Libri që sfidon propagandën – thirrje për kujtesë kolektive

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Bardhyl Mahmuti promovon në Uster veprën “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme”

Rrëfimet autentike të autorit Bardhyl Mahmuti për prapaskenat diplomatike të kohës së luftës ngjallën kureshtje të veçantë te të pranishmit. Diskutimi mori trajtë interaktive, pasi, pas paraqitjes së autorit, pjesëmarrësit shtruan pyetje individuale, të cilave autori iu përgjigj me kompetencë, duke ofruar detaje të pasura dhe dokumente historike që e thelluan më tej kuptimin e asaj periudhe, e cila është ende e pandriqur plotësisht.

Më 17 maj 2025, në sallën “Mehrzwecksaal Kreuz” në Uster të Zvicrës, u mbajt promovimi i librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme” të autorit Bardhyl Mahmuti. Ky aktivitet u organizua me përkrahjen e shoqatës “Bashkimi” dhe mblodhi dhjetëra bashkatdhetarë të cilët ndoqën me interes diskutimin përmbajtësor mbi tematikën e librit.

Në fjalën e hapjes, u theksua rëndësia që ka kjo vepër në përballimin e narrativave dezinformuese dhe në ndriçimin e të vërtetës mbi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Pas botimit të veprave si “Mashtrimi i madh”, “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit” dhe romanit “Eskadronët e Vdekjes”, autori Mahmuti rikthehet me një tjetër dëshmi të fuqishme historike dhe politike.

Libri i ri është ndërtuar në formë bashkëbisedimi me gazetarin Muhamet Mavraj, ku për herë të parë autori rrëfen takimet me diplomatët ndërkombëtarë dhe procesin e ndryshimit të perceptimit ndërkombëtar ndaj UÇK-së – nga një organizatë e cilësuar si terroriste në një palë të besueshme negociuese në bisedimet me diplomacitë perëndimore.

Duke hedhur dritë mbi përpjekjet për de-legjitimimin e luftës së UÇK-së, autori Mahmuti sjell fakte dhe rrëfime të dokumentuara, duke përfshirë propagandën e “librit të bardhë” të shërbimeve serbe, manipulimin e rasteve të krimeve të luftës, dhe montimin e pretendimeve për trafikim organesh.

Recensionet e personaliteteve të njohura si Ramadan Avdiu, Genc Prelvukaj dhe Ramë Buja, e vlerësojnë librin si një referencë të pazëvendësueshme për studiuesit dhe brezat e rinj që duan të kuptojnë të vërtetën mbi ngjarjet vendimtare të fundshekullit XX në Kosovë. Ata theksojnë se libri është më shumë se një dëshmi historike – është një thirrje për kujtesë kolektive, një mburojë ndaj shtrembërimeve dhe një apel për dinjitetin e së vërtetës.

Në fund të promovimit, autori Mahmuti falënderoi të pranishmit për interesimin dhe shoqatën “Bashkimi” për organizimin e këtij aktiviteti që u vlerësua si mjaft i suksesshëm.

Për lexuesit e portalit tonë, po japim të plotë fjalën e hapjes së Adnan Asllanit

Të nderuar të pranishëm

Pas botimit të librave «Mashtrimi madh» përmes të cilit autori e shpartallon gënjeshtrën serbe për luftën në Kosovë, «Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit» përmes të cilit tërheq vërejtjen e përdorimit të gabuar të termave përmes të cilëve me ose pa vetëdije mohohet gjenocidi të cilin e ka kryer shteti serb në Kosovë dhe pas botimit të romanit «Eskadronët e Vdekjes» roman i cili ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe është shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë për gjenocidin në Kosovë,

Autori Bardhyl Mahmuti na e sjell edhe një vepër të rëndësishme për historiografinë librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme”.

Në këtë libër i cili është ndërtuar në formë bashkëbisedimi me botuesin e gazetës «Epoka e Re», Muhamet Mavraj, Bardhyl Mahmuti rrëfen për herë të parë mbi takimet që ka pasur me diplomatët amerikanë si dhe për rrjedha të tjera interesante të periudhës së luftës në Kosovë.

Për të gjithë ata që kanë qenë protagonistë të asaj kohe, apo ata që kanë lexuar me vëmendje më vonë, do të jenë në dijeni se aksionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 ishin cilësuar si terroriste nga OKB-ja.

Cilësimi i veprimeve të UÇK-së si terroriste kishte pasoja të mëdha për luftën tonë çlirimtare andaj heqja e këtij cilësimi ishte prioriteti kryesor i të gjithë atdhetarëve.

Pas takimit të parë që përfaqësuesit e UÇK-së kishin me diplomatët amerikanë si Robert Gellbard dhe Richard Holbrooke, kjo qasje ndryshoi tërësisht dhe UÇK-ja tani pranohej si një ushtri e cila po luftonte kundër një ushtrie tjetër dhe ishte palë e besueshme në bisedime.

Falë zgjuarsisë së delegacionit të UÇK-së që përbëhej nga Bardhyl Mahmuti dhe Ramadan Avdiu si dhe takimeve të mëvonshme të gjithë grupit diplomatik me diplomatë të ndryshëm evropianë, u arrit një fitore e jashtëzakonshme diplomatike e cila ishte e domosdoshme për të fituar simpatinë e shteteve demokratike për luftën tonë çlirimtare.

Këto rrëfime vijnë për herë të parë tek lexuesi i cili ka rastin të informohet nga dora e parë, protagonisti i atyre ngjarjeve autori Bardhyl Mahmuti.

Në libër trajtohen tema tejet interesante si ajo e vrasjes së civilëve shqiptarë e serbë nga shërbimi sekret i Serbisë duke e fajësuar për këtë UÇK-në, raportet e brendshme organizative brenda LPK-së etj.

Për herë të parë rrëfehet mbi botimin e gazetës Zëri i Kosovës, si i vetmi medium që ishte në përkrahje të plotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu do të gjeni rrëfimin ekskluziv se si u hakua faqja e gazetës nga hakerët serbë dhe si kjo u kthye në fitore mediatike nga ne.

Libri i Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme është botuar për herë të parë në tetor 2024, kurse sivjet, në muajin shkurt u bë edhe botimi i dytë.

Për librin janë thënë fjalë të mira nga njohës dhe protagonistë të kësaj periudhe historike.

Me këtë rast do të veçoj disa pjesë të recensioneve.

Njëri nga protagonistët e asaj periudhe historike z. Ramadan Avdiu ka shkruar:

Takimet e zhvilluara në mes të përfaqësuesve politik të UÇK-së, me përfaqësuesit e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me diplomatë të vendeve të tjera të demokracive perëndimore, ishin uvertyrë e cilësimit të UÇK-së si ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër!

Në librin Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme do të mund të gjeni pasqyrimin dhe përgjigjet, se për cilat takime bëhet fjalë?

  • Si u organizuan ato dhe cili ishte roli i shtetit shqiptar?
  • Cilat tema u trajtuan gjatë atyre takimeve?
  • Si u shpartalluan shtyllat e propagandës serbe për të prezantuar UÇK-në para vendeve demokratike, herë si organizatë marksiste-leniniste e herë si organizatë fundamentaliste islamike?
  • Cili ishte roli i të ashtuquajturve libra të bardhe të shërbimit sekret të Serbisë, në përhapjen e imazhit negativ për UÇK-në dhe luftën e saj, dhe si u sajua gënjeshtra për trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë?
  • Kush ishin hartuesit e raportit të cilin e përvetësoi Dick Marty dhe cila ishte prapavija e tij?
  • Si u sajua shprehja ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe përse akuza e ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe çlirimtarëve të tjerë, vë në bankën e akuzës edhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës?

Ky libër është më shumë se një dëshmi. Është një thirrje për kujtesë kolektive.

Në një kohë kur përpjekjet për të kriminalizuar luftën çlirimtare ende vazhdojnë, ky botim është një mburojë e së vërtetës, e mbështetur mbi faktet, dokumentet dhe mbi përvojën e aktorëve të drejtpërdrejtë në ngjarjet që kanë përcaktuar fatin tonë si popull.

Bardhyl Mahmuti, me integritetin, përkushtimin dhe temperamentin që e ka karakterizuar gjithmonë, i jep zë atij realiteti që shpesh është heshtur ose shtrembëruar.

Ky libër është një ftesë për lexuesin që të njohë të vërtetën, të kuptojë kompleksitetin e asaj periudhe, dhe mbi të gjitha, të mos lejojë që historia jonë të shkruhet nga ata që nuk e njohin apo qëllimisht e shtrembërojnë atë. Pra është një referencë për studiues dhe të gjithë ata që mëtojnë të dinë historinë e Kosovës në fundshekullin e XX-të.

Ndërkaq historiani i shquar Genc Prelvukaj ka bërë një vlerësim të detajuar duke analizuar aspekte të librit:

Në shkencë materialet klasifikohen mbi premisën e risisë shkencore, për më kuptueshëm një punim mund të interpretohet si i dobishëm vetëm nëse përmban të dhëna që nuk janë botuar më parë, ose edhe në rastet kur studiuesi ka një vështrim tërësisht tjetër nga studiuesit paraprakë. Në rastin e veprës së z. Mahmuti, ndonëse gërshetohen të dyja anët, sërish fokusi kryesor qëndron të pasqyrimi i disa informatave, të cilat nuk kanë depërtuar më herët në opinionin publik.

Në kuadër të takimeve ndërkombëtare, në të cilat formacioni diplomatik i UÇK-së ishte mandatuar për të ndërtuar raporte sa më korrekte me autoritetet perëndimore, duke i informuar saktë mbi qëllimet e luftës, si dhe për ta argumentuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shtetësi, z. Mahmuti përmend edhe disa takime të cilat duket se kanë pasur impakt pozitiv në kancelaritë e forcave të mëdha.

Përmes imazheve autentike dhe referencave serioze, brenda veprës argumentohen edhe krimet serbe të cilat për të rrënuar imazhin e shqiptarëve, ishin realizuar nën uniformën e UÇK-së. Pastaj, janë shtruar në tavolinën shkencore veprimet e disa shqiptarëve të orientuar gabimisht, për të cilët autori, gjithnjë përmes provave, konkludon se ishin rekrutuar nga shërbimi serb. Ndërkohë, në mënyrë të vëmendshme trajtohen vrasjet e intelektualëve shqiptarë nga forcat serbe, sikurse rasti i Fehmi Aganit ndaj të cilit z. Mahmuti duket se ka pasur konsideratë. Për më tepër, këtu demaskohet edhe tentativa e strukturës shtetërore serbe për të manipuluar rastin e sipërthënë, përmes hetueses Danica Marinkovic, e cila ishte shndërruar në instrument përndjekës të kriminelit të luftës Milosevic.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme, është një libër i rëndësisë kapitale për sa i takon historisë, pasiqë në të gërshetohet analiza objektive me rrëfimet autentike të një personaliteti, kreditet e të cilit janë të larta në raport me aktivitetin kombëtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Një protagonist tjetër i rëndësishëm i luftës çlirimtare, Ramë Buja, ka shkruar:

Kush dëshiron të mësoj të vërtetën lakuriqe duhet ta lexoj këtë libër.

Në këtë libër të rrallë për nga vërtetësia, zë vend serioz, sqarimi i manipulimit të paskrupullt serb, për të vrarët, të rrëmbyerit dhe të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, që i gjejmë në “Librat e bardhë” të tyre, në botime të vazhdueshme, vit pas viti, nga lufta e këndej. Gënjeshtra, manipulime, trillime, stisje e malverzime që fatkeqësisht shfrytëzohen edhe në Gjykatën e Hagës, kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krimet e bëra nga pjesëtarë të forcave të armatosura ushtarake dhe policore serbe me uniforma të UÇK-së tani më janë të ditura botërisht edhe pse edhe me to bëhet lojë në këtë gjykatë. Do të duhej të ishte e mjaftueshme dëshmia e pranuar nga vet liderët serb të asaj kohe për vrasjen zezonë të gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë, me qëllim që ky krim t’iu atribuohet shqiptarëve, UÇK-së, siç bënë atëherë dhe në vazhdimësi. E ishte e ditur, që në platformën çlirimtare të UÇK-së nuk figuronte diçka e tillë. Lufta e UÇK-së kishte një synim të vetëm: çlirimin e atdheut nga pushtuesi shekullor serb, e asesi të merrej me civilët serb që nuk mbanin faj mbi supet e tyre.

Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2008, thotë autori, ishte motiv mobilizimi për Carla del Ponte-n dhe Dick Marty-n, në veçanti libri autobiografik i Carla Del Ponte-s, për të aktualizuar pretendimin për “trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”. Elemente këto që i shërbyen Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nën shtytjen dhe motivimin e rusëve dhe serbëve, për të aprovuar raport të veçantë për Kosovën. Kjo çështje e trimëroi diplomacinë serbe, sa e bëri që ta dërgoi çështjen e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Gjykatë, në të cilën morën përgjigjen meritore, kredibile dhe profesionale.

Pas vendimit të GJND-së dhe hetimeve të të thënave në raportin e Dick Marty-t, Serbia, siç thotë autori, përjetoi zhgënjim të madh, por nuk e pushoi në asnjë minutë aktivitetin kundër UÇK-së, Kosovës dhe përpjekjeve të sajë për t’u zhvilluar e konsoliduar në të gjitha lëmitë, si shtet i ri dhe demokratik.

Pas promovimit të suksesshëm në Prishtinë, sot këtë libër po e prezantojmë para jush edhe në Uster. Dua me këtë rast të falënderoj nikoqirin e këtij promovimi, shoqatën Bashkimi e cila është një vatër e kulturës e atdhetarisë./prointegra.ch/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img