KQZ jep detaje për numërimin e votave me kusht.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Menjëherë pas tyre, do të fillohet me numërimin e votave nga jashtë Kosovës.
Sipas të dhënave janë rreth 32 mijë fletëvotime të konfirmuara me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë pjesë e procesit të numërimit. Deri më tani janë numëruar më shumë se gjysma e tyre.
“Pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, këtu në QNR do të fillojmë me numërimin e votave nga jashtë vendit, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, njofton zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Tashmë, shërbimi votues i KQZ-së ka përmbyllur vlerësimin dhe verifikimin e pakove të supozuara me fletëvotime. Nga numri total i pakove të proceduara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime.
Arsyet e refuzimit janë të ndryshme dhe janë të kategorizuara në 7 grupe kryesore:
• 9 mijë e 199 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës;
• 6 mijë e 665 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore;
• 1 mijë e 325 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë;
• 2 mijë e 451 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor);
• 910 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim;
• 1 mijë e 656 zarfe me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar. Pra, brenda një pakoje/dërgese kanë qenë nga 84, 39, apo 37 zarfe të individiualizuara me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar; dhe
• 385 pako me fletëvotime që janë dorëzuar personalisht në postën numër 6 në Kosovë dhe nuk përmbajnë vulën dhe as pullën postare të postës dërguese”.