Në raportin e organizatës Freedom House për vendet në tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.
Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.
Që nga viti 1995, raporti i Freedom House për vendet në tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende, që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.
Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni.