Nga Ismet Rashiti
Çka kërkova përmes peticioneve drejtuar organeve ish jugosllave në vitet 1985 dhe 1987
Kësaj radhe po publikoj dy faksimile, të dy peticioneve drejtuar organeve më të larta partiake dhe shtetërore të ish Jugosllavisë nga demonstratat dhe protestat e bashkatdhetarëve tanë para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në vitin 1985 dhe 1987.
Në këto peticione të shkruara, lexuara dhe pastaj të dërguara nga posta e Lozanës përmes teletext-it nga Ismet Rashiti në emër të mijëra demonstruesve, u kërkua që:
– Kosovës ti njihet statusi i Republikës (atëherë) në kuadër të Federatës Jugosllave !
– Të zbulohen dhe të dënohen vrasësit e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës !
– Të lirohen pa asnjë kusht të burgosurit politik shqiptarë !
– Të ndërpriten dënime e rënda që po i jepen popullit shqiptar, pa asnjë bazë ligjore !
– Të ndalohet sa më parë politika për shpërnguljen e shqiptarëve !
– Që mërgimtarëve t’u mundësohet kthimi dhe punësimi në vendlindje sa më parë !
– Mërgimtarët të mos provokohen e burgosen pas kthimit për pushime në Kosovë !
– Që ushtarët shqiptarë të mos keqtrajtohen e terrorizohen gjatë kohës së shërbimit ushtarak !
– Që përfaqësitë diplomatike të Jugosllavisë, të mos i provokojnë e maltretojnë punëtprët shqiptarë gjatë kërkesave të dokumenteve personale !
Përderisa të mos realizohen të gjitha këto kërkesa, populli shqiptar nuk do të pajtohet e qetësohet asnjëherë !








