7.2 C
Pristina
Saturday, October 16, 2021

Një rast pozitiv nuk e izolon klasën

Edhe pse një nxënës në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka rezultuar pozitiv me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, grupi i klasës së tij të martën, më 2 mars, ka mbajtur mësim në shkollë.

Ky nxënës ka rezultuar pozitiv me COVID-19 më 26 shkurt dhe këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë me anë të një dokumenti të lëshuar nga një laborator privat.

Në bazë të rekomandimeve për mbrojtje nga COVID-19 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në rast se një nxënës i një klase rezulton pozitiv me koronavirus, e gjithë klasa për dy javë izolohet dhe mësimi zhvillohet nga distanca.

Drejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda”, Azem Jaha në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se për rastin konkret, “nuk ka ndonjë rekomandim nga Instituti”.

Ai shton se çdo rekomandim që vjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike zbatohet nga shkolla dhe tregon se tashmë disa grupe, mësimin po e zhvillojnë nga distanca.

 “Sot (e martë) edhe nxënësit e klasës së 11-të do të shkojnë në IKSHPK që të bëjnë analizat, për të vërtetuar se a janë pozitivë apo negativë, pasi ka pasur një rast të infektuar”, tha Jaha.

Por, zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexha, thotë se në rast se në një grup ka nxënës të infektuar, mësimi duhet të kalojë nga distanca.

“Nëse nuk ka shkuar grupi online, kjo është shkelje e rëndë. Ose ka ndonjë rrethanë tjetër, si nëse fëmija nuk ka qenë në shkollë dy-tre ditët e fundit para se të konfirmohet dhe nuk ka pasur kontakt me fëmijët”, thotë ai.

SBASHK: Jo të gjitha shkollat po zbatojnë masat kundër COVID-19

Masat kundër COVID-19 në shkollat e Kosovës nuk janë duke u zbatuar si më herët, thotë Ymer Ymeri, përfaqësues i Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK). Ai pranon se mund të ketë raste të neglizhencës së respektimit të masave, por shqetësuese sipas tij, është se në disa shkolla, në vise rurale dhe qytete më të vogla, shkollat e zhvillojnë mësimin me numër të madh të nxënësve në një klasë.

“Disa shkolla mësimin janë duke e mbajtur me orar të rregullt prej 45 minutave, pasi i kanë bashkuar dy grupet në një klasë”, thekson Ymeri.

Një nga institucionet arsimore ku janë bashkuar dy grupet në klasë është shkolla fillore “Shaban Jashari” në Komunën e Skenderajit. Drejtoresha e kësaj shkolle, Hyra Tahiraj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se disa nga grupet janë detyruara t’i bashkojnë në gjysëmvjetorin e dytë, për shkak të mungesës së hapësirës.

Numri i nxënësve në këto klasa, sipas saj, është deri në 25. Megjithatë, ajo thotë se nga muaji tetor i vitit të kaluar, nuk ka pasur asnjë rast të nxënësve të infektuar me koronavirus.

“Nuk kemi hapësirë të mjaftueshme. Kurse gjatë zhvillimit të mësimit të klasave në dy grupe, kemi pasur probleme të shumta për shkak kohës së shkurtër nga ndërrimi i parë në të dytin. Kanë qenë vetëm dhjetë minuta në dispozicion dhe nuk kemi arritur të dezinfektojmë dhe pastrojmë objektin”, thekson Tahiraj.

Ramadani: Nxënësit me COVID-19 duhet të izolohen

Infektologu Hamdi Ramadani, ndërkaq tërheq vërejtjen se shkollat duhet të respektojnë masat kundër koronavirusit, për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe mundësisë më të lehtë të përhapjes së virusit edhe te familjet e tyre.

“Prandaj, të gjithë ata persona që kanë qenë në kontakt apo kanë qenë bashkë në një ambient, siç është shkolla apo paralelet, duhet gjithsesi që nxënësit e klasës dhe shkolla të izolohen për një periudhë dyjavore, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit”, shprehet Ramdani.  

Në Kosovë, rreth 5.000 persona nga mosha zero deri në 19 vjeç janë prekur me sëmundjen COVID-19. Nga kjo shifër, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar ditë më parë për REL, nga mosha zero deri në nëntë vjeç janë infektuar me koronavirus 1.050 fëmijë, kurse nga mosha dhjetë e deri në 19 vjeç janë regjistruar 3.631 raste me COVID-19.

Përveç nxënësve, nga fillimi i viti shkollor 2020/2021, me koronavirus janë infektuar 2.641 mësimdhënës. Për këtë, SBASHK-u ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, që punëtorët e arsimit t’i kenë si prioritet për t’i vaksinuar me vaksinat kundër COVID-19, kurdo që ato të arrijnë në Kosovë.

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka parajamëruar se janë në pritje të “konfirmimit final” nga COVAX-i për marrjen e mbi 10 mijë dozave të vaksinës kundër koronavirusit.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Të Fundit
spot_img
Postime të ngjajshme
spot_imgspot_img