7.3 C
Geneva
Friday, December 5, 2025

Në Gjenevë përkujtohet 35-vjetori i demonstratës dyjavore për Kosovën para OKB-së

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nën tingujt solemnë të himnit kombëtar shqiptar dhe në prani të dhjetëra pjesëmarrësve nga mërgata dhe personalitete të angazhuara në çështjen kombëtare, në Gjenevë u mbajt një ceremoni përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të demonstratës dyjavore të vitit 1990, organizuar para selisë së Kombeve të Bashkuara nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.

Ky manifestim përkujtoi një nga momentet më domethënëse të rezistencës shqiptare në mërgatë, kur për dy javë me radhë, mërgata shqiptare në Evropë u bashkua për të dëshmuar para botës padrejtësitë dhe shtypjen që populli shqiptar po përjetonte në Kosovë nën regjimin serb.

Veprimtari i njohur Ramadan Avdiu, në një fjalim të gjatë dhe përmbajtjesor, rikujtoi kronologjinë e përpjekjeve të pareshtura për liri e pavarësi, duke vënë theksin te demonstratat gjithë popullore të vitit 1981 dhe ndikimi i tyre në ndërgjegjësimin e diasporës shqiptare. Ai përmendi se shumë veprimtarë të përndjekur nga regjimi serb gjetën strehim në shtetet evropiane, e veçanërisht në Zvicër, ku Gjeneva u bë një qendër e rëndësishme e aktivitetit politik dhe organizativ për çështjen e Kosovës.

Sipas Avdiut, demonstrata e vitit 1990 para OKB-së përfaqësonte një akt të guximshëm të kundërshtimit ndaj represionit shtetëror serb dhe një thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare. Ai përkujtoi kontributin e veprimtarëve të shquar që nga viti 1981 si Kadri Avdullahu, Shyqri Ukshini, Gafurr Qala, Jup Ahmeti, Jakup Halimi, Hasan Kadriu, Ilaz Bajrami (Kosova) dhe shumë të tjerë, të cilët luajtën rol të rëndësishëm në organizimin e protestave dhe mbajtjen gjallë të frymës së rezistencës në mërgatë.

Me këtë rast, Shoqëria “Lëvizja” nderoi mikun e kahershëm të shqiptarëve, z. Ueli Leuenberger, për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj të drejtave të popullit shqiptar. Ramadan Avdiu i dorëzoi atij një mirënjohje të veçantë, e cila u prit me ovacione nga të pranishmit. Në fjalën e tij, Leuenberger u shpreh se ndihma ndaj një populli të shtypur nuk ishte vetëm një akt solidariteti, por një detyrë morale. Ai u shpreh i lumtur që kishte qenë pjesë e lëvizjes për liri dhe mbështetës i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri.

Në vazhdim të ceremonisë, Sejdi Gega, kryetar i degës së shoqatës “Lëvizja” për Zvicrën, theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të kësaj organizate në mobilizimin e diasporës, duke organizuar mbi 200 demonstrata në qytete të ndryshme të Evropës gjatë viteve të 90-ta. Ai shtoi se shumë nga pjesëmarrësit në këto protesta u bënë më vonë pjesë aktive e luftës për çlirim në Kosovë.

Më pas, veprimtari Basri Misini solli kujtime nga demonstrata dyjavore dhe aktivitetet e asaj kohe, ndërsa Adem Salihu ndau një mirënjohje për veprimtarin Sami Xhakli, për kontributin e tij të çmuar.

Programi përkujtimor u përmbyll me pika muzikore nga flautistja Morea Ragip Shala, e cila interpretoi marshin e UÇK-së, ndërsa Rapsodët e Gjenevës sollën disa këngë patriotike, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale për të pranishmit. Gjatë ditëve në vijim Alb’swiss TV, do të transmeton video reportazhin e kësaj ngjarëje. /Alb’swiss TV/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img