Mbrëmë, në qytetin e Gjenevës, në prani të shumë adhurueseve të fjalës së shkruar, personaliteteve publike dhe mërgimtarëve tanë promovohen veprat publicistike e dokumentare “Helena e epikës sonë Tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia?” të autorit, shkrimtarit e publicistit Emin Azemi.
Adhuruesit e fjalës së shkruar artistike sot duke filluar nga orët e mbrëmjes patën mundësinë të njihen me shkrimtarin dhe publicistin Emin Azemi dhe veprat e tij. Që në fillim duhet përmendur faktin se për mërgatën tonë e cila jeton në qytetin e Gjenevës, nuk janë të rralla rastet e prezantimit dhe promovimeve të librit shqip në këtë qytet. Organizimet e ngjarjeve, kulturore – letrare si dhe ngjarje të tjera të ndryshme janë për çdo lakmi dhe për tu përmendur.
Veprat artistike dhe publicistike të shkrimtarit Emin Azemi, kanë hapur dritaret e komunikimit me lexuesin e mërgatës sonë përmes shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” i cili ishte edhe organizatori i kësaj ngjarjeje kulturore. Po në këte kuadër, ishin edhe fjalët e para të hapjes së këtij manifestimi dhe mirëseardhjes për të pranishmit të cilat u shprehën nga prezentuesja e këtij manifestimi zonja Linda Maliqi. Ajo në emër të kryesisë së shoqatës Komuniteti Shqiptar në Gjenevë pasi përshëndeti të pranishmit shpalosi programin e kësaj mbrëmje dhe para të pranishmëve.
Në vazhdim fjalën e merr Kryetari i shoqatës “Komunitetit Shqiptar” zotëri Nasuf Nuhiu. Kryetari Nuhiu, duke dhënë një historik të shkurtër të shoqatës përmendi edhe shumë organizime tjera kulturore e letrare të cilat ishin organizuar më parë. Ai me këtë rast përmendi disa figura kulturore e historike duke filluar nga përfaqësues të familjes legjendare Adem Jashari, pastaj mjeshtri i madh i skenës shqiptare Mirush Kabashi, Astrit Leka iniciues i ngritjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë dhe intelektual i mirënjohur. Shkrimtari Daut Demaku, Grupi Polifonik “Bilbili” nga Vlora, pastaj solistja jonë e mirënjohur Shkurte Fejza etj.
Themeluesi dhe kryetari i parë i shoqatës “Komuniteti Shqiptar”; inxhinieri zotëri Ali Mehmeti shpalosi biografinë jetësore dhe krijuese të shkrimtarit dhe publicistit Emin Azemi veprat e të cilit po promovoheshin para lexuesve shqiptar në sallën e Komunitet shqiptar në Gjenevë.
Emin Azemi ka lind në fshatin Stançiq të Gjilanit. Shkollimin fillor dhe te mesëm i kreu në Kumanovë. Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë, Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës si dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare të Komunikologjisë në Shkup.
Në karrierën 40 vjeçare në gazetari, mbi 20 vjet ishte drejtues dhe menagjues i medies në Maqedoni dhe jashtë saj. Në rrugëtimin e tij krijues dhe profesional Emin Azemi bën pjesë në plejadën e gazetarëve e publicistëve të formuar në vitet tetëdhjetë, kurse angazhimi i tij lidhet drejtpërdrejt me formimin e një fryme të re në gazetari, që ishte iniciuar fillimisht përmes gazetës së studentëve në Prishtinë “Bota e Re”, ku ai dha padyshim një kontribut të çmueshëm, fillimisht si gazetar, pastaj edhe si redaktor dhe autor shkrimesh publicistike e kritike për teatrin, letërsinë, pikturën etj.
Më pas karrierën profesionale e vazhdon në gazetën “Rilindja”, por me mbylljen e kësaj gazete (1990) mbyllen edhe shumë mundësi për kreativitet profesional dhe në kushte kur gazetaria në Kosovë po kalonte momentet më të vështira, Emin Azemi kaloi në Shkup (1992), duke iu bashkëngjitur kolegëve të gazetës “Flaka”, ku punoi redaktor deri në vitin 1995 dhe brenda këtyre viteve ka qenë edhe korrespodent nga Shkupi i ‘Zërit të Amerikës’ dhe i gazetës ‘Illyria’.
Aktualisht është botues i revistës mujore për kulturë dhe dije “JUVENILJA”. Tha ndër të tjera zotëri Ali Mehmeti.
Krijimtaria e shkrimtarit Emin Azemi
Emin Azemi është një krijues i veçantë në publicistikën dhe letrat shqipe. Ai është i afërt, i dashur dhe i nderuar nga njerëz të profesioneve dhe moshave të ndryshme. Rrethi i tij shkon përtej punëtorisë krijuese. Nuk është vështirë për të, ose më saktë është gjithmonë kënaqësi e tij hapja e dialogut me bashkëbiseduesin. Ai me afërsinë më të çiltër njerëzore shfaqë me lehtësi fjalët për gjërat e vërteta dhe të rëndësishme. Largësitë e komunikimit, lehtësisht i kthen nga ato të gjata në të shkurtra…
Ai shkruan shumë për kaosin në shpirt, por edhe në shoqëri. Shkruan për gjendjen dhe vlerat shpirtërore të shoqërisë sonë për të keqen që ka përthekuar realitetin e bërjes së jetës sonë. Rreshtat e tij janë plot hidhërim, keqardhje por edhe sinqeritet dhe gatishmëri për prosperitet. Emin Azemi flet për bukurinë e fjalës, për saktësinë dhe polemikat, e të keqen e cila, fatkeqësisht po e përcjellë shoqërinë tonë. Fjalët e shkrimeve, analizave të cilat i zhvillon sikur i rrotullohen në gojë si guralecë shumëngjyrësh që vijnë nga valët dhe secili prej nesh habitet: “Si nuk e kemi vënë re më parë këtë ?!”
Edhe libri i tij i fundit i botuar në tri vëllime “Helena e epikës sonë Tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia?”, drejtpërsëdrejti japin jehonën analizuese estetike dhe publicistike të realitetit të cilin shkrimtari e ka mbërthyer në kthetrat e tij këmbëngulëse krijuese, duke përdorur të gjitha mjetet e ekzaltimit, shkrirjes dhe demaskimit të shumë dukurive devijuese e besa edhe keqësuese që e ka përthekuar dhe po e zvetënon njëmendësinë tonë.
Nëpër faqet e veprave të tij të botuara edhe më herët por sidomos në këto të fundit do gjejmë fillimisht habinë fillestare, gëzimin, bukurinë dhe madhështinë e botës, dhembjen e sinqertë dhe zhgënjimin akut për rënien e vlerave në shoqërinë tonë.
Vlerat e veprave
Shkrimtari Gani Bytyçi duke folur për veprimtarinë krijuese të shkrimtarit veprat e tija të fundit “Helena e epikës sonë Tragjikomike”, ”Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia? ”të botuara të cilat promovohen këtë mbrëmje në Gjenevë, u ndalë në shumë aspekte të cilat spikasin krijimtarinë publicistike e letrare të shkrimtarit Azemi.
Zotëri Bytyçi vazhdon me fjalët për librat duke shtuar se para lexuesit del një libër i cili e ka shpëtuar nga harresa gjithë atë që ka ndodhur në Maqedoni, por jo vetëm në të.
Aty në të vërtetë përshkruhet në mënyrë mjeshtërore jeta jonë me batica e zbatica, me lëvizje anakronike dhe me paradokse të përcjella me hijet dhe pehlivanllëqet ballkanike, me zhurmat e një pale dhe heshtjen e palës tjetër, me krekosjen e disave dhe përuljen e të tjerëve. Krahas mugëtirës që e mbulon këtë kohë të përshkruar, librin e përshkon edhe një rreze e theksuar drite. Dhe, kjo dritë është puna me përkushtim e autorit, rrëfimi i qartë, doemos edhe mesazhet humane që përcjell ai.
Në librat e Emin Azemit jepet realiteti i zhveshur, pa maska, pa ekzagjerime, pa hiperbola… Jepet e vërteta ashtu siç është, siç duhet të ishte… Ky realitet është si një lumë i thellë që ka thithur ujërat e tokës dhe qiellit, duke reflektuar këta qiej dhe duke shkrirë baltën viskoze në një fund të thellë nën ujërat e tij…
Për ta nderuar këtë ngjarje kulturore, grupi muzikor “Hareja” para publikut u shfaq me dy pika muzikore, ¨Kosovë vendi im i bukur” i interpretuar nga solisti i cili gjithë jetën në mërgatë i këndoj atdheut, Shpejtim Krasniqi dhe me këngën “Ky marak” të interpretuar nga solisti Bardh Ramadani, të shoqëruar nga kitaristi Bashkim Krasniqi. Ndërsa artistja e talentuar dhe valltarja e dalluar e Ansamblit “Gëzuar” Ejona Bytyçi me këngën e saj “Në Kosovë më gëzohet zemra” entuziazmoi artdashësit e pranishëm.
Pas pikave muzikore fjala prapë kthehet tek shkrimtarët ku disa pyetje të cilat u shtruan nga të pranishmit, shkrimtari Emin Azemi ju dha përgjigjet e merituara për shumë çështje krijuese e shoqërore.
Në fund organizatori “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” për nderë të veprës së autorit kishte përgatitur një aperitiv nga ushqimet, specialitetet dhe ëmbëlsirat shqiptare. Me këtë rast shkrimtari Azemi pas komunikimeve të drejtpërdrejta me lexuesin bëri edhe shpërndarjen e veprës së fundit të tj.
Lexuesit përherë i kanë vlerësuar ato vepra arti, ku dramat e zemrës njerëzore ose thjesht karakteri i brendshëm i një krijuesi shprehet me gjithë plotësinë e mundshme. E tillë është edhe vepra më e re e krijuesit Emin Azemi./Alb’swiss TV/