Mbrëmë, në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, u shfaq ekspozita personale “Gjurmet në Medalion” të artistes Valbona Gashi. Ky aktivitet u organizua me qëllim të prezantimit të krijimtarisë artistike shqiptare duke sjellë para të ftuarëve një cikël veprash që shquhen për finesë, simbolikë dhe qasje unike vizuale, njofton Alb’swiss TV.
Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme, znj. Floreta Kabashi Ademaj, mbajti një fjalë rasti, ku shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj ekspozite dhe i njoftoi të pranishmit me veprat e artistes, duke vënë theksin në rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës sonë në arenën ndërkombëtare.
Zonja Artina Fejzullahu përshëndeti të pranishmit, prezantoi një përmbledhje të kritikës nga artisti Musë Prevlukaj dedikuar artistes Valbona Gashi, ku u theksuan elementi i identitetit dhe gjuha e veçantë artistike që e karakterizon krijimtarinë e saj.
Stili i saj karakterizohet nga ngjyra të fuqishme, penelata të sigurta dhe kompozime të balancuara. Peizazhet sjellin energji, lëvizje dhe ndërthurje të reales me abstrakten, duke krijuar një stil personal. Punimet dekorative shquhen për motive etnike, ornamente të stilizuara dhe përpunim të imët, ndërsa torzot dëshmojnë zotësinë e saj në dimensionin skulpturor.
Përveç krijimtarisë, ajo kontribuon edhe si pedagoge dhe vazhdon projekte të reja në artin pamor dhe aplikativ. Sipas artistit Musë Prelvukaj, vepra e saj përfaqëson një zë të fuqishëm të artit bashkëkohor shqiptar dhe ka potencial për çdo galeri apo koleksion serioz.
Piktorja dhe studiuesja Valbona Gashi Shala vlerësohet si një figurë e rëndësishme e artit bashkëkohor në Kosovë, me krijimtari që përfshin pikturën abstrakte, peizazhet moderne dhe punimet dekorative të frymëzuara nga trashëgimia shqiptare. Ajo punon në tri drejtime kryesore: kompozime abstrakte, peizazhe ekspresive dhe objekte dekorative si medalionë, aksesorë dhe torzo me estetikë antike.
Më pas, Konsullja e Përgjithshme, znj. Floreta Kabashi Ademaj, mbajti një fjalë rasti, ku shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj ekspozite dhe i njoftoi të pranishmit me veprat e artistes, duke vënë theksin në rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës sonë në arenën ndërkombëtare.
Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi interpretimi në violonçel i artistes shqiptare Laura Goga, e cila me interpretimin e saj briliant i dha kësaj mbrëmje edhe më shumë vlerë dhe shkëlqim artistik.
Në përmbyllje, të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me artisten Valbona Gashi, të shkëmbejnë përshtypje dhe të ndajnë çaste të këndshme reflektimi gjatë aperitivit. Ekspozita u prit me interesim të veçantë, duke dëshmuar edhe një herë vlerën e artit shqiptar në diasporë dhe rëndësinë e mbështetjes së krijuesve që e përfaqësojnë atë me dinjitet./Alb’swiss TV/






















