Për fatin e keq, sot numër i madh i shqiptarëve ndodhen jashtë trojeve të atdheut. Por, nga vendet ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, nga aty ku ndodhet mërgata jonë shqiptare, nuk janë të rralla rastet kur vijnë lajme të gëzueshme për suksese të larta, përparime dhe triumf të rinisë sonë.
Shpesh, madje shumë shpesh, bëhemi krenarë, krijojmë vetëbesim, dhe arsyetojmë mendimet se kombi ynë përherë i ka dhënë dhe ka ditur për t’i dhënë shumë kulturës, shkencës dhe civilizimit botëror.
Përkushtimi, individualiteti, motivimi, dhe puna e palodhur e shumë të rinjve tanë, shpesh janë renditur nga më të mirat dhe kanë kapur majat e larta në çdo lëmi të jetës shoqërore. Të rinjtë shqiptar sot kudo shkëlqejnë dhe shquhen për suksese, si në sport, studime, shkencë, punë dhe shpesh janë numëruar elitar në ndjekjen e ëndërrimeve të tyre profesionale.
Një i tillë është i sapodiplomuari dhe eksperti tashmë i certifikuar në lëmin e dizajnit Leutrim Hajdari. Sëkëndejmi, ky ka vite që bashkë me familjen ndodhen në rrethinën e qytetit Shaffhausen të shtetit helvetik, Zvicrës së pasur.
Para se të shpjegojmë rëndësinë e degës së rrallë shkencore ku djaloshi e ka mbaruar me sukses të lartë, duhet përmendur gjenealogjinë dhe prejardhjen familjare të Leutrimit.
Leutrim Hajdari vjen nga një familje me taban kombëtar e cila parreshtur ka dhënë kontributin e saj në çështjen kombëtare. Familja e tij në Kosovën e robëruar dikur nga serbët ishte anatemuar dhe përndjekur vazhdimisht. Gjyshi dhe xhaxhai i Leutrimit, një pjesë jo të vogël të jetës së tyre e kanë kaluar nëpër burgjet serbe. Veprimtaria e tyre kombëtare shqiptare atëbotë cilësohej nga okupuesi “armiqësore” dhe ndiqej duke u penguar në çdo fushë të jetës.
Po kështu, me gjithë vuajtjet, përndjekjet e burgosjet, të cilat po bëheshin nga pushtuesi ndaj familjes Hajdari në Prishtinë, kauza kombëtare tek ata si një pishtarë i pashuar ndriçoj përherë në këtë vatër shqiptare, madje ajo u skalit edhe nëpër mendjet e brezit që po vinte. Në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar kur barbaria serbe kishte arritur kulmin, familja Hajdari, si shumë familje shqiptare të Kosovës u detyruan të marrin rrugët e mërgimit. Në këto rrethana të jetës ata u zhvendosën nga Kosova në shtetin e Zvicrës, aty ku ndodhen edhe sot.
Që në fillet e para të studimeve Leutrim Hajdari u duk një djalë i sigurt në vetvete dhe filloj t’i ndjek ëndërrimet e tij, derisa ato të ktheheshin në realitet të prekshëm e të dëshiruar. Për më tepër, sot, ai është diplomuar dhe çertifikuar si ekspert i dizajnit në VMware ku në mesin e 303 ekspertëve të tillë në botë ndodhet edhe emri i tij. Pra, puna, përkushtimi, serioziteti dhe ngulmi i tij kanë bërë që sot, me suksesin e këtij djaloshi, të krenohemi të gjithë.
Leutrimi sot është ekspert në grupin e arkitektëve elitar të VMware Certified Design Expert (VCDX) që udhëheqin zbatimin e virtualizmit në mbarë botën. Përmes çertifikimitnë VCDC demonstrohet aftësia e shkëlqyer e dizajnimit, si dhe zbatimit dhe menaxhimit e zgjedhjeve komplekse të botës virtuale.
Ndërkohë që, Leutrimi, i kishte vendosur vetës një qëllim, ai ishte i denjë. Kishte vendosur të merrte arsimimin dhe njohuritë e duhura dhe këto njohuri të fituara t’i zbatoj në profesion dhe në jetë.
Trajnimi i pandërprerë intelektual, psikologjik dhe fizik pa mëdyshje kanë garantuar efikasitetin dhe suksesin e tij të arritur.
Studimet e tij, medoemos, kanë kaluar nëpër një kombinim harmonik të përmbajtës dhe motivimit, të vullnetit dhe synimit…, por, edhe të shumë komponentëve tjerë të lidhur pazgjidhshmërisht njëri me tjetrin. Dhe, ja, në fund, siç e do edhe zakoni, mundi shpërblehet. Ata që dinë dhe duan atë që kërkojnë nuk ka hamendje se herët a vonë arrijnë Olimpin e ëndërrimeve të tyre. I tillë është djaloshi Leutrim i cili sot meritueshëm radhitet ndër ekspertet e rrallë në botë në këtë lëmi.
Rasti i suksesit të Leutrimit, është një shembull i cili duhet të motivoj gjithë të rinjtë tanë. Është një shembull për prindërit e në veçanti atyre të cilët ndodhen në mërgim. Shkollimi dhe investimi në fëmijë është investim në ardhmëri të ndritur, jo vetëm të familjes dhe rrethit, poredhe gjithë kombit në përgjithësi.
Këto konstatime më së miri i shpërfaqë thënia japoneze e cila thotë; nëse doni të jeni të lumtur për një ditë shkoni e pini; nëse doni të jeni të lumtur për pak dekada bëjeni një kopsht, dhe, krejt në fund, nëse doni të jeni të lumtur për tërë jetën edukoni dhe shkolloni fëmijët dhe brezin e ri.
Leutrim Flamur Hajdari nga Prishtina sot, na bënë krenar të gjithëve. Na rëndit si komb në mesin e degëve më specifike të shkencës të cilët sot numërohen në pak shifra. Sukseset e djaloshit na gëzojnë të gjithëve që edhe përkundër sfidave dhe vështirësive të mbijetesës si komb, ne ia dalim të japim atë më të mirën për njerëzimin dhe civilizimin botëror. Në vazhdim e nxjerrim të plotë bisedën me të!…
Cila është përgatitja e juaj profesionale në Zvicër?
Familja ime migroi shumë herët nga Kosova në Zvicër, në fillim të viteve 90–ta. Fillet e shkollimin pata fatin t’i filloj këtu në Zvicër. Kulturën digjitale e kisha që nga fëmijëria, i frymëzuar nga xhaxhai im, Skënderi. E, pakmë vonë edhe nga babai im Flamuri, i cili punonte në një fabrikë kompjuterësh. Aty pastaj mora një praktikëpune si nxënës në teknologji informative dhe më pas studiova në Cyrih. Kam studiuar shkencën kompjuterike dhe teknologjinë e informacionit të biznesit në Cyrih. Aktualisht punoj si Arkitekt Kryesor për rajonin EMEA në Hitachi Vantara, me bazë në Cyrih, Zvicër.
Cilat janë disa prej inspirimeve që ju kanë orientuar të ndiqni ëndrrat tuaja profesionale?
Gjithmonë kam pasur një pasion për teknologjinë dhe që në moshë të re jam magjepsur nga kompjuterët. Ky pasion ka qenë një forcë e vazhdueshme që më ka udhëhequr drejt ëndrrave të mia profesionale. Përkushtimi dhe disiplina që kam zhvilluar rrjedhin nga përvoja ime në sport, veçanërisht në futboll. Që i vogël kam luajtur me pasion për FC Schaffhausen, gjë që më ka dhënë vlera të rëndësishme. Para se të punësohesha në Hitachi Vantara, kam punuar për një fimë të teknologjive të reja, ku pata mundësinë të punoja me një gamë të gjerë teknologjish dhe të zhvilloja zgjidhje të mëdha, për ndërmarrje të mëdha.
Sa është e rëndësishme mbështetja familjare dhe sociale në rrugën drejt suksesit?
Mbështetja familjare dhe sociale është thelbësore për suksesin, sepse ofron mbështetje emocionale, motivim dhe ndihmë praktike. Besimi i familjes sime në mua më ka inkurajuar në kohë të vështira, dhe këshillat e tyre më kanë ndihmuar të marr vendime më të mira. Duke ditur se të dashurit e mi ndajnë dhe festojnë sukseset e mia, më jep më shumë qëllim dhe shtysë. Pambështetjen e tyre, suksesi im do të ishte shumë më i vështirë. Familja mbi të gjitha.
Ju jeni certifikuar së fundmi si Ekspert i Certifikuar i Dizajnit nga VMware (VCDX – VMware CertifiedDesign Expert), a ishte e vështirë rruga deri te ky nivel profesional?
Para se gjitha dua tua shpjegoj se çka është VMWare?
VMWare është një kompani teknologjike që ofron softuer për virtualizime në kloud. Virtualizimi është procesi i krijimit të një versioni virtual (jo fizik) të një serveri, një sistem operativ, ose një rrjet. Kjo teknologji u lejon kompanive të përdorin burimet e tyre të IT-së më efikasisht duke krijuar disa makina virtuale (VMs) në të njëjtën pajisje fizike.
VCDX (VMWare Certified Design Expert) është niveli më i lartë i certifikimit të ofruar nga kjo kompani. Kjo certifikatë tregon që individi ka një ekspertizë të thellë në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve komplekse të virtualizimit, të bazuara në produktet e VMware.
VCDX konsiderohet si një nga certifikatat më të vështira dhe të respektuara në industrinë e teknologjisë së informacionit.
Rruga drejt arritjes së certifikimit si Ekspert i Certifikuar i Dizajnit nga VMWare (VCDX) ishte sfiduese. Kërkonte shumë njohuri teknike, përvojë praktike dhe aftësi për të dizajnuar dhe shpjeguar zgjidhje komplekse. I dedikova shumë kohë përgatitjes, krijimit të dizajnëve, studimit dhe marrjes së feedback-ut dhe trajnimit nga mentorët e mi, të cilët janë disa nga arkitektët më të mirë të IT-së në botë. Pjesa më e vështirë ishte mbrojtja përfundimtare, ku duhej të paraqisja dizajnin tim para një paneli ekspertësh dhe të përgjigjesha pyetjeve të tyre. Nuk do të kisha mundur të arrija suksesin pa mbështetjen edhe nga komunitetit të VCDX dhe mentorëve të mi, që janë ndër arkitektët më të mirë në botë të virtualizimin në VMware. Por vështirësia më ndihmoi të rrisë nivelin tim për një qasje kritike për dizajnin virtual. Certifikimi im mban numrin 303, që do të thotë ne jemi vetëm 303 ekspertëtë virtualizimit, unë jam i fundit.
Cilat janë disa nga projektet apo zgjidhjet komplekse që keni dizajnuar dhe zbatuar si pjesë e grupit elitar të arkitektëve të VCDX?
Kam pasur mundësinë të punoj në disa projekte komplekse, dhe një nga më sfidueset ishte dizajnimi i një infrastrukture virtuale të disponueshme në shumë ëebfaqe për aplikacione të rëndësishme si SAP, HANA për një ndërmarrje zvicerane. Zgjidhja kërkonte integrimin e rikuperimit të fatkeqësive, optimizimin e performancës së ruajtjes dhe sigurimin e shkallëzimit të pandërprerë në qendra të shumta të të dhënave. Këto projekte jo vetëm që shtynë aftësitë e mia teknike në kufi, por kërkonin edhe planifikim të hollësishëm, komunikim efektiv me klientët e biznesin e tyre.
Çfarë kuptimi ka VCDX dhe si përdoret në praktikën e përditshme teknologjike?
VCDX tregon aftësinë e individit për të dizajnuar, ndërtuar dhe zbatuar zgjidhje komplekse bazuar në VMware. Profesionistët e certifikuar VCDX janë njohur si ekspertë në arkitekturimin dhe menaxhimin e mjediseve virtualizimi dhe kloud të avancuar. Në praktikën e përditshme teknologjike, virtualizimi dhe dizajnimi i ambienteve virtuale teknologjike përdoret konkretisht në Qendrat e të Dhënave, Kompani të Teknologjisë së Lartë – Për ndërtimin e mjediseve të sofistikuara të zhvillimit dhe testimit, Financa dhe Shëndetësi. Shërbime Publike dhe Qeveritare, llogaritjen e statistikave komplekse, hulumtime shkencore tek NASA dhe shumë e shumë mjedise e organizata që neve na e bëjnë jetën më të rehatshme.Mendoj që ne kemi një mision permanent: transferin e dijes dhe vlerave kulturore në vendin e origjinës.
Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u jepnit të rinjve në Kosovë dhe Zvicër që përballen me sfida të ngjashme në arritjen e qëllimeve të tyre?
Para se gjithash, kulturë, punë dhe vendosmëri për të tejkaluar sfidat kohës, kurajoz përballë dështimeve, sepse çdo sfidë dhe gabim është një mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Mbështetuni te pasioni juaj, vazhdoni të përmirësoni aftësitë dhe kërkoni ndihmë kur të nevojitet. Mos harroni që sukseset e mëdha vijnë nga përpjekjet e vazhdueshme dhe përkushtimi afatgjatë. /Alb’swiss TV