Mësuesja në pushim, nxënësve të Zhurit ua mban mësimin psikologia.
Tash e tre muaj nxënësit në një shkollë në Zhur pa mësuese, DKA u vonua në hapjen e konkursit.
Tetëdhjetë nxënës vijojnë mësimin parafillor në shkollën “Dëshmorët e Zhurit”, në Zhur.
Por një grup i tyre kanë mbetur pa mësimdhënës, meqenëse mësuesja e tyre që nga muaji dhjetor ka shkuar në pushim të lehonisë.
E për të nuk është gjetur akoma zëvendësim.
Këtë e konfirmojnë prindërit e fëmijëve të cilët kërkojnë të angazhohet një edukatore për ta.
E për tre muaj me radhë, pozitën e mësimdhënëses e ka zëvendësuar psikologia e shkollës.
Drejtori po thotë se është i vetëdijshëm që duhet të angazhohet një person adekuat për pozitën.
Porse diçka e tillë po pamundësohet pasi që Drejtoria e Arsimit ka vonuar hapjen e konkursit.
E zyra e tij është e mbushur me kërkesa për Drejtorin e Arsimit, që të hapet konkursi për këtë pozitë.
Kjo pasi që veç edukatores, ka mungesë edhe të disa mësimdhënësve.
Këtë të mërkure është mbyllur afati i konkursit për edukatore.
Por pse u shkaktuan vonesa, nuk kane treguar nga drejtoria e arsimit në Prizren gjatë ditës, të cilët thanë që nuk kanë kohë të përgjigjen.