Në Gjenevë u shënua 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Në organizim të Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, më 8 maj 2026, në ambientet e Centre de quartier de l’Étang në Gjenevë, u mbajt një mbrëmje përkujtimore kushtuar Ditës së Dëshmorëve.

Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të dëshmorëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe bashkatdhetarë të shumtë nga Gjeneva e rrethina.

Mbrëmja u hap solemnisht me intonimin e Himnit Kombëtar, në shenjë nderimi për të gjithë dëshmorët që ranë për lirinë e atdheut. Në fjalën hyrëse, në emër të Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, sekretajra e kësaj shoqate, znj. Linda Rexhaj Maliqi, u uroi mirëseardhje të pranishmëve në këtë përkujtim të shenjtë dhe theksoi se prania e tyre nderon gjakun e lirisë dhe sakrificat e dëshmorëve të kombit.

Pas hapjes solemne, fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, z. Nasuf Nuhiu. Në fjalën e tij, ai përshëndeti familjet e dëshmorëve, veteranët e UÇK-së, mysafirët e ftuar, përfaqësuesit e shoqatave dhe të gjithë të pranishmit. Ai theksoi se Dita e Dëshmorëve është ditë përuljeje, kujtese dhe respekti ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë e kombit.

Kryetari Nuhiu nënvizoi se dëshmorët janë ndër shtyllat kryesore të identitetit kombëtar shqiptar, krahas gjuhës dhe flamurit, të cilët i bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë. Ai tha se liria që gëzohet sot nuk është produkt i rastësisë, por rezultat i rezistencës, i luftës së drejtë çlirimtare dhe i gjakut të derdhur nga dëshmorët e kombit.

Një vend i veçantë në program iu kushtua dëshmorit Kenan Halimi, i cili pikërisht nga ky qytet ishte nisur për luftën çlirimtare. Gjithashtu, para të pranishmëve u prezantua një pjesë e filmit dokumentar ku tregonte heroizmin e dëshmorit deri në çastet e rënies së tij. Me një fjalë mesazhi i këtij prezantimi doli se Kenani me shokë Suherekën e bënë Therandë.

Për jetën dhe veprën e tij foli Hajrush Sadiku pjesëtar i familjes, i cili rikujtoi sakrificën e dëshmorit, rininë e ndërprerë nga dhuna e okupatorit dhe amanetin që dëshmorët ua lanë brezave: të mos harrohet kurrë çmimi i lirisë. Një moment prekës dhe emocionues ishte prezenca e nënës së dëshmorit Kenan Halimi e cila ishte e pranishme ne këtë ngjarje përkujtimore. Z. Sadiku duke pasqyruar jetën e dëshmorit tregoi me emocion kur dëshmori kishte vendosur të kthehej në Kosovë për të i’u bashkuar radhëve të Ushtrisë çlirimtare.

Në vazhdim, Nerxhivane Sejdiu-Ferati, anëtare e kryesisë së shoqatës, interpretoi një poezi të shkruar enkas për dëshmorin Kenan Halimi. Ky moment poetik i dha mbrëmjes një dimension të veçantë eocional dhe artistik, duke sjellë para të pranishmëve kujtimin e dëshmorit përmes fjalës së ndjerë.

Pas deklamimit të poezisë fjalën e mori Avni Azemi vëlla i dëshmorit Nijazi Azemi-Komandant Mjekrra i cili tha se dëshmorët e Kombit janë ata të cilët dhanë të fundmen atë që mund të jepet – jetën, andaj gjaku i tyre ndodhet në gurthemelet e lirisë që e gëzojmë. Ai gjithashtu duke shpalosur kujtime për komandant  Njazi Azemin, kujtoi një çast kur komandant Mjekrra kishte thënë “Nuk mund të rri i qetë në Zvicër derisa ushtria serbe, bënë masakra në tokat tona.

Më pas, shkrimtari dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Azizi, në paraqitjen e tij pasqyroi rrugën e gjatë të përpjekjeve shqiptare për çlirim, duke dhënë një kronologji të organizatave ilegale kombëtare që vepruan deri në daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lindi rastësisht, por ishte vazhdimësi e një përpjekjeje shumëvjeçare të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar.

Në këtë frymë, u theksua se lufta çlirimtare ishte rezultat i qëndresës së brezave, i organizimit politik e kombëtar, i sakrificës së veprimtarëve, i burgjeve, i veprimtarisë ilegale, i mërgatës dhe i gatishmërisë së bijve e bijave shqiptare për të mos u pajtuar me robërinë.

Programi vijoi me poezinë “Bijtë e humbur”, të interpretuar nga Blerim Bunjaku. Poezia u prit me emocion nga të pranishmit dhe e pasuroi mbrëmjen me një tjetër moment artistik kushtuar dhimbjes, krenarisë dhe kujtesës kombëtare.

Në pjesën tjetër të mbrëmjes, Prof. Dr. Xhevat Hasani foli për veprën e tij “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Para fjalës së tij, të pranishmit u njohën shkurtimisht me jetën dhe veprimtarinë e profesor Hasanit, autor i disa librave me karakter publicistik e politik. Në prezantimin e tij, ai trajtoi çështje që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar, rëndësinë e gjuhës, flamurit dhe kujtesës historike si shtylla të pandashme të qenies sonë kombëtare.

Prezantimi i kësaj vepre u vlerësua si pjesë e rëndësishme e mbrëmjes përkujtimore, pasi lidhi kujtesën e dëshmorëve me domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Në fjalimet e mbajtura u theksua se dëshmorët nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës, por prani e gjallë morale në ndërgjegjen e kombit. Ata janë kujtesa që thërret për të mos harruar dhe shembulli që dëshmon se liria nuk është dhuratë, por sakrificë.

Në përmbyllje të programit artistik, Grupi “Hareja”, nën udhëheqjen e solistit Bardh Ramadani, interpretoi këngën e njohur “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës. Kjo këngë, e cila tashmë është kthyer në simbol të kujtesës dhe nderimit për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën për liri, krijoi një atmosferë të fuqishme emocioni, krenarie dhe bashkimi shpirtëror.

Në fund të aktivitetit, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, mysafirët, familjarët e dëshmorëve, veteranët, përfaqësuesit e shoqatave dhe bashkatdhetarët që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje përkujtimore. Të pranishmit u ftuan për një aperitiv dhe për vazhdimin e bashkëbisedimit në frymë vëllazërore.

Ky aktivitet në Gjenevë dëshmoi edhe një herë se mërgata shqiptare mbetet e lidhur fort me kujtesën historike, me vlerat e luftës çlirimtare dhe me amanetin e dëshmorëve. Përmes organizimeve të tilla, Shoqata “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” synon që kujtimi për dëshmorët të përcillet te brezat e rinj dhe të mbetet pjesë e gjallë e ndërgjegjes kombëtare.

Dita e Dëshmorëve u përmbyll me mesazhin se emrat dhe vepra e dëshmorëve duhet të lartësohen përherë, sepse ata janë themeli i lirisë, krenaria e kombit dhe udhërrëfyesit moralë të brezave./Alb’swiss TV/

Foto: Mentor Zajmi & Alb’swiss TV

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img