Kombëtarja e Zvicrës pëson një tjetër goditje të rëndë. Pas Eman Kospos, tashmë edhe Leon Avdullahu ka vendosur të mos përfaqësojë Zvicrën, por Kosovën.
Mesfushori 21-vjeçar, i cilësuar si një nga shpresat më të mëdha të futbollit zviceran, ka marrë vendimin përfundimtar. Lajmi u konfirmua të hënën mbrëma nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës:
“Jam i lumtur të njoftoj se Leon Avdullahu ka vendosur të ndjekë zemrën dhe të luajë për Kosovën,” deklaroi ai.
Avdullahu ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të FC Basel sezonin e kaluar, duke kontribuar në fitimin e kampionatit dhe Kupës së Zvicrës. Paraqitjet e tij të shkëlqyera i siguruan transferimin në Bundesliga, te Hoffenheim, ku gjermanët paguan plot 8 milionë euro për kartonin e tij.
Rasti Kospo përsëritet
Vendimi i Avdullahut është goditja e dytë e rëndë për Zvicrën brenda pak javësh. Kohë më parë, edhe mbrojtësi Eman Kospo, ish-lojtar i akademisë së Barcelonës dhe aktualisht pjesë e Fiorentinës, zgjodhi të përfaqësojë Bosnjen.
Sipas mediave, të dy lojtarët nuk janë ndjerë të vlerësuar mjaftueshëm nga Federata Zvicerane e Futbollit, ndaj kanë zgjedhur kombësitë e tyre të tjera, ndonëse deri më sot kishin luajtur për moshat e Zvicrës.
Ironia e fatit
Të enjten, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, do të shpallë listën për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Dhe pikërisht më 5 shtator, “Nati” do të përballet me Kosovën, përpara se të sfidojë Slloveninë më 9 shtator.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Leon Avdullahu do të jetë gati të debutojë me Kosovën – dhe t’i japë ish-kombëtares së tij një tjetër goditje të hidhur./Alb’swiss TV/