fbpx
17.8 C
Geneva
Tuesday, October 1, 2024

Ambasada në Izrael mbetet në duart e Kurtit

Për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Izraeli dhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, është shprehur qartë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kjo është shprehur edhe në letrën që ai ia ka dërguar kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu.

Deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje vijën pas debatit të krijuar në opinionin vendor dhe ndërkombëtar, ku janë ngritur dyshimet nëse Kosova do të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, pasi që ky subjekt politik të formojë qeverinë e re të vendit, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të vendit është lideri i saj, Albin Kurti.

Në deklaratën e dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka thënë se lidhur me vendndodhjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, Kurti ka qenë mjaft i qartë.

“Në lidhje vendndodhjen e Ambasadës, zoti Kurti ka qenë korrekt, konsistent dhe transparent në qëndrimet e tij, duke thënë se ajo është një çështje që do të trajtohet nga qeveria e re pasi të jetë konsultuar dokumentacioni i qeverisë në detyrë. Ky është një veprim i rëndësishëm para një vendimi të qeverisë së tij për këtë çështje. Si kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, zoti Kurti është interesuar që të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin me partnerët e vendit tonë”, ka thënë Kryeziu.

Hapja e Ambasadës në Jerusalem është e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtual, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë Ambasadën në Jerusalem.

Ambasada turke në Prishtinë, kishte kundërshtuar më herët hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Bashkimi Evropian, më 2 shkurt të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

Po ashtu, edhe Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”.

Dyshimet

Në takimin e 1 marsit mes liderit të LVV-së dhe ambasadorit turk në Prishtinë, Çağri Sakar, Kurti pati paralajmëruar se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet do të vendoset Ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke shtuar se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”.

Dyshimet se Kosova mund të mos e hapë Ambasadën në Jerusalem, ishin ngritur edhe nga shtypi perëndimor. Associated Press ka shkruar se Kurti është gjetur në pozitë të vështirë diplomatike para marrjes së detyrës të kryeministrit, e pas marrëdhënieve diplomatike qe shteti tij ka vendosur me Izraelin. Tekstin e AP- së me titull “Pas rezistencës nga Turqia, Ambasada e Kosovës mund të mos jetë në Jerusalem”, e ka publikuar po ashtu The Times of Israel edhe e përditshmja izraelite, Haaretz.

Ky artikull është thirrur në një komunikatë të LVV-së lidhur me takimin e Kurtit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar.

Porositë për Kurtin dhe përgjigjet e tij

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bazuar në të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albin Kurti kishte marrë letra urimi nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”.

Në anën tjetër, Erdogan i ka shkruar Kurtit se është i gëzuar që mësoi qëndrimin e tij “për rishqyrtimin e zotimit” për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në rast të ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri. Erdogan e ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Por, bazuar në deklaratën e dhënë Radios Evropa e Lirë nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Kryeziu, del se qeveria e re e vendit do ta “trajtojë” këtë çështje dhe jo ta shqyrtojë, pasi që të jetë konsultuar dokumentacioni i qeverisë në detyrë.

Për më shumë, Kryeziu ka theksuar se Kurti e ka bërë të qartë se njohja nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me këtë vend, “paraqet një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e vendit dhe krijimin e partneriteteve të reja në rrafshin politik, ekonomik dhe kulturor”.

“Këtë e ka thënë (Albin Kurti) nga dita e parë. E njëjta është e shprehur edhe në letrën të cilën ia ka dërguar kryeministrit të Izraelit, zoti Natanyahu e ku zoti Kurti vendos theksin te marrëdhënia historike mes kombit shqiptar dhe komunitetit hebre”, ka theksuar Kryeziu.

Vetë Albin Kurti, u ka shkruar letra falënderuese kryeministrit izraelit, Netanyahu dhe presidentit turk, Erdogan.

Në letrën e tij për Netanyahun, Kurti e ka falënderuar për ftesën që ai ia ka bërë për ta vizituar Izraelin, duke thënë që këtë “do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”.

Ndërkaq, presidentit turk Erdogan, Kurti i ka shkruar se synon që pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, “të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img