fbpx
19.8 C
Geneva
Tuesday, October 1, 2024

Prag zgjedhor për partitë boshnjake me vota të serbëve

Vendet e garantuara që iu takojnë komuniteteve joshumicë, pa u respektuar autenticiteti i votës, jo vetëm që e humbin kuptimin e tyre, por edhe bëhen pengesë serioze për funksionimin e demokracisë në përgjithësi, thotë ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mihkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Njohësi i çështjeve juridike, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson që votat që ka fituar subjekti politik, Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiqit, nga mjediset me shumicë serbe, ku besohet se madje nuk ka asnjë boshnjak, janë vota të fituara me të drejtë, por përmes tyre nuk mund të synohen ulëset e garantuara për komunitetin boshnjak.

Ndërkaq, 48 organizata joqeveritare të komuniteteve joserbe në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë që ekzistojnë përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës.

Akuzat për uzurpim të vendeve të garantuara

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet 14 shkurtit, Komuniteti i Bashkuar ka fituar 6.739 vota. Por, në bazë të të dhënave të KQZ-së, mbi 5.300 vota ky subjekt politik i ka marrë nga komunat e banuara me shumicë serbe, ndër të cilat madje nuk ka numër të madh të boshnjakëve ose nuk ka fare, siç është Graçanica, Shtërpcë, Kllokoti, Ranillugu, etj. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, shembull në Ranillug ka jetuar një boshnjak, ndërkaq në Graçanicë 15, në Shtërpcë dy dhe në Kllokot asnjë. 

Po sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Koalicioni Vakat, po ashtu subjekt politik boshnjak, ka marrë 5.672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe.

Sipas Kushtetutës, komuniteti boshnjak ka të garantuar tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ende nuk dihet nëse Hoxhiq ka fituar një apo dy nga këto ulëse, për shkak se numërimi i votave po vazhdon.

Dy subjektet politike tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS) kanë akuzuar themeluesen e Komunitetit të Bashkuar, Adrijana Hoxhiqin, se votat nga komunat me shumicë serbe i ka siguruar përmes Listës Serbe. Këtë të fundit e kanë akuzuar se po planifikonte që “përmes trupit të saj votues të ushtrojë ndikim dhe të vë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Por, Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike kanë paralajmëruar fillimisht ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, e më pas edhe në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Lista Serbe është themeluar dhe mbështetet në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar. Ky subjekt politik ka marrë shumicën dërmuese të votave dhe besohet që ka siguruar dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Mushkolaj: Mund të shkaktohet devijimi i sistemit kushtetues

Gjyljeta Mushkolaj, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo situatë mund të çojë drejt “devijimit të sistemit kushtetues”.

“Përveç dhjetë ulëseve të garantuara për komunitetin serb, vullneti i të cilit plotësisht është abuzuar qe disa vite me radhë dhe është uzurpuar nga (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiqi, tash edhe dhjetë ulëset e garantuara për komunitetet e tjera joshumicë të uzurpohen nga satelitët e Vuçiqit”, thotë Mushkolaj.

Spahija: Jo ulëse e garantuar, por prag zgjedhor për KB-në

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që në rast se një subjekt politik i caktuar që përfaqëson një komunitet joshumicë, ka marrë vota nga një komunitet tjetër, ato vota janë të vlefshme në rast se ato janë marrë sipas vullnetit të lirë të votuesve, përderisa nuk vërtetohet ndryshe nga ndonjë gjykatë e rregullt me një vendim të plotfuqishëm.

Por, sipas tij, në rastin konkret, në rast se votat e tilla për përfaqësues të komunitetit boshnjak janë marrë nga votuesit e komuniteteve tjera, në këtë rast nga komuniteti serb, si dhe në rast se ato vota janë në numër të shumtë dhe përcaktuese për të fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, atëherë fituesi i atyre votave nuk mund të përfaqësojë komunitetin boshnjak përmes ulëseve të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Spahija thotë se në rastin konkret duhet të veprojë shteti dhe të vendosë standardin ashtu siç shkruhet në Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetuta thotë që komunitet përfaqësohen nga partitë që vijnë dhe marrin vota nga komunitetet. Përndryshe, nëse nuk ndodh kështu, atëherë unë konsideroj që votat janë të ligjshme për cilëndo parti që nuk i ka marrë votat e komunitetit, por që ato vota duhet të dalin në 5 përqindëshin e pragut zgjedhor dhe të llogariten në mesin e këtij 100 përqindëshit tjetër për të cilin garojnë subjektet politike shqiptare, por edhe subjektet tjera. Pra, do të llogaritet si e tillë. Por, nuk mund të llogaritet si përfaqësues i komunitetit, meqë nuk po përfaqëson asgjë komunitare sepse votën e ka marrë nga komuniteti tjetër”, theksoi Spahiu.

OJQ-të joserbe në Kosovë, të shqetësuara

Ndërkaq, 48 organizata joqeveritare të komuniteteve joserbe në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë që ekzistojnë përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Sipas tyre, përpjekja për të uzurpuar vendet boshnjake në Kuvendin e Kosovës me vota nga komunitetet e tjera, është një veprim flagrant i shkeljes së dispozitave kushtetuese dhe të drejtës së një populli joshumicë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të mbrojnë interesat e tyre.

“Sipas rezultateve preliminare, partitë politike boshnjake morën 7.000 vota më shumë në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Një listë që luftoi për një vend të garantuar për boshnjakët, mori numrin më të madh të votave në zonat ku nuk ka fare boshnjakë sipas regjistrimit ose ka shumë pak prej tyre në krahasim me votat e marra. Superioriteti numerik i një komuniteti nuk duhet të përdoret për të shtrembëruar vullnetin elektoral të qytetarëve të një komuniteti”, thuhet në reagimin e 48 organizatave joqeveritare të komuniteteve joserbe.

Ato u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend që të adresojnë problemin dhe të anulojnë mandatet jokushtetuese, si dhe u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të huaj diplomatikë në Kosovë që të përfshihen në zgjidhjen e këtij problemi.

Precedent i rrezikshëm?

Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, thotë që në rast të mosadresimit të problemit, atëherë Lista Serbe, e cila, sipas saj, është tërësisht besnike ndaj Beogradit zyrtar dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përveç dhjetë deputetëve të saj në ulëset e garantuara për komunitetin serb, do t’i ketë edhe tre deputetë shtesë nga komunitetet tjera joshumicë. Në këtë mënyrë, sipas saj, Lista Serbe do të ketë nën kontroll dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.

“Duke pasur parasysh se një varg ligjesh, që Kushtetuta jonë i numëron si legjislacion i interesit vital, e të cilat mund të nxirren ose të ndryshojnë vetëm nëse e marrin edhe shumicën e votave të komuniteteve joshumicë, atëherë reformat në vendin tonë, për shembull reformat në arsim, plotësisht do të kontrollohen nga Vuçiqi. Madje, nuk mund të bëjmë as hapa në drejtim të integrimeve evropiane, sepse do ta kemi të pamundur që ta nxjerrim një ligj bazë për liritë fetare, sipas standardeve evropiane. Pra, vendi ynë do të jetë i bllokuar, për aq sa do të jenë jofunksionale institucionet tona të drejtësisë”, theksoi Mushkolaj.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson që në rast se eventualisht ankesat e subjekteve boshnjake që kontestojnë mënyrën e arritjes së votave nga Adrijana Hoxhiq, nuk merren parasysh, atëherë do të krijohet një precedent i rrezikshëm.

“Nëse kalon kështu, do të jetë një precedent shumë i rrezikshëm edhe për komunitetet tjera, pasi që mund të mos përfaqësohet fare më zëri i tyre, por edhe për vetë komunitetin serb, si komunitet më i madh, që mund të mos përfaqësohet më. Kjo sepse mund të luhet me kartën e njëjtë nga komuniteti shqiptar. Vendos figura të caktuara dhe votojnë për ta dhe i marrin tërësisht deputetët (serbë) ose shumicën që i nevojitet shqiptarëve për të bërë më pas pjesën që iu nevojitet për çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor. Pra, ky është rreziku. Pakoja e Ahtisaarit, por edhe vetë Kushtetuta e kërkojnë që të ketë përfaqësim efektiv prej vetë komunitetit. Pra, jo që të shkohet një hap më tutje dhe që një komunitet tjetër të votojë dhe të vendosë për komunitetin tjetër ose për përfaqësues të komunitetit tjetër”, theksoi Spahija.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një paraqitje në një nga mediat vendore ka thënë se institucionet përkatëse dhe mbikëqyrëse vendore e ndërkombëtare duhet ta trajtojnë çështjen e ngritur nga subjektet politike boshnjake. Sipas tij, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë duhet të jenë të zgjedhur nga komunitetet përkatëse pa asnjë ndërhyrje, ndërkaq që siç ka thënë ai “duket qartë që ndërhyrja ka ndodhur në këto zgjedhje”, duke e cilësuar si të pranueshme dhe ndesh me frymën kushtetuese.

Reagime lidhur me këtë çështje kanë paralajmëruar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat siç kanë thënë, do t’i adresojnë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të 14 shkurtit.

 

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img