fbpx
9 C
Geneva
Friday, November 1, 2024

Palmer: Për SHBA-në marrëveshja Kosovë-Serbi është çështje urgjente

I dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të imponojnë zgjidhje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kurse marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve do të duhet të jetë e pranueshme për udhëheqjen dhe qytetarët e dy vendeve.

I pyetur nëse ka ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje, ai tha se nuk beson se ka ndonjë afat, por që Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se kjo është një çështje urgjente, sepse sa më gjatë që pritet sfidat do të jenë më të komplikuara.

“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara”, tha ai për Televizionin “N1”.

Palmer tha se SHBA mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dërguarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe se shpreson që të dy palët të vazhdojnë negociatat së shpejti, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili duhet të bëhet përmes dialogut.

“Ne u themi qartë partnerëve tanë në Beograd dhe Prishtinë … Ekziston një detyrim nga të dy palët për të zbatuar Asociacionin e Komunave Serbe dhe kjo duhet të ndodhë”, tha ai.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor gjithashtu komentoi deklaratën e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se dialogu nuk është ndër prioritetet e tij, nëse vjen ne krye të Qeverisë së Kosovës.

“Kam dëgjuar për prioritetet që ka potencuar zoti Kurti – transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë – këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë”, tha ai.

Por, ai shton se Kosova do të duhet të merret me politikën e jashtme dhe të bashkëpunojë me fqinjët e saj.

“Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre prioriteteve”, tha Palmer.

Ai vlerësoi se dialogu nuk fillon nga zeroja, se shumë aspekte të marrëveshjes së Brukselit janë zbatuar dhe se ato kanë ndryshuar jetën e njerëzve për mirë duke përmendur si shembuj drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe kërkimin e personave të zhdukur.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img