Vdekja e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, ka prekur shqiptarët anekënd globit. Në statuse të panumërta, në rrjetet sociale, në shkrime e artikuj gazetaresk, asaj i thurren lavde për përkushtimin për paqe e demokraci, kudo në botë.
Udhëheqësit më të lartë shtetëror, simodos, i janë mirënjohës e falënderues për angazhimin dhe kontributin e saj në realizimin e lirisë dhe paqes në Kosovë, në vitin 1999.
Këto janë disa nga deklaratat e liderëve tanë që shpërfaqin respektin e shqiptarëve për ish-sekretaren Albright:
Vjosa Osmani: “Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë”.
Albin Kurti: “Do të na mungosh zonja sekretare!”.
Konjufca: “Prehu në paqe mikja jonë e çmuar dhe e paharruar, Albright”.
Edi Rama: “Gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës”.
Ndryshe, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, thanë se vdekja e Madeleine Albright është një humbje e madhe për botën.
Madeleine Albright gjatë administratës së Bill Clintonit shërbeu fillimisht në postin e ambasadores në Kombet e Bashkuara dhe më pas më 1997 u emërua në postin e sekretarit të shtetit.
Gjatë vizitës së saj në Kosovë, më 2019, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë, Albright kishte deklaruar se vendimi ishte i drejtë. Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar atë me “Urdhrin e Lirisë”./albswiss.com/