Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të humanistes, mjekes, poetes dhe atdhetares së shquar, Dr. Flora Brovina.
Në një telegram ngushëllimi të lëshuar më 15 shtator 2026, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” e cilëson humbjen e saj si një dhimbje të madhe për Kosovën dhe shoqërinë shqiptare.
“Kosova humbi një grua të jashtëzakonshme, humaniste, mjeke, poete dhe veprimtare të palodhshme”, thuhet në telegram, duke vlerësuar guximin, përkushtimin dhe kontributin e saj, përmes të cilit, sipas Qendrës, ajo la gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kujtesën kolektive.
Qendra thekson gjithashtu se Dr. Flora Brovina ishte një përkrahëse e rëndësishme e veprimtarisë së saj dhe e kauzës për drejtësi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Sipas telegramit, Brovina ishte ndër të parat që mbështeti iniciativën për ta bërë lulëkuqen me katër petale simbol zyrtar të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Në fund të telegramit, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Dr. Flora Brovinës, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan veprën e saj.
“Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Flora Brovinës!”
Telegrami është nënshkruar nga Bardhyl Mahmuti, kryetar, dhe Adnan Asllani, zëvendëskryetar, në Gjenevë, më 15 shtator 2026.





