UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për t’u siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin vaksinat.
Kjo thirrje vie në kuadër të javës Botërore të Imunizimit, e cila organizohet çdo vit gjatë javës së fundit të prillit.
Tema e Javës Botërore të Imunizimit për këtë vit #Jetë e gjatë për të gjithë, u përzgjodh për t’i nxjerrë në pah arritjet historike në fushën e vaksinimit përreth botës.
Në njoftim thuhet se derisa rikujtojmë ndikimin historik të vaksinave, tani bota gjendet në një udhëkryq.
“Në aspektin global, pandemia COVID-19 ka paraqitur një ngarkesë të madhe mbi sistemet dhe shërbimet shëndetësore. Një shifër alarmuese prej 23 milionë fëmijësh nuk janë vaksinuar në vitin 2020″, thuhet më tej në njoftim.
- Sipas njoftimit, Kosova ka ende mangësi të theksuara për sa i përket imunizimit rutinë. Vetëm një në 3 fëmijë janë plotësisht të vaksinuar. Kurse, më shqetësues është fakti që mbulimi i plotë me imunizim ishte bërë vetëm për 38 për qind të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (për të njëjtën grupmoshë).
Për të zvogëluar ndikimin e pandemisë COVID-19 në imunizimin rutinë, sidomos tek grupet e cenuara, UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nisi një fushatë derë më derë tek familjet për t’i identifikuar fëmijët që nuk ishin vaksinuar. Brenda pak më shumë se një viti, gjithsej 6,300 fëmijë – shumica e tyre nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian – u identifikuan me të dhëna jo të plota të vaksinimit dhe u ofrua mbështetje që të vaksinoheshin nga ekipet mobile të vaksinimit të Mjekësisë Familjare përmes fushatës së imunizimit”, thuhet në njoftim.
Përkundër përpjekjeve kolektive, me mbulim vaksinimi prej 50 për qind deri më tani (të paktën me një dozë), kosovarëve u kërkohet ta rrisin shkallën e vaksinimit për t’u mbrojtur nga sëmundjet e mundshme serioze.
UNICEF-i dhe OBSH-ja bashkërisht theksojnë se duhet kërkuar çdo mundësi për t’i vaksinuar fëmijët dhe të rriturit sipas kalendarit rutinë të imunizimit.