Po të isha
Po të isha një korridor i errët
Me foto dhe llamba në mure
Vizitorë do kalonin mbi mua
Me gjithë ngjyrat e stinëve
Po të isha një lum i gjatë
I buzëqeshur duke udhëtuar
Mbi mua do të ecnin retë
Dhe ndonjë gjeth i vetmuar
Po të isha një kuti postare
Që mbanë letra të dërguara
Edhe dorëshkrimet e shpejta
Do t’i kuptoja pa i lexuar
Po të isha një tren i rehatshëm
Tren që lidhë qytete në largësi
Në asnjë stacion s’do ndaloja
Veç të pafajshmit të gëzojnë liri
Po të isha një taketuke
Mbushur mendime të djegura
Mbi hirin e gabimeve njerëzore
Do ndërtoja hekurudha të reja





