Fillon procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.
Në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, nga sot ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publik janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/51, për respektimin e masave të përgjithshme dhe specifike nga pandemia COVID-19, rekomandimeve të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë do të behet nëpërmjet formës elektronike në email adresën akk.deklarimi@rks-gov.net, ndërsa formularët e deklarimit të pasurisë duhet të dërgohen të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruse.
Agjencia kundër Korrupsion ka dërguar njoftimin tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (zyrtarët kontaktues për deklarimin e pasurisë) që të bëjnë deklarimin e pasurisë sipas afateve kohore të përcaktuara me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave nga data 01 deri më 31 mars 2020.
Në njoftimin dërguar në Institucionet publike, Agjencia Kundër Korrupsion ka rikujtuar gjithashtu se mos- deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik dhe mosrespektimi i ligjit nr. 04/L-050, si dhe ligjit nr. 04/L-228 për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, Agjencia kundër Korrupsionit do paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal.
“Për informata më të detajuara rreth subjekteve deklaruese dhe listës e zyrtarëve të cilët janë të obliguar ta bëjnë për deklarimin e pasurisë, ju lutemi, vizitoni ueb faqen zyrtare të AKK-së”, thuhet në njoftim.