërimit të z. Selimi në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës, pozita e trajnerit mbeti sërish sfidë për klubin.
Në këtë situatë, përgjegjësinë e drejtimit të ekipit e mori MA. Sokol Salihu, ish-futbollist i klubit dhe njëherësh lojtar i Étoile Carouge FC.
Kurse me ekipin e dytë u angazhua Abaz Nivokazi, ndërsa me juniorët u mor lojtari Anton Grisha, i ardhur nga FC Tërbuni i Pukës, i cili njëkohësisht ishte edhe pjesë standarde e ekipit të parë.
Veteranët e skuadrës udhëhiqeshin nga ish-lojtari i njohur i klubit, Halil Rrahmani, duke ruajtur kështu lidhjen mes brezave dhe traditën e ekipit.
Në këtë periudhë, skuadra kishte në përbërje futbollistë të talentuar si Mërgim Osmani, ish-portier i FC Grand-Lancy, Erion Hoti, Blendim Gashi (i ardhur nga FC Drita-Gjilan) dhe Liridon Bajrami, ish-lojtar i FC Shkupi.
Formë të jashtëzakonshme tregoi edhe sulmuesi Arben Selmani, i cili në atë kohë mbante epitetin e golashënuesit më të mirë të skuadrës.
Ndërkohë, një talent i ri si Erdi Rexhepi, ndonëse vetëm 16 vjeç, tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera dhe premtuese.
Kur skuadra u ballafaqua me mungesë mjetesh dhe me rrezikun për shuarje të aktivitetit, në skenë u shfaq sipërmarrësi i suksesshëm Halil Rrahmani.

Ai, si një nga themeluesit e klubit dhe lojtar i dalluar përgjatë dy dekadave, prej vitit 2018 e deri në vitin 2024, në cilësinë e Presidentit të skuadrës, së bashku me shumë donatorë të tjerë shqiptarë, e mbajtën skuadrën stabile dhe me rol të rëndësishëm në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës.
Në asnjë mënyrë nuk duhet harruar edhe qendërsulmuesi i mirënjohur Drilon A. Paçarizi, i cili, përveç FC Kosova të Gjenevës, luajti edhe për skuadra të njohura zvicerane si FC Étoile Carouge, FC Locarno, FC Lugano dhe FC Le Mont.
Paçarizi, si golashënuesi më i suksesshëm i FC Lugano-s, kontribuoi që kjo skuadër tiçineze, pas 13 vjetësh, të rikthehej më 2015 në elitën e futbollit zviceran.

FC Kosova e Gjenevës aktualisht udhëhiqet nga zoti Fisnik Buci në cilësinë e Presidentit, si dhe nga dy zëvendëspresidentët, Burim Jahiu dhe Petrit Ramiqi. Në skuadër mbretëron një frymë e mirë bashkëpunimi dhe tolerance.

Falë këtyre elementeve, si kusht për suksese të reja, afaristë të suksesshëm në Gjenevë e mbështesin pa kursim klubin me donacione.
FC Kosova e Gjenevës ka futbollistë të shkëlqyeshëm; veçmas bie në sy qendërsulmuesi Festim Rrahmani, i cili më herët pati luajtur në FC Stade Nyonnais të Nyonit.
Ai disa herë është shpallur golashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë Rajonale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

FC Kosova e Gjenevës meriton përkrahjen tonë të parezervë në ndeshjen finale të Supërkupës së Kosovës, e cila do të zhvillohet më 9 maj 2026 kundër skuadrës së Prishtinës, në të cilën dikur luajtën yje të futbollit si Fadil Vokrri, Kujtim Shala, Fadil Muriqi, Favzi Rama, Faton Domi, Isa Sadriu, Agim Cana etj.
Ndeshja luhet në Stade des Arbères, Meyrin, të Gjenevës dhe fillon në ora 16:00.
ARIF EJUPI





