Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi një pritje solemne për të shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë ngjarje morën pjesë mbi një mijë pjesëmarrës nga mërgata shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik e konsullor, mysafirë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.
Pritja u mbajt në sallën prestigjioze të qytetit të Gjenevës, Victoria Hall, me interpretimin e dy artistëve të njohur ndërkombëtarisht, Ramë Lahaj dhe Marigona Qerkezi, duke e bërë mbrëmjen një festë të veçantë, solemne dhe kulturore.

Festimi i ditëlindjes së shtetit të Kosovës nisi me intonimin e himnit kombëtar, duke shënuar zyrtarisht hapjen e manifestimit.
Në vijim, me një fjalë mirëseardhjeje, të pranishmëve iu drejtua Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, nikoqire e kësaj mbrëmjeje.
Me një fjalë përshëndetëse më pas u adresua edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi.
Për ta nderuar këtë ngjarje, të pranishëm ishin figura të rëndësishme nga jeta diplomatike, kulturore dhe kombëtare, si dhe miq e personalitete helvetike dhe ndërkombëtare, si: znj. Megi Fino, Zëvendësministre e për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë; z. Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër; znj. Vasilika Hysi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Gjenevë; znj. Ana Roch, Presidente e Këshillit të Madh të Kantonit të Gjenevës; z. Frédéric Borloz, Këshilltar Shtetëror i Kantonit të Vaudit; znj. Marjorie de Chastonay, Këshilltare Administrative e Qytetit të Gjenevës; z. Musa Kamenica, Kryetar i Këshillit Komunal të Qytetit të Lozanës, etj. Pjesa protokollare u udhëhoq ne mënyrë brilante nga znj. Artina Fejzullahu
Mirënjohja e Kosovës ndaj Zvicrës dhe mërgatës
Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, në fjalën e saj theksoi rëndësinë historike të 17 shkurtit 2008, duke nderuar sakrificat e gjeneratave të tëra që kontribuuan për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit, si dhe duke vlerësuar sukseset e arritura gjatë këtyre 18 viteve të shtetësisë.
“Sot, duke festuar 18-vjetorin e pavarësisë, kujtojmë të gjithë ata që u flijuan dhe sakrifikuan për lirinë tonë. Nderojmë heronjtë, dëshmorët, martirët, invalidët dhe veteranët, si dhe veprimtarët dhe ish-të burgosurit politik të Kosovës. Kujtojmë gjithashtu qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave”.
Ajo shtoi se sot Republika e Kosovës qëndron si një histori suksesi, një demokraci funksionale, e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe garantimit të lirive themelore për të gjithë qytetarët e saj.
Gjithashtu, theksoi rëndësinë e miqësisë së Kosovës me Zvicrën dhe vendet e tjera që e kanë mbështetur gjatë sfidave më të mëdha historike. “Kosova gjithmonë i ka vlerësuar thellësisht miqtë dhe aleatët e saj. Zvicra zë një vend të veçantë mes tyre, ashtu si edhe shumë vende të tjera që i kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, duke ofruar mbrojtje, solidaritet dhe shpresë. Gjeneva mbetet në zemër të kësaj kujtese politike,” tha znj. Kabashi.
Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për mërgatën shqiptare në Zvicër për angazhimin e tyre të pandërprerë në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Mërgata do të mbetet përherë pjesë e pandashme e Kosovës.

Znj. Kabashi theksoi se mërgata shërben si një urë lidhëse mes dy vendeve. Veçanërisht, ajo vlerësoi gratë e diasporës për qëndrueshmërinë, forcën dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm, si në shoqërinë zvicerane, ashtu edhe në zhvillimin e Kosovës.
Gjithashtu, znj. Kabashi vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet kantonale dhe komunale, si dhe falënderoi miqtë zviceranë, duke përmendur veçanërisht z. Ueli Leuenberger për angazhimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj komunitetit tonë dhe Kosovës.
Lidhja e mërgatës me Kosovën
Në fjalimin e tij, Ambasadori Mentor Latifi theksoi lidhjen e fortë dhe të pathyeshme që mërgata kosovare ruan me vendlindjen. Ai vuri në pah se kjo lidhje nuk është vetëm emocionale, por përfaqëson edhe një angazhim të vazhdueshëm dhe një kontribut të çmuar për zhvillimin e Kosovës.
Ambasadori shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe mbështetjen e pakursyer të mërgatës, duke theksuar se suksesi profesional, ruajtja e gjuhës dhe e kulturës kombëtare bëjnë që ata të jenë ambasadorë të denjë të Kosovës kudo që jetojnë. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e rëndësishëm të qytetit të Gjenevës si një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë dhe organizimit të mërgatës kosovare në Zvicër, ku janë hedhur themelet e shumë iniciativave kombëtare dhe kulturore.
Përfundimisht, Ambasadori Latifi ftoi mërgatën dhe qytetarët që të vazhdojnë së bashku ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të zhvilluar dhe më të integruar në familjen evropiane, duke ruajtur gjithmonë lidhjen me atdheun dhe identitetin kombëtar.
“Prania juaj sot këtu dëshmon qartë lidhjen e fortë dhe të pathyeshme që mbani me vendlindjen. Ju mbeteni shtylla kryesore e zhvillimit dhe mirëqenies së vendit tonë. Përmes punës tuaj të palodhur dhe integrimit në shoqërinë zvicerane, ju keni ndërtuar jetë të dinjitetshme për familjet tuaja dhe keni qenë mbështetje e fuqishme për Kosovën,” tha Ambasadori.
Ai gjithashtu theksoi se Gjeneva ka qenë një nga shtyllat kryesore të organizimit të diasporës kosovare dhe se këtu janë hedhur themelet e shumë iniciativave patriotike, kulturore dhe kombëtare, të cilat kanë kontribuar drejtpërdrejt në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Historia juaj dhe e jonë janë ndërthurur prej dekadash
Në emër të Komunës së Gjenevës, znj. Marjorie de Chastonay përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe e cilësoi 18-vjetorin e pavarësisë si një simbol të fuqishëm të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar:
“Është një nder i veçantë të jem me ju sonte. Tetëmbëdhjetë vjet është mosha e madhërisë – një moment reflektimi mbi rrugën e përshkuar dhe një vështrim me besim drejt së ardhmes. Historia juaj dhe e jona janë ndërthurur prej dekadash, dhe kjo afërsi e bën këtë mbrëmje një përkujtim të përbashkët.”
Ajo gjithashtu vlerësoi pjesëmarrjen aktive të komunitetit kosovar në jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Gjenevës dhe tërë shtetit zviceran në përgjithësi.

Frédéric Borloz: Mërgata, urë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës
Z. Frédéric Borloz, ministër i Kantonit të Vaudit, u shpreh i impresionuar nga kontributi i diasporës kosovare dhe nga rëndësia e marrëdhënieve ndërkulturore:
“Ky është rezultati më pozitiv i emigrimit: kur shkëmbimet thellohen, kur miqësia forcohet dhe marrëdhëniet bëhen dypalëshe. Brezat që do të vijnë do ta shohin të ardhmen me qetësi dhe besim, sepse miqësia mes popujve ka një vlerë të jashtëzakonshme.”
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të mërgatës kosovare dhe rolin e saj si urë lidhëse mes Zvicrës dhe Kosovës, duke u shprehur optimist për ruajtjen e një ekuilibri të qëndrueshëm dhe marrëdhënieve të forta midis dy vendeve.

Ana Roch: Historia e Kosovës është e mbushur me guxim, dhimbje, dinjitet dhe shpresë
Zonja Ana Roch, Presidente e Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, ndau përvojën e saj personale dhe respektin e thellë për Kosovën:
“Kam zbuluar këtë vend dhe ai ka zënë një vend të veçantë në jetën time. Historia e Kosovës është e mbushur me guxim, dhimbje, dinjitet dhe shpresë. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë miqtë e diasporës dhe përfaqësuesit e Kosovës që më kanë shoqëruar dhe më kanë nderuar me titullin ‘Qytetare Nderi’.”

Interpretimi i artistëve shqiptarë
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte koncerti i dy artistëve shqiptarë me famë botërore, Ramë Lahaj dhe Marigona Qerkezi. Interpretimet e tyre klasike u pritën me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar sallën “Victoria Hall” në një atmosferë madhështore dhe festive, ku muzika u bë ura lidhëse midis kulturës, interpretimit dhe emocioneve të bukura me këtë rast.

Mbrëmja e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Gjenevë nuk ishte thjesht një festim; ishte një përkujtim i përbashkët, një shprehje mirënjohjeje dhe një vlerësim i rolit jetik të diasporës dhe i miqësisë ndërkombëtare të shqiptarëve, e në veçanti të Kosovës. Kjo ngjarje forcoi edhe më tej lidhjen mes mërgatës, atdheut, artistëve shqiptarë, komunitetit dhe institucioneve lokale, duke shërbyer si një urë për bashkëpunim dhe dialog kulturor mes dy vendeve.

Manifestimi i pavarësisë së Kosovës edhe një herë na kujtoi se kultura dhe arti janë më shumë sesa interpretimi në një skenë; ato janë mjete që bashkojnë njerëzit, përçojnë vlera dhe krijojnë një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Në fund të mbrëmjes, pas çdo note dhe duartrokitjeje, mbeti një mesazh i pashkruar, por i ndjerë nga të gjithë: Urime, Kosovë, për 18-vjetorin e pavarësisë! Festa u përmbyll me dëshminë e krenarisë, përkushtimit dhe dashurisë për vendin./Alb’swiss TV/
Foto: © R.C Anaider






