Po munde
Po munde mos i duaj erërat që dhembin
Shpirtrat që fluturuan nëpër turma resh
Dëgjo zërat si vijnë gjithnjë e më shpesh
Zërin e monumenteve e zërin mes nesh
Po munde mos i duaj këto gjethe zjarri
Që shushurijnë në zemrat e bulevardeve
Ato fishkëllyen edhe mbi gurë të rrënuar
Ato ndërruan faqet dhe ritmet e këngëve
Po munde mos i duaj as edhe këto valë
Të heshtura të buta të përjetshme graniti
Ato që shtegtuan trimërisht dhe pa frikë
Sot rrezatojnë dritën dhe qiellin kur digjej





