Protesta për Gjuhën Shqipe në Shkup – një alarm që duhet ta dëgjojnë Tirana dhe Prishtina

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga rrugët e Shkupit këtë të hënë u ngrit edhe njëherë zëri i mijëra studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, të cilët marshuan për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Protesta, e dyta pas organizimit të 6 prillit, nisi me kërkesën konkrete që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën amtare, por mesazhi i saj ishte shumë më i thellë: shqiptarët nuk pranojnë më nënvlerësimin institucional të gjuhës dhe identitetit të tyre.

Marshimi nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë nuk ishte vetëm një protestë studentore. Ai ishte një thirrje qytetare dhe kombëtare për dinjitet, barazi dhe respekt kushtetues. Kur një popull detyrohet të protestojë për të drejtën e përdorimit të gjuhës së vet në institucione shtetërore, atëherë problemi nuk është vetëm administrativ, por politik dhe kombëtar.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktor shtetformues dhe kanë paguar shtrenjtë për të drejtat e tyre. Shumë nga këto të drejta janë fituar me sakrificë, me rezistencë politike dhe me luftë. Pikërisht për këtë arsye, çdo cenim apo relativizim i tyre duhet të alarmojë jo vetëm shqiptarët atje, por edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare.

Sot shtrohet me të drejtë pyetja: ku janë institucionet shqiptare? Ku është reagimi i Shqipërisë dhe Kosovës përballë zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? A mjaftojnë vetëm deklaratat diplomatike dhe heshtja politike përballë një pakënaqësie kaq të madhe qytetare?

Është shqetësuese që studentët po ndihen të vetëm në mbrojtjen e një të drejte elementare, ndërkohë që Tirana dhe Prishtina shpesh tregohen të vonuara ose indiferente ndaj proceseve që zhvillohen në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë. Heshtja institucionale krijon përshtypjen sikur çështjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut trajtohen vetëm si problem lokal, kur në fakt ato janë çështje kombëtare.

Nëse sot nuk reagohet për gjuhën, nesër mund të vihet në pikëpyetje vetë pozita politike dhe kushtetuese e shqiptarëve atje. Prandaj protestat e studentëve nuk duhen parë si një revoltë e zakonshme rinore, por si një sinjal serioz se barazia e premtuar ende nuk është bërë realitet.

Tirana dhe Prishtina duhet të flasin qartë. Duhet të kërkojnë respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, zbatimin pa ekuivoke të statusit të Gjuhës Shqipe dhe trajtimin e shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Diplomacia shqiptare nuk mund të jetë spektatore kur cenohen të drejtat kombëtare.

Studentët në Shkup treguan se vetëdija kombëtare nuk është shuar. Ata ngritën zërin për gjuhën, identitetin dhe dinjitetin. Tani është radha e Tiranës dhe Prishtinës të dëshmojnë nëse do të jenë në anën e këtij zëri apo do të vazhdojnë heshtjen.

Gjenevë, 19.05. 2026                           Nexhmije Mehmetaj

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img