Një kritikë e mirëfilltë për gjendjen kritike të shoqërisë

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Shkruan Blerim Rreci

Libri “Pasionet e idiotëve” i Labinot Kunushevcit është një libër që përbëhet nga artikuj që trajtojnë problematika të rëndësishme e të ndjeshme të vendit e të shoqërisë sonë, e cila është mbërthyer e mbështjellur prej plagëve e krizave të mëdha e të thella, që ka kohë që na mundojnë e shqetësojnë dhe përpjekjeve për të gjetur shtigje për të gjetur rrugëzgjidhjet e duhura.

Gjithë këto ngecje e gjithë kjo katrahurë , gjithë ky kaos e gjithë ky mjerim, e gjithë kjo krizë morale, gjithë kjo shkapërderdhje e humbje energjishë, që sjell gjithë këtë kokëçarje përbëhet prej faktorësh e aktorësh të ndryshëm, për të cilat autori na dërgon deri te burimi i kësaj stërkeqjeje, ushqyer e mbajtur nga ‘pasionet e idiotëve’.

Kush janë në të vërtetë të tillët(idiotët), me të cilët jemi të rrethuar? Ata janë njerëzit që mendojnë që bota duhet të sillet vetëm rreth tyre, e nuk i kryejnë detyrat e profesionet që iu takojnë, janë ata që punojnë për interesa të ngushta të tyre ose të padronëve të tyre, ose klaneve të caktuara përbërë nga politikanë rangjesh të ndryshme, zyrtarë, drejtorë, shefa, menaxherë, punëtorë; janë ata që mendojnë që çdo gjë shitet e blihet, që vënë paranë, materializmin, liderët, kultet e individëve i vënë në rend të parë; janë ata që servilosen, shesin e blejnë diploma, ndërrojnë parime e qëndrime orë e çast, janë ata që janë (ose edhe ata që s’janë kompetentë) për detyrat që kryejnë, janë ata kryeneçët që insistojnë se kjo gjendje kështu siç është duhet të vazhdojë në arsim, shëndetësi, drejtësi, gazetari e kështu me radhë. Janë ata që veten e paraqesin shpëtimtarë, të pagabueshëm, që mendojnë që çdo gjë fillon me ta e pas tyre asgjë s’ka vlerë, e çfarë s’mendojnë e çfarë s’bëjnë për të mos ua trazuar kush pozitat e postet, fjalët e gjendjen e komoditetit në të cilën ndodhen!

Pas gjithë kësaj kohe e kësaj gjendjeje të rëndë, e të shpërfaqur në terren për të cilën flasin faktet, argumentet, këta njerëz, këta persona e tipa me kryeneqësi e pasion veprojnë e insistojnë që kjo gjendje të vazhdojë, me ndarje e përçarje, me sundim, me xhelozi e hipokrizi, me variante të shumta alleshverishesh.

Janë ata që punëtorëve u thonë “unë po u mbaj me bukë juve e familjen”e “falë meje je ky që je, e ke arritur këtu ku ke arritur”, për të vazhduar me fraza kaq të ulëta e pa ndjerë pikën e turpit. Me pak fjalë janë ata që bëjnë dredhi e dhelpëri, janë dinakë e tinëzakë që shfrytëzojnë gjendjen e krijuar për të vepruar, që u pengojnë rregulli, vlerat e kriteret.

Por autori duke folur për përvojën e tij jetësore, me pak fjalë e me modesti për angazhimet, përpjekjet, punën, të arriturat, me shembullin e tij dhe të atyre që u flasim e u përputhen fjalët me vepra jep një porosi të qartë për rrugën drejt dritës që ndoqi pa ligështim e dorëzim duke punuar që si adoloshent pa u ndalur, qoftë si librashitës, pastaj si kamarier e punë të ndryshme, e edhe si punëtor sezonal jashtë shtetit, duke vazhduar edhe studimet, duke u marrë me aktivitete të ndryshme kulturore, në projekte, në publikime vendore e ndërkombëtare (Ekspozita “Prishtina në 77 pamje”; zëvendësudhëheqës i Guidave, në Olimpiadën Europiane të Matematikës për vajza-EMGO 2025; intervistues i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, intervistues i shkenctarëve të njohur botëror, intervistat të botuara në revistën e njohur “Global Dialogue”, e të publikuara në 17 gjuhë botërore; studime, publikime në revista e medie e botime të librave në fushën e sociologjisë etj).

Këto përpjekje të kurorëzuara me suksese ndonëse të shpërfillura nga institucione të ndryshme shtetërore, universitare e komunale, shoqëruar dhe me heshtje e harrim të atyre që s’duan ta prishin terezinë me askë.

Por e mira e kësaj pune dhe e këtyre përpjekjeve kanë sjellur deri te rezultati që Labinot Kunushevci vazhdon të jetë aktiv e i përkushtuar, për të dëshmuar për rezultatet e arritura me mund e meritë, duke folur me shembujt e tij,(pos që është një nga themeluesit, është edhe kordinator profesional në fondacionin VILDANA, i themeluar nga mërgata shqiptare në Zvicër, për t’i mbështetur me bursa studentët e talentuar shqiptarë. Po ashtu udhëheq dhe Platformën informative Epiqendra.com.)

Dhe si rezultat i punës, kërkimeve, hulumtimeve solli në dritë veprën e tij të re (vije para lexuesit me botimin e tretë të librit “Pasioni i idiotëve”) që u përmend më lart.

Në vazhdim të librit do shohim artikujt që bëjnë fjalë për prindërit dhe rolin e tyre në edukimin e fëmijëve, sfidat dhe vështirësitë; për sistemin arsimor e edukues që ka nevojë për pastrim e përmirësim të thellë, për punëdhënësit dhe shkeljen e madhe të të drejtave të punëtorëve, për depresionin dhe dehumanizmin e njeriut, për ideologjitë që çojnë në luftëra e shkatërrime, gjenocid, krime(komunizmi, fashizmi etj, etj), për teoritë që nxisin njeriun kundër njeriut (evolucioni), për trushpërlarjen, për mediet, për fshehjen a mjegullimin e fakteve e së vërtetës, për të ashtuquajturit analistë (politikë, sportivë, gjithologë…), për spektaklet degjeneruese (big brodher…), për motivet e ulëta që sjellin deri te krimet, vrasjet, për dështimin e drejtësisë, për islamofobinë, për kritikën fishkulluese për politikbërjen, për kritikën për klerikët (hoxhallarët)që nuk përshtaten me realitetin social, për patriotët e rrejshëm, për dyshimet e ca vlerave që paraqiten si të (pa)kontestueshme (Çmimi Nobel, i cili iu dha hartuesve e përkrahësve të krimeve makabre e antinjerëzore!), për tema historike dhe ndikimin afatgjatë e pasojat e rënda për shoqërinë (kolonizimi i Kosovës përgjatë dekadash e dekadash), për rolin e teknologjisë e intelegjencës artificiale dhe njeriun që duke qenë zbuluesi e komanduesi i mjeteve, t’i përdorë ato në të mirën e tij etj.

Gjithë kjo larmi temash që zënë vend në këtë libër, që na shërbejnë për ta kuptuar më mirë realitetin ku jetojmë e veprojmë dhe na shërben për të ditur më mirë për problemet, për të drejtat, për mbajtjen e drejtpeshimit, në ditët e sotme.

Ky libër pos që është një kritikë e mirëfilltë për gjendjen kritike ku gjendemi ne si shoqëri, mbart edhe porosi për rrugën që shpie kah paqja, humanizmi, solidariteti, dinjiteti, diversiteti, mirëkuptimi, e mira, e bukura, përkujdesja, mirëqenia, mirëmbajtja, konkurrenca e shëndoshë, vlerat dhe kultivimi i tyre…

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img