2.6 C
Geneva
Friday, November 25, 2022

Poezi e ndjenjës dhe e përjetimeve emocionale

Poezia, si gjinia letrare me ndjeshmëri më të drejtpërdrejt ndaj jetës, është përdorur nga poetesha Fatime Kalimashi prej më se një dekade dhe niveli i saj cilësor ka ardhur në rritje. Me leximin e poezisë së saj në shtatë vëllime poetike, nuk mund të mos kujtojmë poetin e madh francez Pol Elyar: “Poezia, që në kohët më të lashta është gjuha që këndon dhe unë besoj, se nuk ka për të ndryshuar kurrë ndonjëherë”.

Poetesha Kalimashi, nga Rahoveci i Kosovës, përmes poezisë i këndon jetës, dashurisë, unitetit si faktor që do të sillte realizimin e aspirateve të shqiptarëve. Megjithse e emigruar qysh në vitin 1995 në Zvicër, ajo e mban të gjallë dhe të shtrenjtë dashurinë për vendindjen dhe Kosovën: për vetë lidhjet e fuqishme shpirtërore që ajo ka me vendlindjen, duke e afirmuar atë me një kernari të ligjshme:

Jam një bijë nga Anadrini
Lind e rrit me dashuri
Është Rafsh’ i Dukagjinit
Vend i njohur për mirësi.

Në poezinë e Kalimashit, kemi një përputhje të heroit lirik me unin e saj poetik, përmes së cilës, duket se Kalimashi afirmon konstruktin e saj shpirtëror:

Shpirtin e kam zh(veshur) në poezi
E kam larë me ujin e bekuar
Atje ku rrjedh uji kristal
Mbi bjeshkët me gurë të çmuar.
Zemrën veshur me bardhësinë e dëborës,
E kam ushqyer me rreze prej dielli
Atje ku ëndrat realizohen
Me ëndra të bukura ylberi.
Shpirtin e kam veshur me një pëlhurë
Bashkangjitur yjeve të qiellit
Atje ku hëna shkëlqen në errësirë
Shpirtin im jeton në dritë të diellit.

Meditimet e poetes janë brenda sferës shoqërore dhe jetës së përditëshme, tema të cilat e pasurojnë tematikën e vëllimeve të saj poetike. Poetesha Kalimashi këndon dhe afirmon prirjen artistike drejt ndjeshmërisë shpirtërore ndaj atdheut, duke na dhënë imazhe poetike emocionuese:

Lamtumirë vend i dashur
Lamtumirë Atdheu im
Me një copë zemre të zbrazur
Sot po nisem për mërgim.

Pavarësisht zemrës së “zbrazur” për shkak të largimit nga vendlindja, poetja përmes një krahasimi simbolik, deklaron përjetësinë e saj ndaj atdheut: “Unë dallandyshja që ty të kam fole”. Për folenë e saj të madhe, Kosovën, Kalimashi, ndjen dhembje trishtuese për mos stabilitetin e sja politik:

Më fal për gjëmën, ndoshta e teprova
Por vendin e shoh të mjerë
Një nga një nga aty po largohen
Çdo ditë po mbyllet nga një derë.

Pavarësisht këtij realiteti tronditës, poetja bëhet ndërgjegje qytetare dhe afirmon shqetësimin e tërë emigrantëve përmes figurave që flasin shumë:

Mallin për vendlindjen
As loti kurrë s’e shoi…
Malli për familjen mbyt vetminë
Dashuria për Atdhe shpirtin përvëlon
Të huaj në mërgim e të huaj në Atdhe.
Si zogjtë shtegtar kur kërkojnë fole…
Dua ta puth tokën kur e shkel me këmbë
Në ajrin e pastër të mbjell dashuri
Në çdo shpirt njeriu dua vend të kem
Të mos harohem në largësi…

Në poezinë e Fatime Kalimashit pasqyrohen njerëz të thjeshtë, me brengat, hallet, gëzimet dhe perjetimet e tyre emocionale, trajtuar me freski motivesh, plot mjete shprehëse pa përsëritur të njëjtat figura stilistike. Ajo e vendos veten në qendër të këtyre përjetimeve duke afirmuar ndjenjat e saj të thella për jetën:

Këngë a poezi
Dhimbje apo dashuri
Është diçka që ndien poeti
Diçka më e madhe se deti.

Madje poetja tërheq vëmendjen e aparatçikëve dhe tërë shoqërisë që të kthejnë fytyrën nga njerëzit e thjeshtë që ndjehen një me atdheun:

Në këtë botë nuk erdha pse deshët ju
Jam dhuratë nga zoti i falenderuar
Nëse sot nuk ma dini vlerën
Nesër keni për të më kërkuar.

Me një gjuhë dhe figuracion të thjeshtë, ajo ka arritur të japë tablo jetësore nga jeta e përditëshme. E bukura në poezinë e Kalimashit qëndron tek e thjeshta, sikundër ka theksuar edhe një shkrimtar i huaj: ”Kisha mësuar artin për të bërë vargje të lehta me vështirësi”.

Më erdhe në ëndërr
Hape derën ngadalë
Më buzëqeshe ëmbël
Pa më thënë një fjalë
Më dhe një prqafim
Aromë trëndafilash…

Simboli i trëndafilit është përdorur nga petesha Kalimashi si lejtmotiv në tërë poezinë e saj, për vetë imazhet poetike të dashurisë njrëzore, bukurisë dhe humanizmit. Në poezitë për nenën, të cilat janë disa, Kalimashi sjell me emocione një komunikim imagjinar që dëshmon për një mall përvëlues:

Sa do doja të fluturoja
Nëpër botë anembanë
Ti dërgoja një cop zemre
T’i tregoj asaj ku jam
Do ta pres në përqafim
Me një këngë, këng’ bilbili
Të shfaqet ëngjëlli im
Në mes lulesh trëndafili.

Duket se një akuarel i bukur ka kaluar natyrshëm në poezinë e Fatime Kalimashit, duke theksuar origjinalitetin poetik të poeteshës për vetë figuracionin e qartë me një funksion të përcaktuar dhe lehtësisht të perceptushëm nga lexuesi. Që në leximin e parë, lexuesi kupton se poezia e Fatime Kalimashit është poezi e detajeve jetësore dhe e çasteve poetike, prandaj poezia ka vlera emocionuse dhe artistike.

Nuk njoh urrejtje
Derisa e vlerësoj jetën
Si veten i dua edhe të tjerët
Mbi gjithçka peshoj të vërtetën.
Hakmarrjen s’e kam në gjak
Ç’thonë të tjerët s’bëhem merak….

Në thelbin e procesit krijues Fatime Kalimashi ka kontaktet e poetes me realitetin që e rrethon, si dhe kërkesën e fuqishme të saj për ta zotëruar këtë realitet dhe për ta rikrijuar atë. Poetja me forcën e talentit të saj, herë-herë edhe abstragon për të kapur më të qenësishmen nga ky realitet, duke përdorur ngjyra poetike për ta dhënë atë sa më bukur.

Sa do të doja të bëhem zog
Të fluturoja me shumë gëzim
Të thith nektar në çdo lule
Pranvera është ilaçi im.

Poetesha Fatime Kalimashi di të kap çastin poetik dhe e zhvillon poezinë me një varg të rjedhshëm në harmoni me idenë e pasur. Në poezi ndihen imazhet poetike përmes figurave me vlerë të mirëfilltë estetike, gjuhë të pasur plot ritëm dhe melodi. Tema shoqërore, veçanërisht trajtimi i gruas, ka një vend qendror:

Sonte loti ma shuan buzën e tharë
Nga malli i fjalës së thënë
Atë që ma ndalonte koha
E shkelur si grua e shkelur si nënë.

Poezia e Fatime Kalimashit është e mbushur me refleksione të brëndshme, ngrohtësi jetësore dhe vlera emocionale. E parapëlqyer për të, sikurse është e natyrshme, do të mbetet tema e dashurisë:

Në dashuri pritjet janë të gjata
Si netët kur kalojnë pa gjumë…
Ëngjëllushe moj zanë mali
Falja një puthje këtij djali
Më ka djegur i shkreti malli
Për një puthje botën ta fali.

Sikundër shihet, në lirikën e Kalimashit ka jetë, ka origjinalitet:

Dhimbjen që se duron shpirti
Dashuria është shërim
Në sytë e saj takova veten
Ia përqafova lumturinë
Në sytë e saj ëndërrova jetën
Ndërtuar mbi të vërtetën
Asaj ia fal edhe jetën.

Figuracioni letrar, herë-herë është befasues, përmes një metafore dhe krahasimi të thjeshtë, ajo shpreh një mall përvëlues:

Doja ta pëqafoja
T’ia mbledh flokët me dorë
Veç ta hiqja një herë merakun
T’i shkrihesha sikur borë…
Nuk dashurohet vetëm në ëndrra
Por edhe pa ëndrra dot s’jetojmë.

Në mënyrë deklarative, Kalimashi shpalos kredon e vet poetike:

Nuk jam prush që ndezi zjarre
Nuk jam zemër për hakmarrje
Nuk kam shpirt as të urrej
Dashuri dhe paqe ndjej.

Fatime Kalimashi deklaron se “Dashuria është melodia e shpirtit”. Në një stil Lasgushjan, ajo përjeton çaste lumturie:

Sytë mbyllur buzët çelur
Përqafuar përkëdhelur
Puthje malli mallëngjyer
Mbeti çast i paharruar…

Në dashuri nuk flas shumë
Heshtja mbretëron në sytë e mi
Unë nuk ëndërroj vetëm në gjumë
Por sa herë dua të të shoh ty…

Merre lotin tim
Shuaje buzën e eur
Atë ditë kiur të kthehem
Dua të të shoh buzëqeshur…
Mos e ngri zërin të dëgjojnë malet
Se zemra dhe shpirti nuk i durojnë ndarjet…

Në kohën që sot, në mënyrë të shkujdesur eliminohet fare poezia e vërtetë, e cila ka veçoritë dhe specifikën e saj si gjini arti, poetesha Kalimashi na jep një poezi plot dashuri, ngrohtësi njerëzore dhe thjeshtësi perceptimi, sikurse është natyra dhe stili i saj poetik. Tek Kalimashi kemi edhe shkëndija didaktike, që përkojnë me realitetin e sotëm:

Asgjë në jetë s’keni për të humbur
Çdo ditë e më shumë kërkoni dituri
Do të njohim vlera, duke njohur vlera
Nga gabimet mësohet për herët e tjera.

Një mendje e ditur
Është rrugë e ndriçuar
Ajo vlen më shumë se ar

Një thesar margaritar.

Është i çuditshëm optimizmi i saj entusiast:

Kurrë mos thuaj kurrë
Vetë jeta është mrekulli
Ka zemra më të forta s’e gurë
Që s’i tund asnjë stuhi.

Por Fatime Kalimashi është realiste, prandaj edhe poezia e saj është e pastër nga deformive dhe spekulime demagogësh. Përmes një personifikimi të fuqishëm Fatime Kalimashi si një qytetare aktive, brenda një konceptimi materialist, sjell një gjendje ankthi që mbart koha e mbarsur me rreziqe:

Si çdo herë borë në pranverë
Zot shpëtona edhe këtë herë
Shpëto lulet që kanë çelë
Edhe në këtë stinë
Na ruaj nga ligësitë e kohës
Na shto bukën e gojës.

Kjo thirrje e një poeteje militante, tingëllon si kambanë alarmi në ndërgjegjen e bashkombësve të saj, për të qenë vigjilentë ndaj ligësive që sjellin kohët e trazuara në botë. Po me kaq ndjeshmëri dhe figuracion brilant, Fatime Kalimashi jep dukuri jetësore të karakterit filozofik, që shoqërojnë jo pak lexues në jetën e përditshme:

Nuk e di ku jam
Më ka humbur udha
Nuk di ç’më ka gjetur
Me shpirt jam përpjekur
Prap ra shi në udhët e mia
Po lulëzon vetmia.

Në poezinë e Kalimashit ndjehet edhe fryma e poezisë reflektive, në marëdhniet që vendos poetja me realitetin dhe lexuesin. Si bijë e truallit arbëror, autorja me një patetizm derklarativ dhe prozaik, që nuk arrin të kthehet në figuracion, i bën thirrje ndërgjegjes së kombit:

Pa dëgjoni qeveritarë
E ju popull i ngrat shqiptarë
Le ta dijë gjithë bota mbarë
Në Kosovë s’ka me pas ndarje
As urrejtje e as përçarje
Vetëm të bashkuar sot e përgjithmonë
I ruajmë rrënjët, gjuhën e kombin tonë
Amanet prej të parëve tanë
Vetëm të bashkuar jetohet për vatan.

Gjithsesi ky është shqetësimi shpirtëror i poeteshës Kalimashi që jeton ndjeshmërisht me popullin dhe kombin e saj. Thirrja e poetes ngrihet në mision:

Është koha ta falim veten dhe të tjerët
Ta falim njëri tjetrin pa ia parë sherrin.
Është koha e fundit si njeri të kërkosh falje
Se kur ti pendohesh, gjen dhe rrugëdalje.
Ajo që e befason lexuesin, është përdorimi i tercinës klasike të poezisë, çka na bind, se ajo e njeh mirë vargëzimin poetik:

Nganjëherë bëni hata
Thurni vargje me sevda
Kush nuk mundet me iu ngja.

Nganjëherë tregoni ngjarje
Sa për mirë e sa për ndarje
Të vërtetën s’keni qare.

Oh! Ju shkronja të arta
Sa të shkrurtra e sa të gjata
Unë fal jush thash çka pata.

Tek poezia e Fatime Kakimashit, kemi përputhje të heroit lirik me unin e poetes për shkak të meditimeve të saj, të cilat janë brenda sferës shoqërore dhe jetës së përditëshme të ngarkuar me probleme dhe tensione të vet jetës. Kemi gjithashtu përpjekje për një gjuhë të pasur poetike. Figurat e saj kanë vlerë të mirëfilltë estetike.

Fatime Kalimashi duket sikur i ruhet temave të mëdha dhe i anashkalon ato me disa poezi të vogla. Në pezinë e Fatime Kalimashit gjejmë përsiatje filozofike që lindin nga pasuria kulturore, poezia e saj dallohet për analizë të gjendjeve të brendëshme, për simbolikë dhe naracion, për imponim të elementit subjektiv mbi lexuesin. Ka shumë mendim në kontekstet poetike.

Lakonizmi i poezive të saj jo rrallë përplaset me poezi deklarative që u mungon përpunimi petik dhe figutracioni artistik, sepse sasia ka dëmtuar cilësinë. Megjithatë lexuesi ndien kënaqësi estetike dhe impresione të vecanta, kur në to zbulon detaje artistike që të emocionojnë. Heroi lirik nuk shpreh vetëm botën e poetes, por është edhe bashkëkohësi i shqetësuar për problemet e shoqërisë.

Përmes poezisë, Fatime Kalimashi këndon me gjithë forcën e shpirtit të saj për njerëzit, që me një gjuhë dhe figuracion të thjeshtë, ka arritur të japë tabllo jetësore dhe ndjenja, si produkt të realitetit. Plehanovi ka shkruar: “Kush nuk pranon asnjë realitet tjetër vec “Unit” të tij duke kërkuar “të renë”, nuk do të gjej tjetër veçse një absurditet të ri.” Kalimashi në krijimtrinë e saj niset nga realteti dhe di ta pasqyrojë artistikisht atë.

FITIM ÇAUSHI

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img