Besimtarët myslimanë në Lozanë të Zvicrës kremtuan festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam. Nën organizimin e Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë, dhjetëra familje dhe besimtarë shqiptarë nga Lozana dhe qytete të tjera të Zvicrës u mblodhën për faljen e namazit të Bajramit dhe për të ndarë gëzimin e kësaj dite të shenjtë. Falja e namazit dhe kremtimi i kësaj feste u përcoll drejtpërdrejtë nga televizioni shqiptar i mërgatës Alb’swiss TV me seli në Gjenevë, ku bëri që kjo festë të depërtonte në çdo vatër shqiptare në mërgatë, por edhe gjithandej nga jetojnë shqiptarët.
Atmosfera festive u karakterizua nga mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti mes njerëzve. Besimtarët uruan njëri-tjetrin për Kurban Bajramin, duke theksuar rëndësinë e afërsisë me familjen, komunitetin dhe njerëzit në nevojë.
Kjo festë simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe ndihmën ndaj të tjerëve. Përfaqësues të organizimit theksuan se feja islame i udhëzon besimtarët drejt mirësisë, respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë urrejtjen dhe përçarjet.

“Ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, të bëjmë vepra të mira për shoqërinë dhe të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë. Kurban Bajrami është festë e paqes, solidaritetit dhe shpresës”, u tha gjatë kremtimit.
Në mesazhet e përcjella gjatë kësaj dite të shenjtë, u theksua rëndësia e ruajtjes së vlerave familjare dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet njerëzve. Besimtarët u ftuan të tregojnë më shumë mirëkuptim, respekt dhe mbështetje për njëri-tjetrin, sidomos në kohë sfidash dhe vështirësish.
Po ashtu, u bë thirrje që kjo festë të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë, duke kujtuar se solidariteti dhe humanizmi janë vlera që e bëjnë më të fortë një shoqëri. Ndihma për familjet në nevojë dhe kujdesi për të moshuarit dhe të pambrojturit mbeten ndër mesazhet kryesore të Kurban Bajramit.
Besimtarët shprehën lutje që paqja, harmonia dhe begatia të mbizotërojnë në familjet shqiptare dhe në mbarë botën, duke uruar që kjo festë të sjellë më shumë dashuri, mirësi dhe bashkim mes njerëzve.
Edhe këtë vit, besimtarët në Lozanë e shënuan këtë festë me lutje, të bashkuar dhe aktivitete humanitare, duke përcjellë mesazhe paqeje, tolerance dhe mirëkuptimi për mbarë botën./Alb’swiss TV/





