“Koftë mirë e veç marë e mirë shkoft ky ven”, ishin fjalët e para të Nanës Qamë sapo hyri në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, duke sjellë me vete bekimin e një nëne që historisë së Kosovës i dha më të shtrenjtin e saj.
Ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih u pushtuan sot nga një emocion i veçantë dhe një ndjenjë e lartë krenarie. Mysafirja e nderit ishte një grua që mishëron forcën, sakrificën dhe qëndresën shqiptare – Qamile Rexha – Zhitia, nëna e Heroit të Kombit, Afrim Zhitia.
Në një pritje plot respekt dhe mirënjohje, përfaqësuesit e konsullatës e cilësuan këtë takim si një nder të jashtëzakonshëm, duke e përshkruar Nanën Qamë si simbolin e madhështisë njerëzore dhe atdhetare.
Liria ka emër dhe sakrificë
Takime të tilla shërbejnë si një kujtesë e gjallë se liria që gëzojmë sot nuk erdhi rastësisht. Ajo është e larë me gjakun dhe dhimbjen e bijve më të mirë të Kosovës, por edhe me lotët e krenarisë së nënave që nuk u dorëzuan kurrë.
“Pas çdo heroi qëndron një nanë e fortë, një zemër e thyer, por krenare. Një grua që ka ditur ta japë gjithçka, madje edhe më të shtrenjtin e saj për atdheun,” u tha gjatë takimit, duke vënë në dukje rolin e pazëvendësueshëm të nënave shqiptare në rrugëtimin tonë kombëtar.
Afrim Zhitia: Frymëzim i pashuar
Afrim Zhitia mbetet përjetësisht simbol i atdhedashurisë, guximit dhe sakrificës sublime. Ai është një frymëzim i pashuar për brezat e tërë, ndërsa Nëna Qamile sot qëndron si dëshmi e asaj force fisnike që karakterizon nënat e dëshmorëve – të palëkundura dhe me kokën lart.
Nënat si Qamile Zhitia kurrë nuk u trembën dhe nuk kursyen asgjë kur në pyetje ishte liria dhe dinjiteti i kombit. Sot, institucionet e Kosovës në mërgatë, siç është Konsullata në Cyrih, i përulen kësaj sakrifice me mirënjohjen më të thellë.
“Faleminderit, Nëna Qamë! Republika jonë do t’ju jetë gjithmonë mirënjohëse!” – ishte mesazhi përmbyllës i kësaj vizite që do të mbetet gjatë në kujtesën e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër./Alb’swiss TV/





