-11.4 C
Geneva
Monday, January 30, 2023

Dedikim për Xhevat Qerimin: Të njoha në zjarret e luftës, në mesin e turmave

Shkruan Izmi Zeka

Ikën 30 vjet, shoku im, tani hero Xhevat Qerimi. Ato vite të rënda ku nata rëndonte mbi kurrizin tuaj.

Të kujtohen shoku im shëtitjet në Prishtinë, bisedat e gjata e të pafundme për lirinë e Kosovës, për studimet, për mensën e studentëve, konviktet, për bukuroshet që rrallë shiheshin në kafiteritë e Prishtinës.

Netët e gjata e plot zjarr sa lexonim Kadarenë, Qosjen e dilnim te Zëri i Kosovës, Rrugët e Lirisë e pastaj vazhdonim literaturën e studimeve.

Eh, net të gjatë e ditë sa s’bënë.

Bregu i Diellit, Vranjevci, Dragodani… Rrugicat e Prishtinës ishin dhimbje të saj kohe.

Ai shikimi në sy, përballja me kohën ishin rutinë të jetës dhe zymtësinë që sillte egërsia e regjimit.

A të kujtohen këngët, traktet, komunikatat, debatet e pafundme përbri konvikteve…kur aq me shpirt flisje për Rexhep Malën e Nuhi Berishën, për Afrimin që e njohe.

Unë të njoha në zjarret e luftës, në mesin e turmave. Edhe tani kur po shkruaj po më duket sikur po të shoh duke ngritur zërin “Kosova Republikë”.

Prishtina, herë e heshtjes e herë e zhurmës, ishte bërë e padurueshme. Vlonte policia dhe ushtria serbe sa andej e sa këndej.

Rrahje, burgosje kudo. Ata nuk zgjidhnin. Na vrisnin vetëm pse kërkonim të jetonim të lirë.

Ti kishe fituar lirinë në shpirtin tënd.

Bisedat e gjatat të viteve 1985-1993, vrapi për të arrirë lirinë e premtuar, sikur shpesh na mbetej në sirtarët e librave të lexuar.

Ato ditë e net të ikura e kur koha na gërryente dalngadalë, ato ditë kurë në luftë të pabarabartë me policinë serbe u vranë Afrim Zitia e Fahri Fazliu, atëherë kur nga kjo botë iku Fadil Vata, ti shoku im sa krenar flisje. Edhe Qemal Stafën shpesh e përmendje. Ishte i ri Qemali, thoshe.

Sa ndjehesha i fuqishëm kur flisje për qëndresën e Rexhep Malës, sa shumë i adhuroje heronjtë, dijetarët, ata që luftuan pandërprerë.

E shpesh kur bisedonim më thoshe: “Sa luftën e kanë bërë shqiptarët, sa shtypje ka pasur ky popull dhe kurrë nuk u dorëzua…” e vazhdonim tutje duke projektuar Kosovën e lirë, Kosovën bashkë me Shqipërinë.

Shumë herë ndodhte, shoku im, kur harronim që policia dhe ushtria serbe shëtitej poshtë-lart e ne ecnim sikur të ishim të lirë.

Nuk e di as vetë por kur isha me ty edhe unë ndjehesha i lirë, i ditur, i fuqishëm dhe në ëndrrat e mia sikur fluturoja e shihja atë buzëqeshjen tënde të rrallë, por plot buzagaz.

Prishtina, amaneti i brezave, i studentëve dhe vlimit shqiptar, shoku im, në ato kalldërmat e shëtitjes, e atij burrit këmbëkryq në qytet e atyre demonstratave pambarim, plagosjeve e i gazit lotsjellës, e atij bliri në qendër të qytetit… Jeta shkroi historinë tënde.

II
A të kujtohet shoku im Gjilani i Idriz Seferit, Mulla Idrizit, Kadriut, Rexhepit, Nuhiut. Ato rrugica që nuk lamë cep pa i shkelur.

Sa mirë, sa ëmbël e sa me dashuri flisje për Kosovën e Shqipërinë.

Atë ditë kur ti, bashkë me shumë të tjerë, bëre atë që vështirë të bëhej nga rrethimi i hekurt në vitin 1989.

Parku i qytetit, aty tek luftëtari i panjohur kur u takuam bashkë me shokë për të rinisur pas 81-shit historia e re e Kosovës.

Aty kur zëri yt kumboi lart e më lart “Rroftë Kosova Republikë”.

Të rinj e të reja, pleq, nëna e baballarë brohorisnin pa ndalë, kur kordoni i policisë  dhe vrazhdësia e tyre ishte e rëndë.

Sa e dhimbshme ishte shoku im kur ushtari serb gjuajti breshëri plumbash mbi Agimin, Reshatin. Sa dhimbje kishim.

Qyteti që ti nuk u ndale, ushtonte nga brohoritja e të rinjve, sa te shkollat e mesme, në Dardani, Stacioni i autobusëve… I tëri dukej sikur është mbuluar me vellon e nusërisë.

Shpërndarja e trakteve, komunikatave pas vrasjes së Agim Rashitit e Reshat Ymerit. Lavdia e rënies së tyre sikur i dha pamje tjetër Gjilanit.

Në atë okupim klasik, kortezhi i varrimit të Reshat Ymerit kishte vërshuar qytetin e dhimbjes.

Nuk mbahej mend një numër aq i madh pjesëmarrësish sikur në varrimin e Reshat Ymerit.

Rrethi i Prishtinës, ato tjegullat në Dardani, ti i ktheve në përpjekje për liri.

Gjilani, Kamenica dhe Vitia të deshën si djalin e tyre. Ti mbajte gjallë frymën atdhetare.

Lëvizja ilegale në Anamoravë, shoku im mban mend një emër që e organizoi dhe i dha frymë rrugës pa kthim për lirinē tonë.

Aty ku Rexha e Nuhiu e lanë, ti e vazhdove amanetin e tyre. Ti u betove para varreve të heronjve me atë shikimin tënd.

Ti na bëre bashkë të gjithëve. Aty ishte Ahmet Isufi, Ahmet Demiri, Irfan Musmurati, Zenun Pajaziti, Tefik Zymberi, Hanumshahe Abdullahu, Fekrije Berisha, Mujedin Zylfiu, Ismet Sylejmani, Ahmet Alia, Sadik Berisha, Ruzhdi Berisha, Ismet Tafili e shumë të tjerë  që këtij karvani nuk iu ndalën deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ti bërë historinë përgjatë jetës së shkurtër që kishe.

Ideali thonë i bashkon njerëzit, por heronjtë kishin diçka të veçantë në idealin e tyre.

Shqipëria bashkë me Zahir Pajazitin ju priti së fëmijët e tyre. Ti herët e kuptove se për liri duhet luftuar.

Shkove në ushtrime ushtarake në Shqipëri, kur jeta ishte në fije të perit. Por ti kishe amanetin e heronjve të kombit, Kadriut, Rexhepit dhe Nuhiut.

Sa herë flisnim për Revolucionin Borgjez Francez, ktheheshim te Rilindësit e nata na zinte në teatrin abstrakt të kohës që Kulla e Eifellit, as mrekullitë e botës nuk zinin vend nga vrasjet, përdhunimet, torturat e që ishin përditshmëri e kohës.

Edhe ëndrrat mbyteshin nga netët e rënda dhe rrugët herë-herë dukeshin pa dalje.

Sa shumë e doje jetën heroi ynë. Mbase, të pavdekshmit, pa dallim e duan jetën, por liria e shpirtit për të gjithë ata është vetë jeta e tyre.

Car Llazari dhe teatri i qytetit dukeshin dy botëra të ndryshme. Ana tjetër luftëtari i panjohur një shtatore që si duket ishte një i panjohuri në një luftë të askujt.

Shkuan 30 vjet shoku im. Atë ditë të 10 janarit 1990 ike pa thënë lamtumirë. Nuk ishte zakon yti. Ike pa përqafim, as pa bërë zë në dimrin e acartë. As dy bukurosheve që i kishe për shpirt, nuk ju bëre zë. As gruas që të zgjodhi për zemër në atë kohë pa kohë.

Ike sikur në balada, në këngët e kreshnikëve as nuk e ktheve kokën mbrapa.

Ndoshta unë vetëm po shkruaj në këtë kohë dimri dhe tani që jemi të lirë, për atë liri që ti më flisje, për lirinë jo abstrakte, për atë lirinë që ti e idealizoje aq mirë.

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img