Revista prestigjioze Forbes ka shkruar për zhvillimiin e hovshëm teknologjik në Kosovë, duke e cilësuar transformimin e teknologjisë si diçka të jashtëzakonshme, transmeton Gazeta Express.
Forbes është koncentruar në shkallën e përparimit që Kosova ka bërë në 20 vitet e fundit dhe në sasinë e talentit, veçanërisht në teknologji.
Sipas gazetës, Kosova jo vetëm që është vendi më i ri në Evropë, por është gjithashtu një vend i dominuar tërësisht nga të rinjtë. Me një moshë mesatare 26 vjeç, ajo ka popullsinë më të re nga të gjitha vendet evropiane.
“Në epokën digjitale, të kesh një popullsi të re të jep një avantazh të konsiderueshëm Kam vërejtur gjithashtu se edukimi i IT-së (Teknologjisë informative) në Kosovë fillon që në moshë të re, me fëmijë deri në shtatë vjeç që marrin pjesë në kampe për robotikë, kodim dhe Intelegjencë Artificiale, duke u dhënë atyre një fillim të mirë të karrierës së tyre në TI”, thekson Forbes..
Gazeta poashtu shkruan se interneti nuk ka kufij; ju nuk keni nevojë për vizë për të hyrë në Kosovë, dhe vetëm një kompjuter dhe disa njohuri lehtësisht të arritshme mund t’ju gjejnë një punë. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Kosova ka shkallën më të lartë të përdoruesve të internetit në rajon, me 93% të popullsisë që kanë qasje në internet. Kjo ka lejuar që sektori i TIK-ut të ngrihet si flakë. Sipas PwC, numri i përgjithshëm i kompanive të regjistruara në sektorin e TIK-ut në Kosovë është 982. Vetëm në vitin 2019 janë regjistruar 621 kompani të reja.
Forbes vë në pah edhe ekosistemin ekzistues të TIK-ut në Kosovë, me laboratorë të shumtë, qendra inovative dhe hapësira pune (ICK, ITP, etj.) që u ofrojnë startup-eve mentorim, financim, inkubacion, trajnim dhe hapësira bashkëpunimi.
Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme në lidhje me këto startup është se ato ndonjëherë udhëhiqen nga sipërmarrës më të rinj se 20 vjeç, të cilët vijnë me një ide dhe angazhohen për të.
Gazeta prestigjoze Forbes, më tutje sugjeron që të rinjtë kreativ të pajisen me mjetet dhe burimet e duhura për t’i kthyer idetë e tyre në realitet. Nëse po përpiqeni të nxisni inovacionin, merrni parasysh ofrimin e aksesit më të madh në mjetet e duhura, fondet dhe grantet për qendrat e inovacionit, në mënyrë që të shtyni idetë përpara dhe të fuqizoni novatorët e rinj.
Gazeta thekson se nga të rinjtë e përkushtuar në vende si Kosova, Estonia apo Izraeli dhe vullneti i tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për vendet e tyre, mund të mësosh shumë.
Sipas Forbes, me vendosmërinë e tyre, ata dëshmojnë se të qenit nga një vend i vogël nuk është domosdoshmërisht një disavantazh.