Gjenevë – Zgjedhjet komunale: Marie Barbey-Chappuis rizgjidhet, e majta dhe qendra marrin udhëheqjen e qytetit.
Në një garë zgjedhore të ngushtë dhe me shumë interes në qytetin e Gjenevës, Marie Barbey-Chappuis nga Partia e Qendrës ka siguruar rizgjedhjen në Këshillin Administrativ, duke u bërë pjesë e një shumice të re me dominim të së majtës dhe qendrës. Bileta rozë-jeshile e mbështetur nga partitë progresiste u konfirmua si fituese, ndërsa Partia Liberale-Radikale (PLR) nuk arriti të përfshihet në ekzekutivin e ri të qytetit.
“Është një lehtësim i madh dhe një mirënjohje për punën që kemi bërë. Kam arritur të bashkoj të majtën dhe të djathtën, pavarësisht ngjyrës sime politike,” u shpreh Barbey-Chappuis, e cila aktualisht drejton departamentin e Sigurisë dhe Sportit.
Në krahun tjetër, kandidatja e PLR-së, Natacha Buffet-Desfayes, e cila garoi pa ndonjë aleancë të madhe, pranoi humbjen me lot në sy. “Padyshim jam shumë e zhgënjyer, por krenare për fushatën që zhvilluam,” tha ajo, duke shtuar se konkurrenca në një qytet me shumicë të majtë ishte tepër sfiduese.
Në përbërjen e re të Këshillit Administrativ, janë dy figura të reja: ambientalistja Marjorie de Chastonay dhe socialistja Joëlle Bertossa. “Rezultati është një sinjal i fortë që populli kërkon politika më sociale dhe të gjelbra,” u shpreh de Chastonay. Nga ana e saj, Bertossa theksoi: “Pesha e përgjegjësisë është e madhe, por unë jam e gatshme për sfidat që na presin.”
Socialistja Christina Kitsos dhe ambientalisti Alfonso Gomez, të dy të rizgjedhur, morën më shumë vota në këtë raund. “Ky është një vlerësim për politikën tonë dhe një shtysë për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve,” deklaruan ata.
Përfaqësimi i grave në këtë përbërje të re është historik: katër nga pesë anëtarët e Këshillit Administrativ janë gra.
Ky është një sinjal i fortë për rritjen e rolit të grave në politikën lokale dhe një hap i rëndësishëm drejt barazisë gjinore në institucionet publike. Një shembull pozitiv që reflekton ndryshimet shoqërore dhe vlerat demokratike të shoqërisë zvicerane.
Me këtë përbërje të re, Këshilli Administrativ i Gjenevës pritet të ketë një dinamikë të re dhe të përballet me sfida të rëndësishme në një klimë politike me kontraste më të theksuara midis ekzekutivit të majtë dhe një Këshilli Bashkiak të zhvendosur djathtas./Alb’swiss TV/