8.8 C
Geneva
Thursday, May 8, 2025

Përurohet libri i Bardhyl Mahmutit: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në shënjestër të vazhdueshme”

Prishtinë, 7 maj 2025 – Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua libri më i ri i autorit Bardhyl Mahmuti, me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në shënjestër të vazhdueshme”. Vepra sjell një analizë të thelluar mbi përpjekjet e vazhdueshme për kriminalizimin e UÇK-së dhe zbërthen manipulimet e bëra nga strukturat serbe për çështjen e të zhdukurve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në fjalën e tij, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, vlerësoi librin si një dëshmi autentike që zbardh të vërtetën për një prej periudhave më të ndjeshme të historisë së Kosovës. “Kush dëshiron të kuptojë të vërtetën e zhveshur për luftën në Kosovë, duhet patjetër ta lexojë këtë libër. Ai është një dokument i domosdoshëm për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive”, tha Buja.

Historiani Genc Prevlukaj theksoi rëndësinë e trajtimit shkencor që autori i ka bërë zhvillimeve politike dhe ushtarake të asaj kohe, duke shtuar se libri sjell argumente të pakundërshtueshme që hedhin poshtë narrativat e fabrikuara. “Ky botim i pasuron raftet e literaturës sonë historike dhe ndihmon në ndriçimin e realiteteve të errësuara nga dezinformatat,” theksoi ai.

Autori Bardhyl Mahmuti u shpreh se ka ndier një obligim moral që të ndajë përvojat e tij personale si dëshmitar i drejtpërdrejtë i shumë ngjarjeve. Ai theksoi se libri është një përpjekje për të ruajtur të vërtetën historike dhe për t’u bërë thirrje brezave të rinj që të jenë mirënjohës ndaj atyre që kontribuan për lirinë e vendit.

“Për një kohë të gjatë i kam mbajtur këto të vërteta për vete, por tashmë e ndjej të domosdoshme t’i ndaj me publikun. Historia nuk duhet të heshtet – ajo duhet të tregohet ashtu siç ka ndodhur”, përfundoi Mahmuti.

Libri është tashmë i disponueshëm për lexuesit dhe pritet të ngjallë interes të gjerë, si në qarqet akademike ashtu edhe në opinionin publik./Alb’swiss TV/

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img