Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila është strehuar në Kosovë, bëri të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Makey, e cila është larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit rus, do të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ajo punon për platformën Open Democracy.
Sipas Makey, puna e gazetarëve në Ukrainë është e rrezikshme, duke treguar se deri më tani, forcat ruse kanë vrarë 21 gazetarë.
Arritja e saj në Kosovë është bërë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)” një program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Në mars, Qeveria e Kosovës tha se është e gatshme të strehojë 20 gazetarë ukrainas dhe për këtë ndau 150,000 euro dhe tha se do t’i strehojë ata deri në një periudhë gjashtëmujore.