Shkruan Blerim Rreci
Platforma informative, edukative e kombëtare Prointegra.ch e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër është mbyllur për mungesë mjetesh financiare. Dhe ky është lajmi jo i mirë që mora. Kjo webfaqe që ka funksionuar tash e sa kohë, ka qenë një shembull për të mirë në skenën mediale.
Në këtë faqe interneti kemi lexuar për aktivitetet kulturo-artistike e rekreative-sportive në diasporën shqiptare në Zvicër e më gjerë.
Në të kemi lexuar për të arriturat dhe sukseset e njerëzve në lëmi e profesione të ndryshme.
Kemi lexuar veprat solidare e humane, për vepërmirët e zemërgjerët.
Kemi lexuat për heronjtë e heshtur e për përbashkuesit e përafruesit e kombit.
Kemi lexuar për heronjtë e dëshmorët, të epokave të ndryshme deri tek më të fundit. Kemi lexuar për përpjekjet e mësuesve, edhe të atyre që gjatë Luftës së Dytë Botërore mbajtën gjallë arsimin kombëtar të të gjitha viset e tij.
Lexuam për daljen krah njëri tjetrit, ndihmën e pakursyer për luftën e strehimin në çdo kohë, e deri te ajo vendimtare në procesin e frymëmarrjes kombëtare deri në luftën e fundit të udhëhequr nga bijtë e bijat më të mirë në Kosovë e viset e tjera shqiptare.
Kemi lexuar për veprat që kanë dalë në dritë, qofshin ato libra shkencorë, dokumentarë, publicistikë, letrarë…
Kemi lexuar për ekspozita pikture e fotografie, filma, shfaqje, projekte muzikore e aktivitete nga më të larmishmet. Kemi lexuar për vlerat materiale e shpirtërore.
Kemi lexuar për arbëreshët, për kalatë, për vallet, për natyrën e bukur, për detërat, lumenjtë, fushat, bjeshkët, pyjet, parqet.
Kemi lexuar për hallet, problemet dhe për përpjekjet që të kemi një atdhe e një komb me sa më shumë hapësira e zhvillim të gjithmbarshëm politiko-ekonomik-social e kulturor.
Prointegra.ch ashtu siç e ka edhe emrin vuri themele të forta e të qarta përafruese mes shqiptarëve dhe mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë duke i dhënë shije e sharm diversitetit të vlerave dhe duke respektuar dallimet e të përbashkëtat me kulturave të popujve të ndryshëm.
Artikujt, fejtonet, reportazhet, shkrimet, poezitë, tregimet, fotografitë, ilustrimet, videot, janë e mbesin e një pune plot përkushtim e dashuri.
Ky projekt medial e ambicioz në shërbim të lexuesve është një shembull që la shenja të ndritshme, rrezatimi i të cilave na bëri e na mban bashkë dhe na frymëzon për të cur përpara…





