Albulena Haxhiu: Vettingu prioritet, s’do t’i marrim parasysh opsionet e qeverisjes Hoti – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Lajme

Albulena Haxhiu: Vettingu prioritet, s’do t’i marrim parasysh opsionet e qeverisjes Hoti

albulena-haxhiu:-vettingu-prioritet,-s’do-t’i-marrim-parasysh-opsionet-e-qeverisjes-hoti

Haxhiu: Vettingu prioritet, s’do t’i marrim parasysh opsionet e qeverisjes Hoti.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta ketë prioritet vettingun në sistemin e drejtësisë dhe këtë premton se do të nis ta realizojë posa ta marrë mandatin qeverisës. Mirëpo, kjo parti politike nuk do të merr parasysh katër opsionet për vetting që janë hartuar nga grupi punues gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas disa muajsh pune, grupi punues kishte propozuar katër opsione për vetting, ku opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese, opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vettingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër, ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e vetting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.

Albulena Haxhiu, që ka qenë ministre e Drejtësisë në qeverinë Kurti 1, thotë se vettingun e kanë prioritet dhe se e shohin si qelës për ta kthyer sistemin e drejtësisë në shërbim të qytetarëve.

Haxhiu thotë se procesit të verifikimit përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Nuk do të jenë si pikë reference, jo pse dua ta neglizhoj punën e tyre, por se në programin tonë qeverisës, ne si me thënë parashohim diçka tjetër në raport se si në Kosovë duhet të bëhet vettingu. Po them edhe një herë, raporti në fjalë nuk është si me thënë dokument i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të qartë se si në Kosovë duhet të bëhet vettingu, prandaj edhe personat të cilët kanë punuar në këtë grup padyshim që do të ftohen në grupet punuese, sepse Ministria e Drejtësisë nuk ka interes të punojë me një mungesë transparence, pra do të jetë transparente sepse kështu e obligon edhe rregullorja e punës së qeverisë. Do të ftohen grupet e interesit, do të ftohet pra shoqëria civile, do të ftohen përfaqësuesit e prokurorisë, gjykatave, policisë dhe të tjerë, por edhe ekspertë të tjerë pa të cilët padyshim se do të jetë e vështirë që të adresohet”, thotë ajo.

Haxhiu thotë se nuk do të ketë një grup të ri të ekspertëve, siç e kishin formuar gjatë kohës sa kanë qeverisur me vendin, por që e gjithë puna për vettingun do të nis në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë.

“Pa dyshim që ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët janë të interesuar të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, por që kjo do të niset në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë ku do të ftohen të gjithë që janë të interesuar që të punojnë në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme”, thotë ajo.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë qenë pjesë e grupit punues gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, thonë se nuk ka asnjë arsye që raporti i punuar nga ata të mos merret parasysh.

Florent Spahija, që ka qenë kryesues i grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për vetting, thotë se qeveria e re duhet të merr shumë seriozisht raportin që ata e kanë përgatitur.

Ai thotë se rekomandimet që i kanë dhënë si grup punues, janë pranuar edhe nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, po edhe nga shoqëria civile.
“Konsideroj që subjekti politik që ka fituar këto zgjedhje dhe që do ta bëjë qeverinë e re këtë rast duhet ta merr shumë seriozisht raportin e vettingut për shkak se është një raport i cili përmban rekomandime të cilat janë pranuar nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial dhe nga gjyqtarët e prokurorët, pra edhe nga shoqëria civile, kështu që, mendoj që e kanë shumë të lehtë edhe shumë të mundshme realizimin e ndonjë nga skenarët. Unë kisha me thënë që skenari tre dhe katër janë më të mundshmit të realizueshëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila punën për realizimin e këtyre skenarëve duhet ta nis menjëherë që të arrijë sukses në një periudhë së paku deri në përfundim të mandatit të parë, ta arrijë suksesin dhe të tregojë diçka në ndonjë nga pozitat, qoftë tek prokurorët, qoftë me gjyqtarët për fillimin e vettingut”, thotë ai.

Se grupi punues ka bërë punë të mirë në hartimin e modaliteteve për vetting e thotë edhe Genc Nimoni nga organizata Çohu. Sipas tij, në atë raport janë vendosur edhe afate se kur duhet të ndodh vetingu.

“Është bërë një punë e mirë nga grupi punues, në veçanti me këto dy skenarët e fundit që ka të bëjë me verifikim të integritetit dhe të dijës profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve…Aty përveç arsyeve që janë vendosur gjithashtu janë vendosur afatet brenda së cilës kohë duhet të ndodh ky vetting dhe duhet të përfundohet. Mandej, në qoftë se e marrim dhe e shikojmë skenarin tre dhe katër dhe kombinohen skenari tre dhe katër, atëherë kjo do të ishte një zgjidhje edhe më e mirë për faktin se përveç një vettingu gjithëpërfshirës fillestar që do të fuste të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe të tjerët. Gjithashtu do të përkujdesej që në të ardhmen të ndërtohet një mekanizëm i përhershëm i cili do ta bëjë këtë verifikim në periudha të rregullta”, thotë ai.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, kishte themeluar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me ç’rast ky grup ka dorëzuar raportin që përfshin katër skenarë të cilët mund të përdoren.

Pjesë e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për vettingun të votuar në Qeverinë e Kosovës ishin përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor e Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsion, Policia e Kosovës, AKI, Oda e Avokatëve të Kosovës. Ndërsa pjesë e grupit në rolin e këshillëdhënësit janë përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës, Misioni i OSBE dhe përfaqësues të tjerë nga Shoqëria Civile.

Edhe qeveria që ishte udhëhequr nga Albin Kurti kishte formuar grupin e ekspertëve për të njëjtën çështje, por që pas rrëzimit të qeverisë kanë dhënë dorëheqje.

Të ngjajshme

Nesër nis aplikimi i çmimores së re për parkimin e veturës në qendrën e Prishtinës

albswiss.com

Lutfi Haziri humbi garën për të parin e partisë, ky është reagimi i dy zyrtarëve të LDK-së

albswiss.com

Arrestimi i drejtorit të të KPK-së dhe një personi tjetër, policia jep detaje

albswiss.com