2.6 C
Geneva
Thursday, April 25, 2024

Gjykata e Apelit në Gjenevë në funksionin e gjykatësit dekreton edhe z.Liburn Mehmetaj, me origjinë  nga komuna e Deçanit

Gjykata e Apelit në Gjenevë të Zvicrës, si një nga instancat më të larta të gjyqësorit ka bërë emërimin e gjykatësve të rinj. Në mesin e të dekretuarve gjendet edhe i riu Liburn Nezir Mehmetaj, me origjinë nga komuna e Deçanit të Kosovës.

Libur Mehmetaj, lindi më 5 janar të vitit 1991 në Prishtinë.  Prindërit e tij Neziri dhe Nexhmija si intelektual  të vërtetë qysh në rininë e tyre të hershme  kishin vendosur t’i dalin zot Atdheut të tyre të robëruar.

Neziri si jurist i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës, duke parë mohimin e të drejtave më elementare të shqiptarëve nga Jugosllavia komuniste e në veçanti nga Serbia, në pranverën e vitit 1981 vihet në ballë të demonstratave studentore të organizuara gjithandej Kosovës.

Ai për shkak të deklarimit të hapur që nën një çati me sllavo-komunistët nuk ka të ardhme për shqiptarët dënohet me 8 vite burgim të rëndë.

Kurse bashkëshortja e tij Nexhmije Mehmetaj, në atë periudhë profesoreshë  e gjuhës dhe letërsisë  shqipe në gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës, për shkak të solidarizimit me burrin e saj përjashtohet nga procesi mësimor. Veç kësaj Nexhmijes i ndalohet  e drejta e punës në çdo institucion të atëhershëm të Kosovës.

Edhe pas lirimit të Nezirit nga kazamatet e ish-Jugosllavisë, ai dhe familja e tij nuk lihen  të qetë nga regjimi diktatorial  i Sllobodan Millosheviqit.

Familja Mehmetaj e gjendur në udhëkryq përkundër dëshirës detyrohet ta marrë rrugën e kurbetit së bashku me Liburnin, asokohe 2 vjeç.

Ajo vendoset si kërkuese e Azilit në kantonin Jura të Zvicrës. Meqenëse, zonja Nexhmije Mehmetaj e kishte pikë të dobët punën me nxënës përgjatë 30-viteve do të punojë  në kantonin Jura me fëmijët  e mërgimtarëve tanë.

Zonja Nexhmije, në fillim të viteve 90- të, me vetiniciativë hap shkollën e parë të Mësimit Plotësues  të Gjuhës Shqipe në Zvicër. Falë përpjekjeve të saj ky mësim më vonë degëzohet në mbarë Zvicrën.

Ajo me kusht që kjo shkollë të fuqizohet sa më tepër në gazeta e portale boton shkrime dhe studime mbi rëndësinë e këtij mësimi.

Synim të vetëm Neziri e Nexhmija si të përndjekur politikë kanë edhe arsimimin e fëmijëve të tyre.

Djali i tyre Liburni një fëmijë i sjellshëm dhe i urtë do t’i gëzojë pa masë Nezirin dhe Nexhmijen me arritjet e tij në shkollë.

Ai të gjitha nivelet e mësimit nga ai fillestar e deri tek ato universitare do t’i kryejë  me rezultate të larta në kantonet Jura dhe Friburg të Zvicrës.

Pas kryerjes  së studimeve të shkallës Master në Jurisprudencë në Universitetin e Friburgut, Liburni do të marrë edhe certifikatë Avokatie në Universitetin shtetëror të Gjenevës.

Ai detyrën e Avokatit do ta ushtrojë me mjaft sukses në zyrën e njohur Walder  Wyss  SA të Gjenevës.

Kjo zyrë konsiderohet si nga më të suksesshmet ngase në kuadër të saj punojnë juristë të specializuar nga të gjitha kantonet e Zvicrës.

Po ashtu Liburni do t’i thellojë  njohurit e tij edhe me një specializim shtesë nga kjo fushë në  Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Liburn Mehmetaj njohës shumë i mirë edhe i gjuhës amtare duke parë që shkolla shqipe me Mësim Plotësues në Gjenevë, është e ballafaquar me vështirësi serioze vendos që të vihet në krye të saj.

Ai me mjaft sukses edhe sot e kryen detyrën e udhëheqësit të LAPSH-it  në Gjenevë dhe Zvicër.

Me ardhjen e tij në krye të këtij institucioni  të rëndësishëm u ngjallën  shpresat se në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë asimilimi i fëmijëve tanë.

Falë punës së tij të përpiktë  i gjithë Arkivi i kësaj shkolle është  dixhitalizuar. Po ashtu në platformën e LAPSH-it, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në çdo kohë.

Nëse ua duam  të mirën  fëmijëve tanë dhe vetvetes  duhet ta ndihmojmë  këtë njeri vullnetmirë që këtë detyrë  tash sa vjet e kryen në baza vullnetare.

Liburni një i rinj me reputacion edhe mjaft punëtor në nëntor të vitit që shkoi emërohet Gjykatës në Gjykatën e Apelit në Gjenevë.

Të gjithë duke njohur karakterin e tij prej njeriu të ndërgjegjshëm dhe korrekt  besojnë se ai do të punojë hëpërhë  konformë  rregullave dhe ligjeve zvicerane.

Gjithashtu duhet theksuar se nga të dekretuarit e Gjykatës së Apelit në Gjenevë, më i riu në moshë është  Liburn  Mehmetaj.  Ky një fakt që ai shumë shpejtë mund të synojë edhe pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë Republikë dhe kanton të Zvicrës

ARIF EJUPI

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img