20.2 C
Geneva
Wednesday, July 27, 2022

Festivali Folklorik i Polifonisë nga data 3 – 5 qershor 2022 në Pilur dhe Nivicë

Isuf Ismaili: Festivali Folklorik i Polifonisë nga data 3 deri në datën 5 qershor 2022 në Pilur dhe Nivicë

Titullohet : “Netët e Bejkës së Bardhë”

Festivali Folklorik i Polifonisë, apo ta themi sa më shqip, Festivali Folklorik i Këngës Shumëzërëshe të Jugut të Shqipërisë, do të fillojë sot, më 3 qershor 2022 në Pilur të Vlorës e në Nivicë të Tepelenës. Ky Festival organizohet, së pari nga poeti, folkloristi e atdhedashësi i flaktë Kristo Çipa, nga Bashkia e Himarës e këtë vite në organizimin e mbështetjen e këtij Festivali merr pjesë edhe Bashkia e Tepelenës.

Festivali mbahet edhe për ruajtjen e kultivimin e traditave e vlerave folklorike dhe të këngës shumëzërëshe (iso – polifonike) të Jugut të Shqipërisë, por edhe për të nderuar jetën e veprën e poetit të pavdekshëm piluriot, folkloristit e njeriut të shkëlqyer dhe atdhedashësit shembullor Lefter Çipa.

Festivali ka karakter të veçantë, një ecuri e vazhdimësi të traditës e vlerave folklorike shqiptare e të këngës shumëzërëshe labe.

Siç na njofton, organizatori dhe poeti i shquar piluriot Spiro Çipa, Festivali do të fillojë në Nivicë, në orën 15. Do të nisë në Nivicë për arsye se Nivica është jo vetëm një vend i bukur malor i Labërisë, por edhe një nga trevat, ku janë ruajtur e kultivuar disa veçanti të traditave shqiptare labe, por edhe për arsye se, tanimë, janë bërë rrugët shumë të mira nga Tepelena deri në Himarë, një nga trevat që janë “palca e polifonisë labe”, siç shprehet kaq bukur poeti Kristo Çipa.

Në Nivicë do të bëhet parakalimi i tufave të blegtorisë, ku edhe është riti i saj i lashtë, i njohur në të gjithë Shqipërinë, për shtegtimin e tufave të bagëtisë drejt maleve. Tufat përgatiten me zilet dhe këmborët e zbukurimet e ndryshme si: zbukurimi i cjapit, dashit përçor, bejkës së bardhë, por edhe njerëzit do të vishen me kostumet e bukura kombëtare, karakteristike labe. Më pas në mbrëmje do të fillojnë aktivitetet të tjera në Pilur. Aty do të parakalojnë grupet polifonike si dhe do të marrë pjesë e do të përshëndesë edhe ansambli “Shota” nga Kosova. Do të konkurrojnë rreth 22 grupe polifonike.

E veçanta e këtij Festivali do të jetë me disa vlera që duhet t’i plotësojnë grupet polifonike, siç janë: një këngë me tekst të ri, një këngë e vjetër e paparaqitur më parë pastaj paraqitja e ndonjë riti si ai i bagëtive, i martesave, i peshkimit etj. Kjo do të bëhet gjatë tri netëve të Festivalit. Do të përurohet edhe Muzeu i Fjalës, që i kushtohet poetit Lefter Çipa, me titullin “Nder i Kombit”. Do të përurohen edhe Muzeu i polifonisë dhe blegtorisë. Po sot, do të ketë edhe paraqitje të grupeve polifonike në Nivicë. Festivali do të mbyllet natën e datës 5 qershor 2022 në Pilur.

Të dhënat janë marrë nga Kristo Çipa, vëlla i poetit piluriot Lefter Çipa.

Të shënojmë në fund të këtij shkrimi, se Labëria është një nga trevat e shqiptare e veçantë dhe e mrekullueshme, ku e ka zanafillën kënga shumëzërëshe karakteristike, e veçantë, e shkëlqyer edhe për nga ndërtimi artistik edhe për nga vlerat përmbajtjesore edhe për nga tingujt e shumëzërësh. Këngë të tilla dhe vlera të tilla muzikore nuk gjenden askund në botë e as në trevat të tjera shqiptare.

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img