3.3 C
Geneva
Monday, February 24, 2025

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës – shembull për organizimin mbipartiak të mërgatës sonë

Ekziston një traditë gati gjysmë shekullore organizative e mërgatës shqiptare të Zvicrës në shërbim të solidarizimit me zhvillimet në vendin amë si dhe të fuqizimit dhe faktorizimit të shqiptarëve gjithandej. Mjerisht me kalimin e viteve shumë nga këto organizimi janë zbehur deri edhe kanë kaluar në pasivitet, mirëpo zinxhiri i përpjekjeve për të vazhduar e avancuar aktivitetin dhe organizimin e mirëfilltë, tanimë (qe 3.5 dekada) mbipartiak përtej përkatësive partiako-politike, ideologjike, fetare e krahinore, etj. megjithatë nuk kanë reshtur asnjëherë.

Shumë nisma të mira mbipartiake kanë funksionuar për një kohë dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe të shumanshëm si për mërgatën ashtu edhe për shoqërinë zviceranë dhe atë amë shqiptare. Ato janë krijuar me shumë mund, sakrifica, vetiniciativë, vetangazhim e vetëfinancim dhe kanë vepruar vullnetarisht për të mirën e përgjithshme.

Edhe sa i përket raporteve diasporë-vend amë, idetë e aksionet e avancuara punëtorëve mërgimtarë, si organizimi bashkiak, krijimi i shoqatave, organizatave e institucioneve kulturore, arsimore, profesionale, ndërmarrjeve ekonomike e industriale, e deri edhe idetë bankare në diasporë, mjerisht as sot e kësaj dite nuk kanë gjete koordinim e zbatim gjithëpërfshirës të strukturuar shoqërisht e institucionalisht.

Në mungesë të mbështetjes shtetërore e institucionale qoftë nga vendi/et amë, qoftë nga ato rezidente, mërgata shqiptare ka qenë e detyruar që të vetorganizohet dhe të krijon përvojat e saja me gjithë baticat e zbaticat objektive e subjektive. Sidoqoftë kontributi i saj i shumanshëm me traditë gjysmë shekullore– megjithëse vazhdon të injorohet duke mos u njohur e pranuar zyrtarisht nga institucionet shtetërore as sot e kësaj dite – ka qenë përcaktues në të gjitha fushat jetësore dhe në të gjitha etapat zhvillimore – pse jo – edhe të shoqërisë dhe vendit amë.

Në vazhdën e kësaj tradite ekziston dhe vepron në mënyrë shembullore një institucion i mirëfilltë dhe i shumanshëm Komuniteti Shqiptar i Gjenevës i formuar me 14 prill 2013.

Që nga themelimi i Komuniteti Shqiptar të Gjenevës angazhimet janë të shumëllojshme për të përmbushur nevojat dhe organizohemi në përputhje me nevojat konkrete të komunitetit, nga të cilat mundë të veçohen: mbështetja për mësimi i gjuhës shqipe, rëndësia e shkollimi në nivele më të larta, ruajtja e identitetit tonë kombëtar, kultivimi i veçorive shqiptare, angazhimi i rinisë me aktivitete shoqërore dhe politike, sportive, pensionistët, ndërrimi i gjeneratave etj.

Në vazhdim do të pasqyrojmë disa nga aktivitetet në mes të dy kuvendeve, siç dëshmon edhe raporti i punës i datës 09 shtator 2024, vetëm për periudhën kohore prill 2023 deri ne shtator 2024, të cilin do ta botojmë si përmbledhje të shkurtër në vijim. Më shumë informacione rreth KShGj, aktiviteteve të shumanshme dhe të gjitha raportet tjera vjetori mund të gjeni edhe në faqen e internetit: cageneve.ch

PËRMBLEDHJE NGA RAPORTI I PUNËS i KOMUNITETIT SHQIPTAR TË GEJNEVËS (KShGj) për periudhën kohore 21 prill 2023- 09 shtator 2024

AKTIVITETET

1. Pjesëmarrja e dytë në Aulona Inter-Folk Festival në Vlorë

Për të dytin vit me radhë, grupi muzikor “Hareja” që vepron në kuadër të KShGj-së mori pjesë në festivalin ndërkombëtar «Aulona Inter Folk Festival». Ketë vit si grup nderi jashtë konkurrimit. Për tri ditë me radhë, në datat 6, 7 dhe 8 maj 2023, grupi ishte përkrah grupeve të tjera pjesëmarrëse që vinin nga Austria, Sllovakia, Greqia, Turqia, Zvicra, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria.

Në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen e shkëlqyer në këtë festival, grupit muzikor “Hareja” iu nda edhe një Diplomë nga organizatori i këtij festivali Z. Sejmen Gjokoli -“Mjeshtër i madh”.

Si gjithmonë, KShGj-ja përkrahi financiarisht pjesëmarrjen e grupit muzikor “Hareja”.

2. Festa e Flamurit

Mërgata shqiptare në Gjenevë kremton Festën e Flamurit

Me rastin e 28 nëntorit nga shoqatat: KSHGJ-ja, LAPSH, SHOQATA E STUNDETËVE SHQIPTARË të GJENEVËS, RINIA-CONTACT, ANSAMBLI GËZUAR dhe shoqata ZHEGRA u kremtua me një pjesëmarrje madhështore Dita e Flamurit tonë kombëtar.

Ditëlindja e shtetit shqiptar, është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo që jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj. 28 nëntori kjo festë e shumëfishtë e flamurit, pavarësisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljes në skenë të UÇK-së festohet e përkujtohet gjithandej nga jetojnë e veprojnë shqiptarët.

Përfaqësuesi i Këshillit Organizativ të këtij manifestimi z. Liburn Mehmetaj duke përshëndetur të pranishmit dhe duke ju uruar festat e nëntorit dha një kronologji të organizimeve dhe programit i cili ishte përgatitur me këtë rast.

Më pas, protagonist të skenës bëhen Grupi “Rinia Kontakt”, Grupi muzikor “Hareja”, Ansambli “Gëzuar” të cilët dhanë pika të pasura artistike para një publiku madhështor.

Kryetari i ri i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, z. Nasuf Nuhiu falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e tyre dhe bënë thirrje që secili nga ne duhet ti shërbejmë çështjes sonë kombëtare dhe atdhedashurisë në realizimin e të drejtave tona. Ai me këtë rast ndau edhe mirënjohjet e KShGj për studentët shqiptar në shenjë falënderimi për të arriturat e tyre në fushën e shkencës dhe dijës.

3. Pritja e Shkurte Fejzës për 50 vjetorin veprimtarisë artistike

Me datën 10 shkurt 2024, bashkë me “Ansambli Gëzuar” në Gjenevë, me rastin e jubileut të 50 – me këngën dhe skenën artistike të solistes shumë të çmuar, organizuam një befasi madhështore për artisten e këngës shqiptare – Shkurte Fejza.

Me këtë rast, Kryetari i “Komunitetit Shqiptar” të Gjenevës, Nasuf Nuhiu ia dorëzoi mirënjohjen artistes Shkurte Fejza për mbjelljen, kultivimin dhe përcjelljen brez pas brezi të atdhedashurisë përmes këngës shqiptare. Shkurte Fejza u nderua edhe me librin e Zotëri Ali Mehmetit, “Në kërkim të idesë”. Asaj po ashtu iu dhurua edhe një kambanë me simbole të qytetit të Gjenevës dhe shtetit Helvetik bashkë me një buqetë lulesh. Në përfundim të kësaj pritje madhështore, shoqëruar me duartrokitjet e shumta në skenë u soll edhe një torte befasie e përgatitur nga Afërdita Krasniqi enkas për pesë dekada me këngën dhe artin e mirëfilltë të mbretëreshës sonë.

4. Dita e Dëshmorëve me prezantimin e librit “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmutit

Me 7 maj 2024 në qytetin e Gjenevës, KSHGJ-ja në bashkëpunim me shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës shënuan Ditën e Dëshmorëve të Kombit shqiptar, në prani të shumë veprimtarëve dhe mërgimtarëve tanë, ku edhe u prezantua romani që jep kronologjinë e gjenocidit serb në Kosovë “Eskadronët e Vdekjes” të autorit dhe veprimtarit Bardhyl Mahmuti

Në vazhdim të promovimit veprimtari i mirënjohur Ali Mehmeti, themelues i KSGJ-së duke bërë një vështrim analizues mbi romanin “Eskadronët e Vdekjes” u ndal nëpër periudhat kohore, personazhet e romanit dhe mesazhin e qartë për brezat të cilët nuk e kanë përjetuar luftën dhe këtë zezonë të ushtruar serbe mbi shqiptarët deri në përmasat e gjenocidit dhe tentimit të zhbërjes kombëtare. Ky roman dokumentues, i shkruar me një gjuhë të bukur artistike, me personazhe reale nxjerrin në pah jo vetëm shovinizmin serbë por, dëshmojnë qartë se deri ku mund të shkonte tërbimi serbë duke vrarë e masakruar njerëz madje edhe fëmijë të pafajshëm.

Autori i këtij libri zotëri Bardhyl Mahmuti, duke falënderuar organizatorët për mundësinë e këtij promovimi dhe shpalosjen e kësaj vepre tha: Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e tragjedisë së popullit të Kosovës. Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e tragjedisë së popullit të Kosovës. Qëllimi ynë duhet të jetë të dokumentojmë se këto krime dhe kriminelët e këtyre veprave herët e vonë duhet të ndëshkohen.

Nënat, motrat, dhe fëmijët e mbetur jetim, nuk kërkojnë hakmarrje por ata duan drejtësi. Drejtësi nuk mund të quhet kur mëtohet të barazohet krimineli dhe viktima. Drejtësi nuk quhet kur, protagonistët e plojës enden të lirë dhe madje selisin plane për krime të reja Drejtësi nuk është kur ende, shumë njerëz të vrarë ndodhen në listat e njerëzve të pagjetur… Përfundoj shkrimtari dhe autori i kësaj vepre zotëri Bardhyl Mahmuti. Në fund autori të pranishmëve u dhuroi secilit librin e tij romanin “Eskadronët e vdekjes”.

5. Regjistrimi i popullatës

Veprimtarët e dalluar të Komunitetit shqiptar të Gjenevës, përpos aktiviteteve kulturore, artistike e atdhetare, mbështetjen e mësimit shqip, bashkëpunimit për rrjetëzimin e fuqizimin e komunitetit shqiptar në Gjenevë dhe Zvicër, shënimin e datave historike dhe nderimin e të gjithë dëshmorëve pa dallim, së fundi me vetiniciativë kanë kontribuar suksesshëm edhe për regjistrimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në Gjenevë dhe kantonet përreth. Këtë aksion ata e bënë në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Kështu, për t’ju bërë krah proceseve institucionale dhe përmbylljes së procesit të pavarësisë e shtetësisë, në këtë rast për të quar përpara regjistrimin aktual të qytetarëve të Republikë së Kosovës edhe jashtë atdheut, Shoqata – Komuniteti Shqiptar i Gjenevës përmes të dy nga drejtuesit e saj, Nasuf Nuhiu e Linda Rexhaj Maliqi, me katër kujdestari vullnetare janë vu në shërbim të Konsullatës së Republikë së Kosovës në Gjenevë e rrethinë për të mbështetur bashkatdhetarët, që kanë nevojë për të kryer obligimin qytetar, gjegjësisht regjistrimin e tyre dhe familjarëve të tyre në diasporë. Kështu falë këtij angazhimi të përkushtuar të këtyre dy veprimtarëve të mirënjohur të Komunitetit shqiptar të Gjenevës, brenda 4 ditëve u arrit që të regjistrohen edhe rreth 200 qytetarë të Kosovës, kryesisht nga pjesa frëngjishtfolese e Zvicrës, nga këta rreth 30% edhe qytetarë nga Franca fqinje. Mirënjohje e respekt për të gjithë ata që u angazhuan vullnetarisht në mbështetje të këtij procesi institucional të Republikës së Kosovës.

6. PJESMARRJA E GRUPIT “HAREJA” NË KONCERTIN NË LUCERN

Më 13 prill u mbajt koncerti me nismën e shoqatës “Hora e Skënderbeut” dedikuar vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve. Kësaj nisme i janë bashkuar 16 shoqata e ansamble nga të gjitha anët e Zvicrës, mes tyre edhe grupi ynë “Hareja”. Me këtë rast u mbajt një koncert i madh ku u shfaq një program i pasur kulturor me këngë e valle si dhe kishte të ftuar special të kësaj mbrëmje. Mjetet e grumbulluara nga biletat hyrëse dhe donacionet e tjera janë të dedikuar për projektin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve.

Shtatorja e Skënderbeut u vendos në Horën e e Arbëreshëve në Sicili më 30 gusht 2024 dhe është një dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë për arbëreshët, në shenjë mirënjohje për ruajtjen e kulturës, gjuhës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.

Shtatorja madhështore e Skënderbeut është vepër artistike e skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi.

7. Videoklipi « Nata e qejfit » e grupit muzikor » Hareja».

Me iniciativë të artistëve Hekuran Krasniqi dhe Elion Krasniqi u mundësua falas incizimi i videoklipit të parë të grupit muzikor » Hareja». Incizimi u bë në studion «LMN Production» dhe xhirimet nga ekipi i «Heki TV» te « Brasserie Nouvelle » me pronar Zenel Jusufi, të cilët i falënderojmë përzemërsisht.

Nga viti 2021 e deri sot, të gjitha këngët e grupit muzikor » HAREJA», janë incizuar në studio LMN dhe janë aranzhuar nga Elion Krasniqi në baza vullnetare.

Falënderim për Alb’swiss TV, Prointegra.ch dhe albinfo.ch që përcjellin dhe publikojnë aktivitetet tona dhe nga të cilat kemi huazuar disa imazhe shoqëruese të këtij raporti dhe disa shkrime të tyre.

Gjenevë, 10 tetor 2024
Sekretari Blerim Bunjaku
Kryetari Nasuf Nuhiu

Marrë nga prointegra.ch

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img