16.6 C
Geneva
Friday, July 29, 2022

Pasqyrimi i ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë në gazetën gjermane „Roter Morgen“

Ky punim është lexuar në simpoziumin kushtuar 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart, më 19.04.2021

Nga Ibish Neziri

Në ndërkohë që Jugosllavia me të gjitha organet e veta përpiqej që ta pengonte rjedhjen jashtë kufinjëve të saj të lajmeve për ngjarjet që filluan më 11 mars, ato pos që rrodhën, e muarën edhe dhenë. Mund të flitet për qindra tituj gazetash gjithë andej botës që i kanë trajtuar ato ngjarje, prej të cilave disa dhjetëra nga hapësira gjermanofone.

Jam krejtësisht i vetëdijshëm se sot para jush nuk mund të sjell të plotë pasqyrimin që kjo gazetë iu bënë atyre ngjarjeve, për shkak të kohës së kufizuar, por do të përpiqem që të paktën të shpalos titujt e atyre shkrimeve. Gazeta ka qenë e përjavshme dhe brenda vitit janë publikuar 52 numra. Në mbi 35 prej tyre janë publikuar shkrime për zhvillimet në Kosovë, por në përgjithësi shkrime për shqiptarët dhe Shqipërinë janë publikuar gati-gati në secilin numër.

Ndryshe nga gazetat tjera në gjuhën gjermane, të cilat shkrimet e para i kishin sjellur që në fillim të javës së tretë të marsit, gazeta „Roter Morgen“ shkrimin e parë e sjellë më datën 10. prill 1981 në faqën 11 më titull „Qeveria Jugosllave vendos gjendje të jashtëzakonshme – Luftime në rrugët e Kosovës“ [1].

Ndër të tjera në artikull shkruhet: „Që nga mesi i marsit protestat e vazhdueshme në krahinën autonome të Kosovës, në jug të Jugosllavisë janë ashpërsuar në mënyrë dramatike. Janë bllokuar informatat dhe të gjitha lidhjet telefonike me Jugosllavinë janë ndërprerë. Të premtën e kaluar është shpallur gjendje e jashtëzakonshme“.[2]

Për arësyen e shpërthimit të demonstratave ndër të tjera thuhet se „është pjesa më e varfër e Jugosllavisë dhe se që nga era e Rankoviqit janë të përndjekur“[3].

Në faqën e parë të nr 16, të datës 17 prill, publikohet një shkrim me titull „Masakër i trupave të Beogradit në Kosovë“[4], në të cilin flitet për mbi 300 të plagosur, për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për dënimin e dhunës së pashembullt gjatë ndërhyrjes së përgjakshme të trupave jugosllave kundër demonstruesve“ [5] që Tirana zyrtare ia bën Jugosllavisë. Artikulli mbështetet në shkrimet e „Zërit të Popullit“ dhe është i shoqëruar me një fotografi të armëve të artilerisë së rëndë. Në faqën 10 dhe 11 të të njëjtit numër publikohet komenti i „Zërit të Popullit“ të datës 8 prill 1981 me titull „Pse u drejtua dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?“[6]

Përsëri kjo gazetë, më datën 19 mai 1981 në faqën 11 vije me një shkrim të „Zërit të Popullit“ të datës 23 prill me titull „Zëri i Popullit hedh poshtë gënjeshtrat jugosllave – Kush nxit konflikt midis popujve të Jugosllavisë.“ Këtu theksohet mospërzierja dhe flitet për të drejtat e shqiptarëve.“[7]

Shkrimet për Kosovën dhe zhvillimet në këtë gazetë do të vazhdojnë me një zell jashtëzakonisht të madh. Për një sulm të ndodhur në rrethana të paqarta më 23 maj në objektin e Ambasadës Jugosllave në Tiranë, gazeta „Roter Morgen“ e datës 29 maj që në faqën e parë e sjell njoftimin me titull „Sulm me eksploziv në Tiranë, provokime të rënda kundër Shqipërisë“[8], në të cilin thuhet se sulmi është provokim i Jugosllavisë kundër Republikës së Shqipërisë. Në faqen 2 e sjell të përkthyer komentin e Agjensisë Telegrafike Shqiptare ATSH me titull „Çfarë ndodhi para ambasadës jugosllave në Tiranë?“[9]

Këtë numër e karakterizojnë tri shkrime lidhur me Kosovën. Pos dy shkrimeve të lartëpërmendura nga faqja 1 dhe 2, në faqen 11 është shkrimi i tretë „Farsë gjyqësore në Shkup – provokimet jugosllave“, në të cilin që në fillim thuhet se, kuptohet sipas jugosllavëve, „Lëvizja në Kosovë duhet të shtypet me të gjitha mjetet.“[10] Më tutje në shkrim thuhet se „gjithashtu edhe në qytetet tjera të Republikës Federative kanë protestuar shqiptarët kundër politikës nacionaliste të Beogradit – Partia Komuniste e Gjermanisë i mbështetë këto aksione të shqiptarëve“.[11]

„Kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i republikës është e drejtë“, është shkrimi i radhës në gazetën Roter Morgen .

Nën këtë titull njoftohet se organi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë „Zëri i Popullit“ botoi një artikull të gjatë më 17 maj, në të cilin paraqiten shkaqet historike dhe zhvillimet e situatës aktuale në rajonin e Kosovës. Ky artikull lexuesëve iu është vënë në dispozicion edhe si botim i veçant i shtëpisë botuese „Roter Morgen“. „Ne botojmë fragmente nga kapitulli “Skicë e shkurtër historike e trajtimit të çështjes kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi“ me nëntituj nga redaksia e gazetës Roter Morgen. Nëntitujt janë: „Ndryshimi i kursit nacionalist të Titos“ „Fjalët e hapura të Rankoviqit“, dhe „Trazirat e vitit 1968“.[12]

Pas një paraqitjeje të historisë shqiptare nga viti 1913 e këndej, autori ndalet te ndryshimi i kursit të Titos qoftë në raport me ideologjinë marksiste leniniste, qoftë në raport me shqiptarët, pastaj flet për qëndrimet e Rankoviqit, i cili ndryshe nga Titoja që fliste në mënyrë të fshehtë, ka folur në mënyrë të hapur edhe për demosntratat e vitit 1968 në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi si edhe për gjendjen aktuale të krijuar në Kosovë dhe kërkesën për statusin e republikës. Pastaj për pasuritë nëntokësore dhe shfrytëzimin e tyre dhe për varfërinë e shqiptarëve. Edhe ky shkrim është koment i „Zërit të Popullit“ i përkthyer në gjuhën gjermane dhe i publikuar pos në këtë gazetë edhe si broshurë e veçantë.

Nëse deri këtu, gazeta Roter Morgen i ka publikuar të përkthyera shkrimet dhe komentet e „Zërit të Popullit“ dhe ATSH-së, këtu, në këtë numër e publikon një Rezolutë të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Gjermane me titull „Lufta e popullit në Kosovë është e drejtë“[13], nga e cila po i sjell disa citate.

„Lëvizja e gjërë popullore në „shtëpinë e varfër të Kosovës“, në Krahinën Autonome të Kosovës së Republikës Federative të Jugosllavisë, muajt e fundit ka nxitur vëmendjen e opinionit botëror. Komiteti Qëndror i Partisë Komunste të Gjermanisë është i mendimit se kjo luftë e ka tërhequr vëmendjen dhe solidaritetin tonë.

Është një kryengritje popullore në një të ashtuquajtur vend socialist që zbulon karakterin reaksionar të regjimit të Beogradit.
Dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë nga Kosova janë të detyruar të jetojnë dhe të punojnë këtu në Republikën Federale. Ata me guxim kanë kryer shumë aksione solidariteti për luftën e bashkatdhetarëve të tyre në atdheun e tyre, të cilët gjithashtu mbështeten edhe nga partia jonë.
Regjimi i Beogradit nuk tërhiqet nga qëllimi për zgjërimin e konfliktit me të vetmin shtet të vërtetë socialist, RPS të Shqipërisë. Me sulmet e tyre plotësisht të pajustifikuara ndaj Shqipërisë socialiste, këta gënjeshtarë sulmojnë lëvizjen punëtore të të gjitha vendeve.
Më në fund, sipas shtypit jugosllav, udhëheqës të caktuar jugosllavë patën guximin ta lidhnin (edhe) partinë tonë me ngjarjet në Kosovë.
Komiteti Qendror i Parisë Komuniste të Gjermanisë hedh poshtë të gjitha shtrembërimet dhe gënjeshtrat e udhëheqësve Jugosllavë lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe thotë se ato janë vetëm rezultat i zhvillimit kapitalist të Jugosllavisë, politikës revizioniste dhe jodemokratike të udhëheqjes së Beogradit në përgjithësi, dhe të politikës shoviniste kundër nacionalitetit antishqiptar në veçanti. Pikërisht për shkak të kësaj, zonat shqiptare në Jugosllavinë e Jugut janë shumë të prapambetura, njerëzit atje jetojnë në varfëri dhe mjerim, dhe liritë demokratike dhe të drejtat politike iu janë mohuar, krahasuar me republikat tjera të Jugosllavisë. Për të gjitha këto arsye, popullsia shqiptare, veçanërisht Krahina autonome e Kosovës, por edhe rajonet e tjera shqiptare të Jugosllavisë, janë ngritur për të luftuar për përmirësimin e gjendjes së tyre dhe për të drejtat e tyre.[14]

Më tutje në rezolutë dënohen veprimet e dhunshme të regjimit të Beogradit kundër studentëve dhe punëtorëve shqiptarë në Kosovë dhe viset shqiptare në Jugosllavi, dënohen sulmet e padrejta që i bëhën Republikës Socialiste të Shqipërisë lidhur me këto ngjarje për ta përfunduar me fjalinë: Komiteti Qendror i PKGJ-së është i bindur se kërkesat e drejta të popullatës shqiptare të Jugosllavisë do të ngadhnjejnë. Partia jonë gjithmonë do ta mbështesë luftën për këtë kërkesë.[15]

Me këtë rast, po e sjell edhe një shkresë nga korenspondenca Wolfgang Eggers, anëtar i redaksisë Roter Morgen, të dërguar 30 vjetë pas atyre ngjarjeve, më 14 mars 2011. Ai më shkruan: „Rroftë populli shqiptar liridashës, i sprovuar në beteja heroike, i torturuar nëpër burgje, qoftë në Kosovë apo kudo në botë!

Ju urojmë juve dhe bashkëluftëtarëve tuaj që të mos braktisni kurrë qëndrueshmërinë dhe guximin – derisa të gjithë shqiptarët të mund të jetojnë më në fund të bashkuar në paqe, liri dhe prosperitet!

Një fjalë e urtë shqiptare thotë se shqiptarët nuk bëjnë miq lehtë, por sapo të bëhen miq, atëherë përgjithmonë!

Wolfgang Eggers“

Për proceset masive gjyqësore kjo gazetë fillon të shkruaj pas mesit të qershorit, atëherë edhe kur filluan. Më 19 qershor në faqën 10 publikohet shkrimi me titull „Jugosllavi, tani gjykime masive në Kosovë – shpifje të reja kundër RPSSH“. Në këtë artikull thuhet se si ministri i brendshëm Franjo Herleviq para parlamentit jugosllav paraqet një raport për gjendjën në Kosovë. Artikullshkruesi thotë: „Megjithëse ai pretendoi se veprimet në muajt Mars dhe Prill ishin të kufizuara, iu desh të pranonte se e gjithë situata nuk ishte as kundërmuese dhe as nën kontroll, megjithëse që nga ajo kohë është vendosur një ndalim i përgjithshëm i udhëtimit.“[16]

„Mjetet me të cilat qeveria jugosllave synon t’i trajtoj kërkesat e popullatës shqiptare në zonën e Kosovës u bënë të qarta edhe një herë në këtë raport. Nga njëra anë, ai vazhdoi vijën e mbulimit të shkallës së masakrës së përgjakshme të forcave të sigurisë mbi demonstruesit: si më parë, ai tani iu përmbajt pretendimit të dyshimtë në gjithë botën se kishte vetëm nëntë të vdekur. Të dhënat e dëshmitarëve thonë të kundërtën. Ata flasin për qindra njerëz të vrarë“.[17] Më tutje Herleviqi flet për hapjen e 1700 procedurave hetimore, 506 kallëzimeve penale dhe 104 dënimeve. Numri i të plagosurve krahasuar me të dhënat e mëparshme, sipas Herleviqit thuhet se është rritur në 257.

Ngjarjet e Kosovës dhe bashkëpunimi i fsheht sovjeto-serbomadh“[18], marrë nga Zëri i Popullit i datës 5 qershor, „Vala e proceseve gjyqësore në Jugosllavi“[19], „Rritja e shtypjes dhe masave brutale të policisë në Kosovë“[20] janë artikuj tjerë të kësaj gazete që flasin, njëri për bashkëpunimin e fsheht ruso-serbomadh, tjetri për valën e proceseve gjyqësore dhe masave brutale të policisë që kishin përfshirë Kosovën. Shkrimi i parë është i datës 10 qershor, i dyti i datës 7 gusht dhe i treti i datës 21 gusht. Në këta dy të fundit flitet për proceset e shumta gjyqësore që kishin filluar të zhvilloheshin në gjithë Kosovën.

Në shkrimin „Rritja e shtypjes dhe masave brutale të policisë në Kosovë“ ndër të tjera thuhet: „Me vendimin e të ashtuquajturit diferencim ideopolitik, shovinistët serbë qe sa kohë kanë ditur të jenë brutal ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas shtypit jugosllav, masat e shtypjes së tillë, si procedurat gjyqësore dhe pushimet nga puna, nga mesi i korrikut, u morën ndaj 2800 personave. 1500 janë përjashtuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë.“[21]

Më tutje në shkrim trajtohen proceset gjyqësore, dënimet e të rinjëve, largimet nga puna dhe për një grevë treditore të minatorëve të Trepçës.

Shkrimi është marrë nga ATSH-ja.

Në nr 35 të datës 28 gusht në faqen 10 gjendet njoftimi për botimin e një përmbledhjeje të re nga Shqipëria. Në njoftim thuhet: „Ky vëllim përmban 13 artikuj, në të cilin trajtohen të gjitha aspektet e ngjarjeve në Kosovë dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.“[22]

„Vala e shtypjes në Kosovë vazhdon, Proceset masive do të vazhdojnë“, është shkrimi i radhës që publikohet në faqen 11, të nr 36 të datës 4 shtator të vitit 1981.

„Nga regjioni autonom i Kosovës në Jugosllavi vazhdimisht njoftohet për procese të reja, ku pushtetmbajtësit e Beogradit me gjithë brutalitetin e tyre veprojnë kundër kërkesës së shumicës shqiptare në Kosovë për status të republikës brenda federatës jugosllave“.[23]

Ashtu si po shihet edhe nga titulli, edhe në këtë artikull flitet për valën e dënimeve të të rinjëve me burg dhe përjashtimeve nga puna dhe partia – LKJ-ja.

„Terror brutal politik në Jugosllavi, brenda një jave mbi 500 vjetë burg“ „Vazhdimisht nga Jugosllavia vijnë njoftime të reja për vendime gjyqësore kundër njerëzve të kombësisë shqiptare nga krahina autonome e Kosovës – vetëm në javën e parë të shtatorit, 67 të akuzuar u dënuan me 547 vjet burg, mesatarisht gati tetë vjet për secilin të akuzuar“[24] janë njoftimet që vijnë nga kjo gazetë e datës 9 tetor në faqen 11. Në shkrim flitet gjërë e gjatë për të gjitha zhvillimet e deriatëheshme në Kosovë, për ndjekjet, diferencimet ideopolitike, largimet nga puna, varfërinë… Në shkrim poashtu thuhet se mbi 200 procese gjyqësore janë mbajtur gjatë muajt gusht. Poashtu thuhet se profesorë, intelektualë, gazetarë, redaktorë, gjyqtarë e prokurorë të shumtë, mbi 2000 sish janë përjashtuar nga vendet e tyre të punës dhe presin të dalin para gjyqit.

Këtu edhe përfundon seria e shkrimeve për Kosovën, por vlenë të theksohet se koleksionit të gazetës Roter Morgen i mungojnë disa numra për përmbajtjen e të cilëve, kuptohet nuk dijmë. Mbase edhe në ata numra mund të ketë pasur ndonjë shkrim për Kosovën.

Për përfundim, mund të konstatohet se kjo gazetë me besnikëri i ndjek qëndrimet e shtetit shqiptar në pasqyrimin e atyre ngjarjeve dhe kjo mund të dëshmohet qoftë përmes artikujve dhe komenteve të „ATSH-së“ dhe „Zërit të Popullit“, të cilat të përkthyera i publikon në faqet e veta, qoftë përmes shkrimeve, të cilat nuk kanë autorë dhe të cilat mund të konsiderohen si qëndrime të redaksisë, apo të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste të Gjermanisë organ i të cilës ishte.

Në faqet e kësaj gazete, pos shkrimeve për Kosovën gjenden edhe shkrime tjera të shumta për Shqipërinë, historinë e saj, kulturën, muzikën, letërsinë, artin e tj.

Ndonëse thuhet se komunistët nuk kanë atdhe, pa ndonjë paragjykim apo tendencë çfarëdo qoftë, në vitin 1981 komunistët gjermaanë mbajtën një qëndrim krejt ndryshe. Ata pos që e njohën atdheun e shqiptarëve, e njohën edhe të drejtën e tyre për bashkim, e drejtë kjo që iu mohohet, por që nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë. Prandaj, duke u mbështetur në pasqyrimin që kjo gazetë iu bënë zhvillimeve të vitit 1981 në Kosovë dhe vise, mund të konkludohet se pasqyrimi ka qenë real, i drejtë dhe i mbështetur në faktet historike, për çka në të gjitha kohërat ne duhet t’i jemi mirënjohës.

Edhe një gjë: Ndryshe nga të gjitha gazetat në gjuhën gjermane që emrin e Kosovës e përdorin në variantin Kosovo, kjo gazetë në asnjë rast të vetëm nuk e përdor këtë variant, por gjithmonë e shkruan Kosova.

Ju falemnderit!

[1] Roter Morgen, Nr. 15, 10. April 1981 seite 11, Jugoslawische Regierung verhängt Ausnahmezustand – Strassenkämpfe im Kosovo.

[2] Po aty.

[3] Po aty.

[4] Roter Morgen, Nr. 16, 10. April 1981 seite 1, Über 300 Tote und verletzte – Massaker der Belgrader Truppen im Kosovo

[5] Po aty.

[6] Po aty, faqe 10 – 11.

[7] Roter Morgen, Nr. 18, 8. Mai 1981 seite 11 „Zëri i Popullit widerlegt jugoslawische Lügen Wer schürt die Zweitracht unter den Völkern Jugoslawiens“.

[8] Roter Morgen, Nr. 22, 29. Mai 1981, Seite 1, Sprengstoffanschlag in Tirana, Schwere Provokationen gegen Albanien

[9] Po aty, faqe 2

[10] Po aty, faqe 11

[11] Po aty

[12] Roter Morgen, Nr. 24, 4. Juni 1981, Seite 9-10, Die Forderung, Kosova den Status einer Republik zuzuerkenen, ist gerecht

[13] Po aty, faqe 11, Entschliessung des Zentralkomitee der KPD, Der Kampf des Volkes in Kosova ist gerecht.

15] Po aty, faqe 11, Entschliessung des Zentralkomitee der KPD, Der Kampf des Volkes in Kosova ist gerecht

[16] Roter Morgen, Nr. 25, 19. Juni 1981, Seite 10 Jugoslawien, Jetzt Massenprozesse in Kosovo!

[17] Po aty

[18] Roter Morgen, Nr. 28, 10. Juni 1981, Seite 13, Die Ereignisse von Kosova und die geheime sowjetisch-grossserbische Zuasammenarbeit

[19] Roter Morgen, Nr. 32, 7. August 1981, Seite 10, Prozesswelle in Jugoslawien

[20] Roter Morgen, Nr. 34, 21. August 1981, Seite 11 Verschärfte Unterdrückung und brutale Polizeimassnahmen in Kosovo

[21] Po aty

[22] Roter Morgen, Nr. 35, 28. August 1981, Seite 10, Neuerscheinung aus Albanien.

[23] Roter Morgen, Nr. 36, 4. September 1981, Seite 11, . Unterdrückungswelle in Kosova geht weiter Die massenprozesse werden fortgesetzt.

[24] Roter Morgen, Nr. 41, 9. September 1981, Seite 11 Brutaler politischer Terror in Jugoslawien – In einer Woche über 500 Jahre Gëfängnis!

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img